Humbja e Albinit është humbje edhe për Kosovën

   Ja ngjau edhe ajo që shumëkush, sa në Kosovë aq edhe në Shqipëri, e dëshironte. Vetvendosja nuk e formoi dot qeverinë. Zgjedhjet e ardhshme duken në prag. Por këto zgjedhje a do zgjidhin gjë ?!

    Sepse në rast se Vetvendosja nuk i bëri dot 61 vota që i nevojiteshin për të formuar qeverinë, opozita mund t’i bëjë. Mjafton që të lënë mënjanë luftërat personale për pushtet dhe të mendojnë për ardhmërinë dhe stabilitetin e vendit. Dhe atëhere nuk do ketë nevojë për zgjedhje të tjera.

   Se asgjë sot nuk është e sigurt. Një ditë të bukur Beogradi mund t’i përmirësojë marrëdhëniet me Uashingtonin, qoftë duke i ofruar edhe minierat e litiumit që gjenden në Serbi. Dhe fare mirë Trump atëhere mund ta lejojë Serbinë të rivëjë në zotërim komunat me shumicë serbe atje, si dhe Trepçën dhe Ujmanin! Kush do ia mbajë dorën ?!

      Pa dyshim që Albin Kurti ka përgjegjësinë e tij për gjendjen e sotme. Këmbëngulja e tij e paparë dhe e pallogjikshme për të zgjedhur medoemos Albulena Haxhiun si kryetare të parlamentit la shumëkënd të çuditur.

     Pse Kurti nuk u tregua më tolerant dhe i përgjegjshëm ?! Pse nuk pranoi Fatmir Limajn si kryetar të parlamentit ?! Çfarë pune i prishte, veçse që forconte demokracinë shumëpartiake në Kosovë ?! Pse medoemos ai duhej të kishte të gjitha pushtetet, kur nuk kishte fituar shumicën e cilësuar në Kuvend, pra 61 deputetë ?!

     Demokracia është dialog, bashkëpunim, tolerance, mirëkuptim. Aq shumë e kishte humbur ndjenjën e realitetit kryeministri I Kosovës saqë nuk e kuptonte se me kokëfortësinë e tij po e dëmtonte Kosovën, në vend që ta forconte?!

     Pa dyshim që sot shumëkush mund të mendojë dhe pohojë se Albini ka shumë të mira brenda vetes, por duket se i mungon formimi demokratik ?! Ai është i pakorruptueshëm, i aftë për të bërë shtet, nacionalist i vyer etj etj, Por duhet të jetë edhe politikan! Se sot nuk jemi më në kohën e Enver Hoxhës, kur e merr pushtetin një herë dhe nuk e lëshon më!

      Si pasojë Albin Kurti e futi Kosovën, me dashje apo pa dashje, në një ngërç institucional. Ai krijoi po ashtu shumë armiq brenda dhe jashtë vendit. Politikën e tij sovraniste, sikur Kosova të ishte një shtet dhjetra milionësh, nuk e pranuan në rradhë të pare në Uashington dhe në Bruksel,  kryeqëndrat e Perëndimit që e çliruan Kosovë nnga çizmja serbe. Por edhe në Tiranë. Megjithëse në këtë rastin e fundit nuk ishte faji i tij, por i kryeministrit të Shqipërisë.

        Po tani ç’do bëhet?! Kjo është pyetja që ka mbetur në ajër pa asnjë përgjigje. Ndërkohë që hamëndjet, spekullimet dhe supozimet nuk mbarojnë. Ndofta më e mira do të ishte që Kurti të largohej nga pushteti. Të paktën për 4 vitet e ardhshme.

        Le ta marrin pushtetin LDK-ja, PDK-ja, Nisma Limaj, Haradinaj etj. Le të bashkohen po të duan, siç vjen edhe rekomandimi nga Tirana, edhe me Listën Serbe dhe atë të bashkësive të tjera.  Formohet kështu një shumicë parlamentare prej 72 deputetësh, 11 më shumë se sa e kërkon Kushtetuta për formimin e një qeverie.

       Por partitë shqiptare që nuk lanë gur pa lëvizur për ta rrëzuar qeverinë Kurti, duket se nuk duan të bashkohen me njëra tjetrën. Qoftë për arsye të egos personale, qoftë edhe për shkaqe politike. Çdokush nga ato ëndërron për fitore absolute.

        Por qënia në qeveri ka edhe pasoja : Se do të duhet të aprovosh atë që ndërkombëtarët e kërkojnë me ngulm : formimin e një republike serbe brenda Kosovës ! Si në rastin e Bosnjës. 10 komunat serbe që duhet të kenë përfaqësuesin e tyre në bisedimet me Prishtinën, Beogradin dhe botën e jashtme. Siç është vendosur në takimin e Ohrit 3 vite më parë !

       Dhe ato që nuk i lanë gjë pa thënë Kurtit, që sipas tyre i ka prishur marrëdhëniet me ndërkombëtarët, tani do të gjenden para një zgjedhjeje hamletiane :  Do e prishin me popullin e tyre dhe do e rregullojnë me ndërkombëtarët, (nëse pranojnë Zajednicên) apo e anasjellta?! Ndryshe kësaj i thonë tërhiq e mos e këput.

       Por Kosova sot ka nevojë për guximtarë dhe vizionarë.Për njerëz që kanë guximin të thonë “jo”, por edhe që dinë të marrin vendime të rrezikshme! A i kanë partitë opozitare në Kosovë udhëheqës me këto cilësi?! Koha do ta tregojë?! Por njëkohësisht koha nuk pret më.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment