A do të ketë së shpejti në krye Nju Jorku dhe 8.5 milionë banorët e tij një kryetari bashkie vetëm 34 vjeç, socialist dhe mysliman?! Kjo është pyetja me të cilën po ndeshen këtë të martë, zgjedhësit e këtij qyteti të famshëm amerikan. Sepse kandidati më i mundshëm t’i fitojë këto zgjedhje quhet Zohran Mamdani. Dhe profili i tij është tejet i veçantë.
Duhet pohuar se askush nuk e kishte parashikuar këtë. Pasi këtë të martë, 4 nëntor, në Nju Jork të Amerikës, po zhvillohen zgjedhjet bashkiake. Po çfarë ka këtu të çuditshme?! Zgjedhje bashkiake mbahen kudo dhe në Amerikë ato zhvillohen prej 200 vjetësh?!
E çuditshmja këtu është se kandidati që mund të bëhet kryebashkiaku i qytetit më të madh të Amerikës ( 8.5 milionë banorë) është, siç thamë, një mysliman, i lindur në Uganda të Afrikës dhe nga prindër me origjinë indiane! Për më shumë ky kandidat kaq i veçantë e quan veten socialist, pothuajse një fyerje kjo për gjithë estblishmentin politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fushata e tij është përqendruar kryesisht në çështjet ekonomike, duke promovuar një program ambicioz por edhe të vështirë për t’u zbatuar, pasi disa çështje ekonomike bien jashtë juridiksionit të drejtpërdrejtë të kryetarit të bashkisë.
Megjithatë, edhe qëndrimi i tij i fortë ndaj konfliktit izraelito-palestinez, ka tërhequr vëmendjen e të gjitha forcave politike, si për republikanët ashtu edhe për kundërshtarin e tij demokrat, Andrew Cuomo. Prandaj nëse Mamdani fiton, pasojat për partinë e tij do të jenë të paparashikueshme.
Kjo është edhe arsyeja që zgjedhja e kryebashkiakut të Nju Jorkut sot po kthehet në një nga ngjarjet politike më të ndjekura nga afër në Shtetet e Bashkuara. Se përtej rëndësisë së tyre lokale, këto zgjedhje po nxjerrin në pah sidomos edhe përçarjet e thella nacionale brenda Partisë Demokratike dhe mund të ripërcaktojnë madje edhe vetë ekuilibrin e pushtetit në politikën kombëtare, përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, në nëntor të vitit 2026.
Tre kandidatë janë në garë: demokrati dhe socialisti Zohran Mamdani, një figurë e së majtës radikale dhe favoriti kryesor në sondazhe; Andrew Cuomo, një demokrat që po kandidon si i pavarur, ish-guvernator i Shtetit të Nju Jorkut (2011-2021), i cili kishte dhënë dorëheqjen pasi u akuzua për ngacmime seksuale nga disa gra dhe republikani Curtis Sliwa.
Kryetari i bashkisë në largim, demokrati Eric Adams, i cili përballej me akuza për korrupsion u tërhoq në fund të shtatorit, duke mos arritur të arrinte 10% në sondazhe.
Në një qytet ku demokratët i tejkalojnë republikanët në numër me një raport 7 me 1, Mamdani, i nominuar nga Partia Demokratike pas fitores së tij në zgjedhjet paraprake të qershorit, (primaret) ka të gjitha shanset për të fituar.
34 vjeç,Zohran Mamdani mishëron një brez të ri politik. I lindur, siç thamë, në Ugandë në një familje të privilegjuar me origjinë indiane – babai i tij është profesor i shkencave politike në Universitetin Columbia, ndërsa nëna e tij është një regjizore e njohur, e cila u vlerësua edhe me çmimin Caméra d’Or në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 1988 për filmin e saj “Përshëndetje Bombej”.
Familja e tij vajti në Amerikë, kur ai ishte shtatë vjeç, dhe Zohran mori nënshtetësinë amerikane në vitin 2018, pra vetëm para 7 vitesh!
I diplomuar në studime afrikane nga Kolegji prestigjioz Bowdoin në Maine, ai fillimisht e provoi veten në muzikën rep nën emrin skenik “Yung cardammon”. Më pas punoi si këshilltar për parandalimin e përmbarimit për familjet e mbingarkuara me borxhe, ndërkohë që punonte edhe për organizatën “Socialistët demokratë amerikanë”(DSA), organizata kryesore socialiste e vendit, e cila pretendon se ka rreth 90.000 anëtarë.
Termi “socialist” është një tregues shumë i fortë në Shtetet e Bashkuara. Ai përcakton të majtën ekstreme dhe shpesh përdoret nga republikanët për të denoncuar veprimet e kundërshtarëve të tyre.
DSA ka luajtur një rol vendimtar në trajektoren e Mamdanit. E themeluar në vitin 1982, organizata fillimisht mblodhi aktivistë dhe intelektualë të së majtës radikale, kryesisht të vjetër, të cilët botuan punime dhe organizuan konferenca.
Viti 2016 shënoi një pikë kthese. Ishte hera e parë që një kandidat socialist i vetëshpallur kandidoi për president: ishte Bernie Sanders. Zohran Mamdani u angazhua për të mbështetur fushatën e tij. Ishte gjithashtu viti i zgjedhjeve të para të Donald Trump. Shock-u i zgjedhjes së Trump-it veproi si katalizator: lëvizja u rigjallërua, u rrit në madhësi dhe u bë një makinë për prodhimin e kandidatëve, të tillë si Aleksandra Okazio Kortezo, ose si vetë Mamdani.
Mbështetja e DSA-së i lejoi atij të zgjidhet në Asamblenë e Nju Jorkut në vitin 2020, mandati i tij i parë dhe i vetëm politik deri më sot. Anëtarësimi i tij në Socialistët Demokratë të Amerikës i jep një këndvështrim të veçantë kandidaturës së të riut amerikan me prejardhje indiane.
Gojët e këqija thonë se ai nuk duhet të jetë antikapitalist në kryeqytetin botëror të kapitalizmit financiar. Dhe ai nuk duhet të demonstrojë antisionizëm radikal në qytetin që është vatra e popullsisë më të madhe hebraike në botë dhe mbetet një fortesë mbështetjeje për Izraelin. E gjithë kjo ndërkohë që ai aspiron të udhëheqë një megaqytet me një buxhet prej 109 miliardë dollarësh dhe 300.000 punonjësish, pavarësisht se ka vetëm përvojën e menaxhimit të një zyre me pesë persona.
Dyfishimi i pagës minimale, kujdesi falas për fëmijët, autobusët falas, ngrirja e qirasë, supermarkete publike etj etj – janë disa nga premtimet e tij. Në një kontekst të rritjes së kostove të jetesës dhe në një megaqytet të dalluar për pabarazi të dukshme socio-ekonomike, këto premtime kanë jehonë.
Ish – kryetari i bashkisë, demokrati Bill de Blasio (2014-2021), kishte ngritur edhe ai atëhere kopshte falas për fëmijët 3 dhe 4 vjeç dhe zbatuar edhe ai ngrirje të qirave për dy vjet. Problemi i vetëm i Mamdanit është se kryetari i bashkisë së Nju Jorkut nuk ka gjithmonë kompetencat e nevojshme për të zbatuar ose financuar këto nisma.
Taksimi i të pasurve për të mbështetur rishpërndarjen është një tjetër premtim i Mamdanit, kur dihet se kjo qasje përputhet me ambiciet e së majtës radikale. Mamdani parashikon një rritje të barrës tatimore mbi familjet dhe bizneset më të pasura, dmth një rritje të taksës prej 2% mbi individët me të ardhura vjetore që tejkalojnë një milion dollarë dhe një normë tatimore prej 11.5% (në vend të 7.25%) mbi 1.000 kompanitë me fitimet më të larta. Mamdani madje ka deklaruar se nuk duhet të ketë miliarderë! Pasunarët që janë tashmë tejet të shqetësuar e kanë kuptuar qartë mesazhin.
Njëzet e gjashtë prej tyre kanë mbledhur mbi 25 milionë dollarë për të financuar fushatat pro-Cuomo ose anti-Mamdani. Kontribuesi i tyre më i madh nuk është askush tjetër përveç Michael Bloomberg, kryetar bashkie (fillimisht demokrat, pastaj i pavarur) i Nju Jorkut nga viti 2002 deri në vitin 2013.
Megjithë krijimin tashmë të frontit ” anti Mamdan ” i cili ka nje fuqi monetare rreth 40 milion dollarësh, (16 milionë janë mbledhur vetëm nga AIPAC, shoqata lobiste e çifutëve të Amerikës) fitorja e tij duket se eshte pothuajse e sigurtë.
Ndryshe këto zgjedhje kanë bërë që mbi 160 rabinë (klerikë izraelitë) të mblidhen në Nju Jork per të bindur pjesëtaret e komunitetit ebre qe të mos votohet per Mamdanin. Siç shihet miliarderët, cifutët , anti-emigrantët, pa folur këtu për republikanët e thjeshtë – janë bërë bashkë për të mposhtur Mamdanin. Duket se u ka hyrë frika se nëse ai fiton do te jete si ai topi i vogël i borës që duke u rrokullisur shkakton ortek të madh!
Një vështirësi tjetër është se taksimi bie nën juridiksionin e shtetit, jo të bashkisë. Madje edhe një rritje graduale e pagës minimale përballet me të njëjtën pengesë.
Taksimi i të pasurve dhe zbatimi i rishpërndarjes nuk janë gjëra të thjeshta në një qytet si Nju Jorku. Megjithatë demokratët në Albany – kryeqytetin e shtetit – do të ishin të parët që do të zgjidhnin një kryetar bashkie socialist si Mamdani.
Ndryshe, që nga 7 tetori 2023, edhe çështja izraelito-palestineze ka qenë shpërthyese brenda Partisë Demokratike. Nga njëra anë, është establishmenti tradicional i partisë, i cili mbështet Izraelin dhe nga ana tjetër, një brez i ri që është gjithnjë e më armiqësor ndaj tij.
Socialistët Demokratë të Amerikës kanë pasur dhe kanë një qëndrim të hapur antisionist. Ata kërkojnë që kandidatët e tyre të plotësojnë të gjitha kriteret e mëposhtme: mbështetje për lëvizjen “Bojkot, Shpronësim, Sanksione”, ndalim udhëtimi në Izrael, njohje të “të drejtës së kthimit” dhe “të drejtës së rezistencës”, si dhe kundërshtim ndaj çdo armëpushimi, në favor të një “çlirimi total” të Palestinës.
Duhet ditur se qyteti i Nju Jorkut ka 1.1 milion hebrenj, një të pestën e popullsisë totale hebraike amerikane. Qyteti është po ashtu edhe vatra e grupeve lobuese pro-Izraelit. Mamdani e përshkruan Izraelin si shtet të aparteidit, njëlloj si Afrika e Jugut dikur dhe konfliktin e sotëm e konsideron si një “genocid”në Gaza. Si pasojë 60 përqind e votuesve ebrenj në Nju Jork kanë pohuar se do votojnë këdo kandidat tjetër me përjashtim të Mamdanit!
Me establishmentin demokrat tashmë të përçarë, duket se Donald Trump po i fërkon duart nga gëzimi. Presidenti duket se ka edhe një mënyrë të veçantë për ta portretizuar garën e sotme midis Cuomos dhe Mamdanit si një duel midis një ish-kryetari bashkie të turpëruar dhe një “komunisti 100% të çmendur” (siç e quan ai Mamdanin).
Përmes sulmeve të tij të përsëritura ndaj tij, Trump në fakt po i shndërron zgjedhjet e Nju Jorkut në një luftë të përbetuar kundër të majtës progresiste.
Strategjia e tij është ta përdorë fitoren e mundshme të Mamdanit si një terren prove për të përçarë Partinë Demokratike deri në nivel kombëtar. Prandaj kampi qendror dhe pragmatik demokrat është kthyer në copa. Zgjedhja brenda tyre është sa e vështirë aq dhe e rrezikshme: të mbështesin një kandidat antikapitalist dhe pro-palestinez, duke i qëndruar besnik partisë që e ka nominuar apo të mbrojnë një kandidat të akuzuar – me të drejtë – si Cuomo, për dëshmi të rreme dhe ngacmim seksual ?!
Ndërsa e majta radikale ëndërron fitore “nga Maine në Kaliforni”, antikapitalizmi i Mamdanit do t’i lejojë Trumpit të shfaqë para elektoratit të moderuar kombëtar, gogolin e “radikalizmit të krahut të majtë”. Çdo vështirësi në New York do t’i atribuohet “socializmit” të kryetarit të bashkisë. Mbi të gjitha, antisionizmi i tij radikal do të jetë një detonator brenda kampit demokrat.
Në zemër të kësaj strategjie: vota hebraike. Donald Trump ka mbajtur një qëndrim pro-Izrael si asnjë president para tij. Kjo i ka siguruar atij mbështetje të konsiderueshme brenda kampit republikan. Tani, ai dëshiron të gërryejë më tej mbështetjen historike të hebrenjve për demokratët. Ndërsa shumica e hebrenjve radikalë tashmë po zgjedhin gjithnjë e më shumë të votojnë republikanët, hebrenjtë më të moderuar mbeten për t’u bindur.
Zohran Mamdani përfaqëson tashmë një pikë kthese të rëndësishme për Partinë Demokratike: lënien mënjanë të politikës së identitetit dhe luftës kulturore, në të cilën qëndrimi i partisë nganjëherë përshkruhej si “wokist”.
Dhe te kthimi i shqetësimeve materiale, siç është kostoja e jetesës, që është thelbësor për fitoret e ardhshme zgjedhore të partisë. Megjithatë, në një kontekst ku partia po përpiqet të rindërtohet pas humbjes së saj të vitit 2024, e majta radikale mund të mos ofrojë vetëm zgjidhje, por edhe probleme.
4 nëntori i sotëm do të përcaktojë nëse Nju Jorku do të kthehet në një simbol të një rilindjeje të së majtës radikale amerikane apo nëse kjo fitore do të jetë si një thikë me dy presa, pasi ajo do ta përçajë përgjithmonë Partinë Demokratike Amerikane. Por ndofta kjo fitore do të shërbejë edhe për të shkatërruar përfundimisht edhe dualitetin politik në SHBA me formimin e një partie të vërtetë të majtë edhe atje.
v.gj.

Lini një koment