Çfarë makine të përdorur duhet të blini

            Për ata që kërkojnë një makinë të përdorur me çmim të përballueshëm që nuk do të prishet që në kilometrat e para, ia vlen të hedhin një sy studimit më të fundit nga Warranty-wise. Specialisti britanik i garancisë së makinave tê përdorura sapo ka analizuar se cilat vetura (midis tetë dhe dymbëdhjetë vjeçare) janë më të besueshmet. 

            E para gjë që bie në sy është se janë makinat aziatike që zënë vendin e parë për qëndrueshmëri si dhe për kosto të ulta riparimi. Edhe makinat gjermane si Benz apo Audi janë rezistente, por çmimi i riparimit të tyre është relativisht i lartë.Po e fillojmë renditjen nga numri i pestë deri te njëshi: 

5. Mitsubishi Outlander PHEV

Indeksi i besueshmërisë: 85.9 – Çmimi nga 8,100 € – Kostoja mesatare e riparimeve: 1,390 € – Kostoja maksimale e vëzhguar: 11,000 €

          Outlander plug-in hibrid ofron si hapësirë ​​ashtu edhe konsum të ulët karburanti, veçanërisht për ata që ngasin shumë në qytet. Megjithatë, kini kujdes: ndërsa kostot mesatare të riparimit mbeten të arsyeshme, disa avari mund të jenë shumë të shtrenjta. Një pronar madje mori një faturë prej mbi 11,000 eurosh.

            Sipas Warranty-wise, kjo vërteton se edhe makinat me reputacion për besueshmëri mund të kenë kosto të konsiderueshme nëse ndodh një problem serioz.

4. Suzuki Swift

Indeksi i besueshmërisë: 86.5 – Çmimi nga 4,600 € – Kostoja mesatare e riparimeve: 960 € – Kostoja maksimale e vëzhguar: 4,600 €

            Gjenerata e dytë e kësaj makine japoneze për të udhëtuar kryesisht në qytet (e prodhuar midis viteve 2010 dhe 2017) është e njohur për qëndrueshmërinë e saj. Riparimet janë të rralla dhe në përgjithësi të lira. Megjithatë, një kërkesë arriti në të njëjtën shumë sa çmimi i blerjes së makinës. Për ata që kërkojnë një makinë të vogël të thjeshtë dhe të besueshme, kjo është një zgjedhje e shkëlqyer.

3.Honda CR-V

             Indeksi i besueshmërisë: 89.0 – Çmimi nga 9,300 € – Kostoja mesatare e riparimeve: 1,200 € – Kostoja maksimale e vëzhguar: 4,300 €

         CR-V i gjeneratës së katërt (2012-2018) është SUV-i (me 4 rrotat motrike) ideal familjar. I gjerë, praktik dhe i besueshëm, rrallë ka pasur një kërkesë garancie në pesë vitet e fundit, dhe kostot mesatare të riparimit mbeten pak mbi 1,000 euro. Për ata që kërkojnë një SUV të besueshëm pa shpenzuar shumë, kjo është një zgjedhje e mirë. Sidomos në terrenin malor shqiptar- do të shtonim.

 2. Honda Civic

Indeksi i besueshmërisë: 93.0 – Çmimi nga 9,300 € – Kostoja mesatare e riparimeve: 900 € – Kostoja maksimale e vëzhguar: 4,800 €

         Honda Civic i gjeneratës së nëntë (2012-2017) është i vetmi model kompakt, por që merr rezultate të larta në të gjitha aspektet. Me pak avari dhe kosto relativisht të ulëta riparimi, është një makinë e besueshme dhe e gjithanshme. Një Civic i vitit 2015 me më pak se 100,000 km kushton rreth 9,000 euro.

 1. Ja dhe kampionia: Toyota Yaris

Indeksi i besueshmërisë: 93.6 – Çmimi nga 6,300 € – Kostoja mesatare e riparimeve: 760 € – Kostoja maksimale e vëzhguar: 2,700 €

          Siç pritej, Toyota Yaris fiton çmimin e parë. Kjo gjeneratë e tretë, e prodhuar gjatë viteve 2011-2020 është një shembull i shkëlqyer i fortësisë dhe besueshmërisë. Mund të gjeni një model dhjetëvjeçar për pak më shumë se 6,000 euro. Pjesët rrallë dështojnë, dhe kur ndodh kjo, kostot mbeten të kufizuara. Sipas Warranty-wise, Yaris “vazhdimisht merr rezultate të larta për besueshmërinë dhe vlerën për paratë”.

          Tani ju e dini se çfarë veture të përdorur mund të bleni. Por nëse jeni i shoqëruar edhe nga ndonjë garazhist – mekanik, zgjedhja do tê jetë edhe më e sigurt.

v.gj.

Lini një koment