Cilin do lëjë pa punë sot Inteligjenca Artificiale?

         Sot gjigandi amerikan i shitjeve me pakicë online, Amazon dora vetë, njoftoi se do të shkurtojë 18.000 vende pune,  në pothuajse të gjitha vendet e botës ku ai është aktiv. Shkaku i këtyre pushimeve nga puna është i thjeshtë. Atë e pohoi vetë “Amazon”: – “Inteligjenca artificiale”. Ndryshe dhe më qartë mund të thuhet se këta njerëz i nxorri të tepërt Chat GPT, Gemini, Co-Pilot dhe të ngjashmit e tyre.

        Sepse siç është bërë e ditur edhe këto 2 – 3 vitet e fundit, Inteligjenca Artificiale mund të punojë shumë më mirë dhe shumë më shpejt se njërëzit e zakonshëm. Shtoji inteligjencës artificiale edhe robotikën, pra robotin që “mendon dhe flet vetë” dhe ju nuk duhet të çuditeni kur të shkoni të paraqiteni në një ndërmarrje, ku recepsionisti/ja të jetë një grua a burrë robot, që do ju përgjigjet të gjitha pyetjeve tuaja me hollësi dhe pa u nevrikosur kurrë!


         “Shkurtimet që po njoftojmë sot janë një vazhdim i përpjekjeve tona për t’u bërë edhe më të fortë duke pakësuar më tej burokracinë”, deklaroi sot Beth Galetti, nënkryetarja e personelit dhe teknologjisë, në një deklaratë në faqen internet të Amazon.


          Që të hënën, disa media amerikane bënë me dije se Amazon do ta ndërmerrte këtë veprim në shkallë të gjerë këtë të martë, duke përmendur madje edhe një total prej 30,000 vendesh pune që do të shkurtohen gjatë muajve të ardshëm në të gjithë botën.

        Duhet pohuar se këto shkurtime nuk paraqesin fundin e dynjsë te Amazon që mban në punë më shumë se 1.5 milion veta në mbarë botën. Por ata që do të shkurtohen do të jenë më shumë punonjësit e zyrave. Punëtorët e magazinave psh, të cilët përbëjnë shumicën e fuqisë punëtore, ka të ngjarë të mos preken, pohon Beth Galetti.

       Problemi është se ky shkurtim i vendeve te punës është vetëm fillimi. Beth Galetti pranoi  “se kjo praktikë do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm  duke studiuar mundësi shtesë për të eliminuar të tjera vende pune, për të rritur llogaridhënien dhe për të përmirësuar efikasitetin”, – sqaroi ajo.

         “Gjëja e rëndësishme që duhet të mbahet mend është se bota po ndryshon me shpejtësi. Kjo gjeneratë e inteligjencës artificiale është teknologjia më e perparuar dhe transformuese që kemi parë që nga koha e internetit dhe po i mundëson bizneseve të inovojnë shumë më shpejt se kurrë më parë”, – theksoi galetti.

           Në të vërtetë shkurtime të tilla priteshin të ndodhnin,  pasi që këtë qershor, drejtori i përgjithshëm i Amazon, Andy Jassy, ​​kishte njoftuar se zhvillimi i inteligjencës artificiale gjeneruese, “në vitet e ardhshme do të zvogëlonte fuqinë punëtore të firmës Amazon”.

        Por këto shkurtime  janë të mjaftueshme për t’i bërë “specialistët”  dhe punonjësit e zyrave të dridhen. Dhe kanë të drejtë. Se deri më tani po shqyrtohen edhe shumë profesione të cilat mund të dalin të tepërta nga Inteligjenca Artificiale. Kështu ndër 220 profesionet më të rëndësishme të analizuara, I.A. prodhoi rezultate “po aq të mira ose edhe më të mira se ekspertët njerëzorë në pothuajse gjysmën e rasteve” – pohojnë specialistët e I.A.-së.  

       Shkurt, I A tashmë po i afrohet nivelit të një profesionisti me përvojë në shumicën e sektorëve dhe degëve te ekonomisë. Ne kemi parë deri më sot krahë mekanikë që transportojnë, ngrejnë dhe montojnë pjesë të rënda metalike. Pra krahët e punës janë zëvendësuar edhe para Inteligjencës Artificiale, por tani kjo degë e shkencës  i është “sulur” edhe profesioneve burokratike dhe intelektuale.

        Sipas rezultatave të këtij studimi, tre profesione janë tashmë tejet të kërcënuara: – si ajo e një drejtuesi projekti (52%), krijuesi përmbajtjeje audiovizuale (50%) dhe zhvilluesit softuerësh (50%). Më pas ndjehen të kërcënuar edhe analistët financiarë (48%), redaktorët e videos/audios (48%) dhe drejtuesit financiarë (47%).

        Një grup i tretë që e sheh  “armikun” në horizont janë: avokatët dhe noterët e pronësisë intelektuale dhe fizike (47%), sekretaret e spitaleve dhe pritjes së publikut (47%) si dhe gazetarët. Së fundmi, pak më larg, gjenden redaktorët e librave (45%), sekretarët mjekësorë (45%) dhe agjentët e pasurive të paluajtshme (45%). 

                Për të përforcuar saktësinë e studimit të saj, OpenAI e kreu këtë hulumtim në bashkëpunim me qindra ekspertë nga një gamë e gjerë profesionesh. Shumica  kishin një përvojë të gjerë në sektorët e tyre dhe vinin edhe nga kompani të mëdha në peizazhin ekonomik global, si psh Google, Microsoft, Boeing, McKinsey dhe Goldman Sachs.  

       Raporti i saj pohon po ashtu se inteligjenca artificiale kërcënon më shumë vendet e punës të grave se sa të burrave. Pasi punët e mbajtura tradicionalisht nga gratë janë më të ndjeshme ndaj ndikimit të inteligjencës artificiale (IA) sesa ato të mbajtura nga burrat, veçanërisht në vendet me të ardhura të larta. Megjithatë, duhet pohuar se profesionet e prekura nuk do të zhduken domosdoshmërisht

                  Ndërhyrja njerëzore do të jetë ende e nevojshme për shumë punë dhe mjeshtëri dhe rolet ka më shumë gjasa të ndryshohen sesa të eliminohen, nënvizohet në këtë raport. Siç thamë, punët në media, softuerë dhe financë do të jenë më të prekurat nga ky revolucion teknologjik.

                      “Ne theksojmë se një ekspozim i tillë nuk nënkupton automatizimin e menjëhershëm të një profesioni të tërë, por më tepër mundësinë që një pjesë e madhe e detyrave të tij aktuale të kryhen duke përdorur këtë teknologji”, thuhet në raport.

                       Autorët e tij u bëjnë thirrje qeverive, organizatave të punëdhënësve dhe sindikatave që të marrin në konsideratë se si mund të përdoret inteligjenca artificiale sidomos për të përmirësuar produktivitetin dhe cilësinë e punës dhe jo veç për shkurtimin e tyre.

                     Si përfundim do të shtonim se në kohën e sotme, për të siguruar bukën e gojës, duhet të jesh njëkohësisht intelektual, por edhe manual. Dmth mund të jesh inxhinjer, bankier, mjek, nëpunës, por njëkohësisht është e domosdoshme të zotërosh edhe ndonjë mjeshtëri, zanat, si psh elektriçist, hidraulik, mekanik etj etj.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment