Nesër, e martë 4 nëntor, në Bruksel do të mbahet një takim i rëndësishëm ndërmjet zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian me ata të 6 vendeve kandidate për anëtarësim në të, konkretisht Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Përveç kryeministrave apo presidentëve nga 6 shtetet ballkanike, në këtë mbledhje do të marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, komisionerja për zgjerimin Marta Kros si dhe përfaqësues të lartë nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave i BE-së
Anëtarësimi në BE ka qënë dhe mbetet një aspiratë e bukur për gjithë popullin e Shqipërisë, që nga koha kur në qytetin “Studenti” njerëzit brohorisnin:” E duam Shqipërinë si gjithë Europa”! Ëndërr e bukur e një populli që duke qënë i izoluar për 45 vjet me rradhë, as nuk e dinte dhe as nuk e kuptonte sesi Europa kishte arritur aty ku ishte. Cilët ishin faktorët historikë, ekonomikë dhe socialë që i kishin shndërruar vendet e Europës Perëndimore në pothuajse oaze parajse, që i kishte zili e gjihë bota.
Madje edhe kryeministri i tashëm Edi Rama e bazoi fushatën e tij të zgjedhjeve legjislative pikërisht te anëtarësimi i Shqipërisë në BE! Madje ai dha edhe një datë për këtë: vitin 2030!
E mira do ishte që kryeministri shqiptar, në vnd që të premtonte hyrjen e Shqipërisë në klubin e BE-së, të merrej edhe me luftën kundër korrupsionit në vend, që ka kapur majat më të larta. Duke përfshirë këtu edhe ndihmësit e tij të afërt, siç ishin ish zëvendëkryeministri Ahmetaj, tashmë i arratisur, apo edhe zëvendëskryeministrja e tashme, Belinda Balluku, e vendosur nën hetim nga SPAK!
E vërteta është se ka që nga viti 1990, që të gjithë presidentët dhe kryeministrat shqiptarë u kanë premtuar qytetarëve të tyre integrimin në BE si një Sezam që do u japë fund vuajtjeve dhe varfërisë së tyre. Aq sa tani është bërë tejet e mërzitshme ta dëgjosh përsëri këtë avaz të përsëritur edhe nga Edi Rama.
Pa as dyshimin më të vogël anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të përbejë një arritje historike për vendin tonë, që do shkruhet deri edhe në librat e historisë. A nuk thonin rilindasit tanë të lavdishëm se dielli për Shqipërinë lind andej nga perëndon!
Por a është e mundshme dhe sa mundësi ka që Shqipëria të pranohet në BE deri në vitin 2030?! Kjo është pyetja 1 milion dollarëshe. Dhe e dyta: a është e sigurt që BE-ja do të ekzistojë siç është sot edhe pas 5 vitesh?! Se ka shumë forca divergjente sot brenda saj që nesër mund të kthehen në tallaze të fuqishme që mund ta shpërbëjnë BE-në. Një nga këto tallaze është edhe nacionalizmi në rritje në vendet anëtare të BE-së. Dhe kush thotë nacionalizëm kupton: secili për vete dhe jo BE-ja për të gjithë.
Në fakt si Ursula van der Leyen dhe po ashtu edhe zyrtarë të tjerë të BE-së po deklarojnë çdo ditë e më shumë se Shqipëria është tashmë shumë afër Bashkimit Europian, se ajo i ka dyert e hapura për tu bashkuar me familjen e madhe europiane etj etj.
Këto fjalë dhe këto premtime unë personalisht i kam dëgjuar që në vitin 1995, para 30 vitesh, kur punonja si korrespondent i emisionit shqip të radios “Deutsche Welle” në Bruksel. I kam dëgjuar këto premtime nga Havier Solana, nga Doris Pack, nga Romano Prodi etj etj.
Se ka qënë dhe mbetet puna dhe detyra e tyre të mbajnë afër vendet e Ballkanit Perëndimor. Që të mos i lejnë ato të afrohen psh me Moskën apo Pekinin. Dhe kjo është edhe arsyeja që Serbia po e humbet pak nga pak garën me Shqipërinë në këtë drejtim. Se ajo vazhdon të jetë e lidhur ende shumë me Rusinë, sa në fushën politike dhe ekonomike, por po aq edhe në atë ushtarake!
Ndryshe Shqipëria dhe Maqedonia konsiderohen sot si 2 vendet e para, nga 6 vendet në rradhë, që mund t’i bashkohen BE-së.
Por ka një “por”!. Se ndërsa zyrtarët e lartë të BE-së premtojnë sot e 30 vjet pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, kjo, pra ky anëtarësim, sado i çuditshëm të duket, nuk varet nga ata. Komisioni apo edhe Parlamenti Europian kanë të drejtë të propozojnë, por firmat për pranim varen nga vendet anëtare. Dhe sikur vetëm një vend të jetë kundër, anëtarësimi nuk realizohet.
Këtë frikë apo ngurrim e shprehu sot qartë edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner. Në konferencën ndërkombëtare mbi shkencat e jetës dhe bujqësinë mbajtur në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ai, ndër të tjera, u shpreh se Shqipëria ka nevojë të madhe për të investuar sot në njerëz dhe dije.
Gjatë fjalës së tij, diplomati gjerman pohoi po ashtu se integrimi europian ka fuqi transformuese dhe se do sjellë avantazhe për shumicën e njerëzve, por theksoi se “rrugëtimi do të jetë i vështirë”.
“Do jetë një udhëtim i vështirë, me fitues dhe njerëz që humbasin. Integrimi në BE ka fuqi transformuese, por mundësitë kanë vlerë vetëm kur jemi gati të përmbushim kërkesat që do të thotë harmonizimi i legjislacionit, mbështetja e fermerëve dhe agrobizneseve”, theksoi ndër te tjera, Bergner, para se të theksonte se bujqësia është ajo që ushqen botën, prandaj edhe mbetet një sektor pa alternativë.
“Më shumë se 30% e njerëzve në këtë vend jetojnë me bujqësi. Kjo është me rëndësi jo vetëm për ekonominë, por edhe për mbarë jetën shoqërore. Se ofron të ardhura në hapësira e zona që janë më të margjinalizuarat (anashkaluarat).
Shqipëria është një vend i bekuar me burime natyrore, me tokë pjellore dhe traditë bujqësore që mbështetet në punë të madhe.
Rrugëtimi i vendit në BE, që po merr gjithnjë e më shumë shpejtësi, nuk është vetëm një rrugëtim politik, por edhe ekonomik, strukturor, por edhe transformim shoqëror që çel dyer të reja për fermerë e biznese – tha ai, para se të pohonte se do jetë një udhëtim i vështirë. Por do të jemi dëshmitarë se si transformimi drejt BE-së do sjellë avantazhe për shumicën e njerëzve. Integrimi në BE ka fuqi transformuese, por mundësitë marrin vlerë vetëm kur jemi gati të përmbushim kërkesat që do të thotë harmonizimi i legjislacionit, mbështetja e fermerëve dhe agrobizneseve. Ka nevojë të madhe për të investuar në njerëz dhe dije, arsimimi dhe kërkimi akademik janë pjesë e saj. Integrimi ka të bëjë edhe me përshtatjen e mendësive dhe kapaciteteve” – pohoi diplomati gjerman.
Por diçka që nuk e kanë pohuar deri më sot as ambasadori gjerman dhe as zyrtarët e lartë të BE-së, ka të bëjë me ndryshimet në konfiguracionin politik të shteteve anëtare të BE-së. Pa dyshim se vende si Italia, Polonia, Hungaria, Spanja, Portugalia etj janë dakord për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane.
Por, siç thamë edhe më sipër, forcat nacionaliste dhe ekstremiste po fuqizohen an e mban Europës. Të marrim si shembull vetëm dy shtetet më të fuqishme të BE-së, që janë Gjrmania dhe Franca. Në të dyja këto vende partitë ksenofobe, antiemigracion dhe antimyslimane, AfD dhe RN, renditen në krye të sondazheve. Dhe ka shumë gjasa, sidomos në Francë, që presidenti i ardhshëm apo edhe kryeministri të jenë nga RN-ja, (Rassemblement National).
Marinë Lë Pen kryetare e RN është një ksenofobe dhe antiemigracioniste e njohur. Ajo psh është shprehur kundër ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës dhe po ashtu kundër pranimit të Shqipërisë në BE. Dhe me shumë gjasa formacioni i saj politik do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale dhe legjislative, që janë parashikuar për tu mbajtur, më së largëti, në vitin2027!
Ky është edhe rreziku kryesor i dështimit të projektit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Marinë Lë Pen madje është shprehur se ky Bashkim Europian duhet ndryshuar nga koka te këmbët. Pra ajo nuk e ka vetëm me Tiranën dhe Prishtinën, por edhe me vetë Brukselin!
Politika shqiptare duhet tashmë të zgjohet dhe të mos ëndërrojë më me sy hapur. Dhe të mos i gënjejë njerëzit. Kokat e mënçura në Shqipëri, nëse ka akoma (?), duhet të pyesin veten dhe popullin: “Duke pasur parasysh pasigurinë e anëtarësimit tonë në BE, a nuk do të ishte më mirë që para Bashkimit Europian të vinim Bashkimin Kombëtar?!”.
Megjithatë le të presim deri nesër që të shohim se si do shkojnë punimet e konferencës së integrimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment