Edi Rama bëri gabim që nuk mori pjesë në platformën mbi zgjerimin e Bashkimit Europian

        Askush, deri në këtë moment që po shkruajmë këto rradhë, nuk e di se pse kryeministri shqiptar anulloi papritur dhe në minutën e fundit pjesëmarrjen e tij në takimin e organizuar nga rrjeti televiziv mbarëeuropian “Euronews”. Por sidoqoftë, pa një arsye të fortë justifikuese, mospjesëmarrja e tij ishte e gabuar.

        Pasi në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të BE-së, Antonio Costa, komisionerja përgjegjëse për zgjerimin, Marta Kos, presidenti i Serbisë, Vuçiç, presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kristian Mickoski, zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Filip Ivanoviç, europarlamentarët  Mark Botenga dhe David McAllister e të tjerë. Ndërsa presidenti i Ukrainës, Zhelenski, u lidh drejtpërsëdrejti me këtë konference nga Kievi me videovision.

       Në fjalën e tij presidenti i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian përshkroi situatën në 6 vendet kandidate për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor dhe marrëdhëniet e tyre me BE-në. Ai shprehu me këtë rast shpresën se Mali i Zi do të jetë vendi i 28 që do i bashkohet BE-së deri në vitin 2030. Fjalë të mira shprehu ai edhe për përparimet që Shqipëria ka kryer në këtë drejtim, por pa dhënë asnjë premtim apo datë konkrete.

      Ky samit që filloi në ora 14 përfundoi në ora 17.40. Aty e morën fjalën pothuajse të gjithë të ftuarit e sipëpërmendur. Me interesim u prit edhe fjala e presidentit të Ukrainës dhe diagnostikimi prej tij i situatës ushtarake në Ukrainë dhe ndihmat që ai priste dhe kërkonte nga Europa.

     Me kurreshtje u ndoq edhe fjala e komisioneres për zgjerim Marta Kos. Ndryshe nga parardhësit e saj ajo u tregua sa e paanshme aq dhe e rreptë me politikën e 2 – karrigeve të Serbisë. Ka ardhur koha për zgjedhje gjeostrategjike – theksoi ajo. Nga ana e tij presidenti serb pohoi se Serbia ka lidhje shekullore me Rusinë dhe nuk dëshiron t’i ndërpresë këto marrëdhënie për asgjë në botë.

      Në fund edhe kryeministri shqiptar u lidh on-line me drejtuesit e këtij samiti. Ai foli për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend si dhe për rolin e “Diellas” për të luftuar burokracinë.

      Ndofta për ndonjë arsye shëndetësore ai u duk në këtë visiokonferencë paksa si i lodhur dhe i plakur. Megjithatë ai nuk mungoi të deklaronte se përsa i përket luftës kundër korrupsionit, pavarësisë së drejtësisë etj, qeveria e tij po bën çfarë është e mundur dhe prandaj nuk pranon leksione nga askush!

      Lidhur me procesin e zgjerimit në këtë konferencë u theksua se 56 përqind e europianëve janë pro zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, ndërsa 40 përqind kundër.

      Ndër ata që ishin pro mbizotëronte mendimi se Ballkani mund ta furnizojë Europën e plakur me gjak të ri. Ndërsa ata që ishin kundër shprehnin frikën e përhapjes së krimit të organizuar si dhe të shpenzimeve ekonomike të Europës ndaj këtyre vendeve.

      Por që zgjerimi të kthehet në realitet duhet që parlamentet e 27 vendeve anëtare të BE-së ta aprovojnë këtë anëtarësim. Sikur një vend i vetëm të jetë kundër, anëtarësimi shtyhet për në kalendat greke.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment