Ishte një kohë kur Athina kishte një ndikim të pakrahasueshëm në Shqipëri. Dhe vetëkuptohet se kjo ngjau pas viteve ’90. Socialistët si psh Nano, Majko, Meta e kompani ishin shumë të ndjeshëm ato kohë ndaj qëndrimeve dhe udhëzimeve që u vinin nga Greqia.
Ndërsa Berisha e nisi sundimin e tij duke u deklaruar hapur kundër politikës greke në vendin tonë. Aq sa pati përplasje edhe me Uashingtonin për këte çështje. Por gjithçka ndryshoi me të sidomos pas vitit të mbrapshtë 1997. Atëhere në Tiranë u krijua bindja se pa mbështetjen e Athinës nuk vinje dot në pushtet në Shqipëri. Dhe Athina i mëshoi me gjihë forcën e saj kësaj teze. Madje ajo deklaronte se rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian kalon nga Athina!
Kjo politikë e marrë e opozitës vazhdon edhe sot.Në pothuajse të gjitha zgjedhjet lokale apo legjislative në Himarë dhe Dhërmi, PD-ja e Sali Berishës ka mbështetur kandidatët e minoritetit grek. Rasti më i freskët dhe i përsëritur është ai me terroristin Fredi Beleri, i zgjedhur tash nga grekët edhe si eurodeputet ne Parlamentin Europian !
Një arrogancë dhe mëndjemadhësi që Greqia nuk kishte guxuar ta tregonte jo vetëm në kohën e Enver Hoxhës, por as në atë të Zogut! Dhe kjo ndërhyrje e paturp e Athinës në punët e brendshme të vendit tonë spjegohet me deklaratën e Millosheviçit, andej nga viti 1992, se Shqipërinë e pushtoj edhe me një skuadër gjuetarësh!
Dhe me të vërtetë asnjëherë Shqipëria nuk ishte shkatërruar më keq nga ana ushtarake, ekonomike, industriale dhe sociale se gjatë viteve 1991 – 2 000. Shkatërrim total i vendit. Djegie deri edhe e dokumentave shtetërore. Rrënim i gazermave ushtarake dhe grabitje e armatimit. Më zi nuk mund të bëhej.
Por me ardhjen e Ramës në pushtet kjo politikë ndryshoi kryekëput. Së pari Rama u lidh me Erdoganin. Turqia historikisht ka qënë në konflikt të heshtur dhe të pandërprerë me Greqinë dhe ky afrim i Shqipërisë me Turqinë nuk u prit hiç mirë në Athinë.
Por këto vitet e fundit duket se Rama e ka ndryshuar përsëri kursin e politikës strategjike të Shqipërisë. Ai tani është lidhur fort me Italinë. Në fakt lidhjet shpirtërore ndërmjet shqiptarëve dhe italianëve kurrë nuk kanë munguar. Qoftë edhe gjatë periudhës enveriane. Në atë kohë madje shqiptarët kishin të drejtë të shihnin edhe lajmet e Rai Uno-s dhe Rai Due të trnsmetuara nga antena përforcuese e RTSH-së në malin e Dajtit. Në këtë mënyrë shqiptarët, sidomos elita intelektuale e Tiranës, informohej edhe për ngjarjet në botë.
Por edhe historikisht Italia e ka mbajtur gjithmonë një sy nga Shqipëria. Dhe gjatë traktativave që zhvilloheshin gjatë luftës së parë ballkanike dhe asaj botërore Roma kundërshtonte orekset shoviniste të Greqisë ndaj Vorio – Epirit.
Por jo gjithçka ka qënë kaq idilike. Nuk duhet harruar as pushtimi i Shqipërisë nga Musolini dhe sidomos mbytja me qëllim e dhjetra refugjatëve shqiptarë që ishin nisur drejt Italisë nga një korvetë ushtarake Italiane!
Por marrëdhëniet Shqipëri – itali kanë arritur në një stad të paparë deri më sot, kur pushtetin në Itali e mori kryeministrja, që disa e quajnë postfashiste, Giorgia Meloni. Marrëdhëniet ndërmjet Ramës dhe Melonit u kthyen pothuajse në personale, përveç atyre shtetërore.
Vetëm dje psh kryeministri i Shqipërisë nënshkroi 16 marrëveshje të ndryshme me kryeministren e Italisë. Ky afrim i paparë përshtatet edhe me politikën e Ramës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Italia e sotme, nën drejtimin e Melonit, po rifiton statusin e humbur të fuqisë së madhe në BE. Rezultatet e saj ekonomike po ia kalojnë tashmë edhe atyre të Francës. Madje kryeministrja italiane nuk ngurron aspak të shprehë sot me zë të lartë edhe qëndrimin e vendit të saj në mbrojtjen e interesave të Italisë në gjirin e Bashkimit Europian.
Synimi i Ramës duket qartë se ka si synim ta kthejë Italinë në avokaten e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Pasi Rama e ka pohuar qartë. Ai dhe PS-ja do mbesin në pushtet, në rast se kanë aprovimin e zgjedhësve, deri sa Shqipëria të bëhet pjesë e familjes europiane!
Dhe çfarë ka më mirë se kthimi i Italisë në një partner strategjik për Shqipërinë. Pasi Shqipëria ka nevojë për një avokat dhe mbrojtës të saj kur 27 krerët e vendeve anëtare të BE-së mblidhen në Bruksel. Dhe duke ditur se nacional/fashistët janë duke u fuqizuar çdo ditë e më tepër në shumë prej vendeve të Bashkimit Europian, ku ka më mirë se të kesh Melonin si mbrojtëse dhe avokate e aspiratave të popullit shqiptar.
Ajo psh mund t’i kundërvihet edhe udhëheqëses nacionaliste franceze Marinë Lë Pen, e cila është kundërshtare e vendosur sa e Kosovës, por po aq edhe e anëtarësimit të Shqipërisë në BE! Prandaj edhe Rama deklaroi dje pikërisht në Romë se : “Duam anëtarësim pa veto dha pa vota» ! Dmth afërsisht siç u pranua edhe Kroacia.
Pasi që në kohën e presidentit francez Zhak Shirak u vendos që pas anëtarësimit të Kroacisë për çdo vend tjetër duheshin organizuar referendume në gjirin e 27- shes. Dhe në rast se edhe një vend i vetëm votonte kundër, anëtarësimi pezullohej.
Dhe pikërisht kjo është ajo që nuk do Rama. Organizimin e referendumeve në Danimarkë, Francë, Hollandë etj për panimin apo jo të Shqipërisë në gjirin e Europës së bashkuar. Prandaj edhe afrimi i tij me Italinë ka këtë synim: të kthehet në një barrierë, pengesë, ndaj shteteve që nuk janë dashamirëse të vendit tonë.
Dhe duket se ai po luan fort bukur në skakierën ndërkombëtare. Megjithatë tani atij i mbeten të bëjë edhe dy gjëra të tjera të rëndësishme : Të forcojë lidhjet me Amerikën e Trump-it, (me të cilën është prishur për shkak të lidhjeve të forta të tij me klanin Soros, por sidomos edhe për atë shakanë pa kripë me Macron-in rreth ngatërresës së Trumpit të Shqipërisë me Armeninë ! Dhe dihet se Trump nuk e ka fare qejf kur e vënë në lojë).
Dhe njëkohësisht ai duhet të forcojë marrëdhëniet edhe me Kosovën dhe qeverinë e zgjedhur nga populli i saj. Bashkimi me Kosovën është po aq i rëndësishëm sa edhe bashkimi me Europën.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment