Fatos Nano : si një meteor që ndriçon dhe shuhet

     Për Fatos Nanon është folur shumë në të kaluarën dhe do të flitet shumë edhe këto ditë pas lajmit të vdekjes së tij. Se ai ishte, (tani duhet të flasim në kohën e shkuar) një figurë politike që fati apo koha e ngriti në nivelet më të larta, për ta hedhur pastaj poshtë pa anjë mëshirë.  Kryetar i Partisë së saporeformuar PS, e sapodalë nga zgjedhjet e qershorit të vitit 1991, kur ajo zëvendësoi PPSH-në, ai u bë disa herë kryeministër, dhe po aq herë u rrëzua apo e larguan nga pushteti.

       Me të ishim pothuajse bashkëmoshatarë. Me më pak se një muaj diferencë moshe. Personalisht e kam takuar nja 2 – 3 herë. Sä pari kur erdhi si kryeministër në Parlamentin Europian. Në atë parlament që e kishte mbrojtur aq shumë kur ish udhëheqësi i PS-së gjendej në burgun e Bënçës.

       Sepse Parlamenti Europian ishte institucioni i parë ndërkombëtar që e kishte konsideruar Nanon si të “burgosur politik”. Asokohe isha i vetmi gazetar shqiptar që mbulonja për emisionin shqip të radios “Deutsche Welle” Bashkimin Europian dhe NATO-n dhe më kujtohet se sa keq u prit në mjediset e PD-së në Tiranë lajmi se Parlamenti Europian e kishte shpallur Fatos Nanon të “burgosur politik”. Ishte po ky institucion që më vonë mbështeti me force edhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë apo nderoi me një titull të veçantë edhe Adem Demaçin.

        Në ato kohë “Deutsche Welle” sapo i kishte filluar transmetimet në gjuhën shqipe. Dhe kishte edhe një orar fare të papërshtatshëm. Emisioni i saj në gjuhën shqipe transmetohej asokohe një herë në ditë rreth orës 22 të mbrëmjes. (Më pas u kalua në 5 emisione në ditë!). 

       Por Fatosi i mbyllur në qelinë e tij e dëgjonte atë emission rregullisht; se ishte edhe i vetmi radiostacion i huaj në gjuhën shqipe asokohe që i mbante “anën” Partisë Socialiste dhe  kritikonte politikën autoritare të ish komunistit të kthyer në demokrat, Sali Berishës.

        Fatos Nano, megjithëse ishte djali i një komunisti fanatik (Tod Italia – Thanas çiftelia)! Kështu përshkruhej “mbretërimi” i të atit të tij,Thanas Nanos, në radiotelevizionin shqiptar pas arrestimit të Todi Lubonjës, pas festivalit të 11 të këngës në radiotelevizion. Pra megjithëse vinte nga një familje me bazë komuniste, ai ishte për vete liberal. Liberal si njeri, liberal si politikan. I dhënë shumë pas të ngrënit dhe të pirit, sidomos uiskit të famshëm, ai përflitej si qefli edhe kur kishte qënë pedagog në fakultetin e ekonomisë, i mbushur aso kohe plot me vajza të reja.

        Si njeri ai i provoi të gjitha : nga maja deri në humnerë! Sot për të mbetet veçse kujtimi i një jete njerëzore sa e veçantë aq edhe e zakonshme! U prehtë në paqe.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment