Me ndeshjet e mbrëmshme përfunduan edhe eleminatoret e grupeve europiane që do të marrin pjesë në finalet e kupës së botës në futboll, të cilat do të luhen verën e ardhshme në 3 shtete të Amerikës së Veriut, përkatësisht në Meksikë, SHBA dhe Kanada. Ishin 55 vendet europiane të përfshira në këtë garë, të ndara në 12 grupe me nga 4 apo 5 ekipe. Nga këto 12 ekipet që dolën të parat në grupet e tyre, e kanë siguruar tashmë pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026. 12 ekipet e tjera që zunë vendin e dytë, plus 4 vendet që janë shquar në Ligën e Europës 2024 – 2025, do formojnë 4 grupe të tjera me nga 4 ekipe secila. Katër fituesit e këtyre grupeve do i bashkohen 12 vendeve që tashmë e kanë prerë biletën për në kontinentin amerikan, duke plotësuar kështu konglomeratin prej 16 skuadrash europiane që marrin pjesë në këtë kampionat, që zhvillohet një herë në çdo 4 vite.
Dhe siç dihet, për herë të parë si Shqipëria, si Kosova marrin pjesë në grupet e ashtuquajtura të “Play off-it”. Pra sportdashësit e të dyja pjesëve të kombit, sipër dhe poshtë Drinit, do presin tashmë me dridhje zemre ndeshjet e fund marsit të vitit të ardhshëm, me shpresën e madhe që të dalin të parat në grup dhe të marrin pjesë edhe ato në këtë ngjarje futbollistike kaq të ndjekur nga sportdashësit e mbarë botës.
Ngjarjet rrodhën të tilla që edhe para ndeshjeve të tyre të fundit, Shqipëria me Anglinë (0-2) dhe Kosova me Zvicrën (1-1), ato të ishin tashmë të kualifikuara për “Play Off-et”. Shqipëria luajti 75 minuta të shkëlqyeshme kundër Anglisë, por 15 minutat e fundit pësoi 2 gola.
Kosova, nga ana e saj, luajti mbrëmë në 15 minutat e para dobët ndaj Zvicrës, por 75 minutat e mbetura e vuri përpara skuadrën kundërshtare deri në sekondën e fundit.
Problemi tani është se sot kemi dy ekipe shqiptare që marrin pjesë në kompeticionet ndërkombëtare. Dy ekipe për një komb?! E keqja është se tani në Kosovë më së shumti, por edhe në Shqipëri, po flitet edhe për « kombëtaren » kosovare. Kjo sikur nuk vete. Një popull si i yni, kaq i lidhur shpirtërisht nuk i “meriton” 2 kombëtare!
Kosova ka gjithë të drejtën e botës të ketë skuadrën e saj të futbollit. Kjo do e ndihmojë atë të njihet edhe më shumë në arenën ndërkombëtare. Madje edhe vendet që nuk e kanë njohur sovranitetin e saj, si Sllovakia, Rumania, Spanja, Qipro, Greqia janë të detyruara sot të luajnë hymnin e saj kombëtar dhe të shtrojnë në tapetin e fushës së blertë edhe flamurin e republikës sê Kosovës.
Por, për mendimin tim, fjala “kombëtare” për Kosovën është disi e tepërt. Se çdo popull normalisht ka dhe duhet të ketë një kombëtare. Prandaj do të ishte mirë që Kosova dhe shqiptarët e saj fjalën kombëtare ta zëvendësonin me “përfaqësuese”. Sepse duam apo nuk duam kombëtarja përfaqësohet nga flamuri Kuq e Zi, nga ai flamur që shqiptarët e Kosovës, që nga koha e Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit, por edhe sot, e valëvitin me aq krenari gjatë festave kombëtare apo ngjarjeve sportive.
Një tjetër arsye është se ekipi i Shqipërisë është vërtet mbarëkombëtar. Se në të nuk marrin pjesë vetëm lojtarë nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, nga Ilirida dhe po ashtu edhe nga diaspora. Për më shumë 3 nga kapitenët e ekipit shqiptar janë nga Kosova. Si psh i paharrueshmi Lorik Canaj, Besnik Hasi dhe sot Berat Gjimshiti! Janë ata që veshin dhe mbajnë me krenari fanellën kuq e zi.
Është shumë mirë që tani jemi që të dy në “play off”, siç është po ashtu shumë mirë që jemi të dy në një grup dhe nuk mund të ketë “përplasje” mes nesh. Madje thuhet se Serbia, që ka qënë dhe mbetet kundër çdo njohjeje apo pjesëmarrjeje të Kosovës në organizmat ndërkombëtare, nuk e kundërshtoi asokohe pranimin e Kosovës në gjirin e FIFA-s dhe UEFA-s!
Sepse serbëve u vriste sytë kombëtarja jonë me shqiptarë nga të gjitha trevat e vendit. Kombëtarja shqiptare ishte në fakt asokohe promovimi i parë i bashkimit kombëtar.
Por mbrëmë në Kosovë, përveç lojës së bukur të ekipit të saj, që u ngrohu zemrat të gjithë sportdashësve, ranë në sy për keq edhe disa fëshkëllima të stadiumit ndaj birit të saj, kapitenit të ekipit zviceran, Granit Xhaka!
Fishkëllima që nuk kishin asnjë arsye të ngjanin pasi Graniti me vëllain e tij nuk e kanë mohuar kurrë prejardhjen e tyre. Madje vëllai i vogël i Granitit, Taulanti, ka qënë pjesë edhe e kombëtares shqiptare!
Dhe fakt i rrallë: rreth 10 vjet më parë, kur ekipi i Shqipërisë drejtohej nga italiani Xhani De Biazi dhe kombëtarja jonë luante kundër Zvicrës, Taulanti me Granitin luanin “kundër” njeri tjetrit.
“Jam shqiptar nga tokat e Arbërit” është shprehur pak vite më parë me krenari Granit Xhaka. Ishte po ky që vetëm pak ditë më parë, kur Kosova fitoi kundër Sllovenisë në Ljubljanë, u shpreh:”Kosova meriton respekt për çfarë ka arritur”!
Prandaj ato fishkëllima ishin thjesht shprehje injorance apo katundarie ndaj dikujt që është krenar për origjinën e tij. Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Dua Lipa, Rita Ora etj janë jo vetëm krenaria e Kosovës, por e mbarë shqiptarëve kudo që ndodhen.
Dhe Graniti, si një xhentelmen i vërtetë, kur u zëvendësua nga trajneri andej nga minuta e 70, duartrokiti publikun që kishte mbushur shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri”. Pavarësisht fishkëllimave të disave prej tyre!
Rreziku i kësaj sjelljeje është që nesër, po këta njerëz pa tru, të fishkëllejnë edhe Gjimshitin apo Asllanin në rast se dy ekipet do përplasen në ndonjë garë sportive!
Dhe për më keq akoma, vitet e fundit vërehet edhe një ftohje ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Kryesisht për faj të Edi Ramës, siç kam shkruajtur dhe argumentuar disa herë. Indiferenca e kryeministrit shqiptar ndaj zhvillimeve në Kosovë apo përpjekjeve të Albin Kurtit për të ruajtur paprekshmërinë e kufijve të Kosovës, është një qëndrim tejet negativ nga ana e tij.
Të mbash marrëdhënie të mira me Vuçiçin apo Giorgia Melonin dhe me liderët e tjerë europianë dhe t’i rrish hundë e buzë Albin Kurtit, – kjo është diçka që nuk shkon.
Kombi është diçka dhe politika diçka tjetër. Politika ndrron çdo ditë ndërsa kombi jeton edhe me shumë se 1 000 vjet. Prandaj nuk do jetë e largët dita që Shqipëria me Kosovën do bashkohen. Kufijtë në botë po ndryshojnë ngado. Dhe nuk ka arsye që kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës të mos preket. Jemi pak si komb. Dhe të ndarë më dy apo më tresh jemi akoma edhe më pak. Prandaj bashkimi kombëtar ndërshqiptar nuk është më veçse dëshirë, por detyrim dhe domosdoshmëri. Një kombëtare – një komb.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment