Pse nuk bëhet Shqipëria ?!

       Është kjo një pyetje që e ndesh rëndom nëpër bisedat publike si dhe në media. Dhe përgjigjet janë nga më të ndryshmet dhe të pabesueshmet. Gishti tregues drejtohet herë nga politika, herë nga Zogu, herë nga Enver Hoxha, nga Sali Berisha etj. Kjo të kujton padashur atë gazmoren e humoristit të famshëm nga Gjirokastra, Luftar Pajës : « Po hajduti nuk paska faj fare ?! ».

      Sepse që nuk bëhet Shqipëria duhet gjetur përgjegjësia dhe hedhur vështrimi edhe drejt nesh si popull. Pra drejt shqiptarëve vetë ! Dikur Faik Konica është shprehur : « Tani që bëmë Shqipërinë, le të bëjmë edhe shqiptarët » !

      Se rilindasit e asaj kohe e njihnin, ndofta edhe më mirë se ne, shpirtin e popullit tonë. Karakter që nuk ka ndryshuar pothuajse fare as sot. Korrupsion i përhapur, vënia e interesit personal mbi atë të përgjithshëm, deri kombëtar. Prirje për krim, urrejtje për punën dhe paranë e fituar me djersën e ballit etj etj.

       Mjafton të vëresh sot numrin e madh të vrasjeve brenda vendit. Vrasje për një shikim, për një fjalë goje, për një vijë uji! Pa folur këtu për ligjin e gjakmarrjes së rilindur. Po sikur të flisnim pak për krimin e organizuar. Për vrasjet dhe grabitjet e çdo dite ?! Apo për ato jashtë vendit?!

      Nga fillimi i viteve 1990 u shquam në Europë për trafikimin e femrave. Qoftë ato vendase, deri edhe to nga vendet e ish-Europës Lindore. Gjendja arriti deri aty saqë prindërit kishin frikë t’i çonin vajzat në gjimnaz, se bandat e kriminelëve mund t’i rrëmbenin në mes të ditës dhe sheshit dhe t’i nisnin si prostituta në Itali!

      Sot jemi « specializuar” në trafikun e drogës. I kemi shtrirë kthetrat që nga Amerika Latine deri në veriun e Europës, në portet e Anversit, Roterdamit, Hamburgut etj. Kemi vënë nën « zotërim » edhe tregun e drogës në kryeqytetin e Anglisë, ku « çunat e Londrës » janë shumë aktivë ! Jemi po ashtu aktivë edhe në Bruksel ku kemi filluar të vrasim edhe njëri tjetrin !

        Lexoni po të doni librin « Kanuni » të prokurorit të njohur belg, Mishel Claise ! Një përmbledhje të të cilit mund ta lexoni disa shkrime më poshtë po në këtë blog ! Se besoj se filmin « Taken » e kanë parë të gjithë.

       Sot masmediat e botës mbarë dhanë një deklaratë të fituesit të çmimit Nobel në ekonomi, Joel Mokyr, i cili u shpreh se më shumë se çmimi Nobël e ka gëzuar lirimi i pengjeve izraelitë nga Hamasi. Dhe ai fitoi 1 million dollarë nga ky çmim! Por jo. Nobelistit izraelit, i lindur në Hollandê, nuk i kanë bërë aq përshtypje këto para sa lirimi i 20 bashkatdhetarëve të tij të mbetur gjallë, pas grabitjes së tyre më 7 tetor të vitit 2023. Dhe ky shkencëtar jeton prej 50 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës !

          Ndërkohë kam qënë po ashtu dëshmitar i shpërthimit në lot të një prezantuesi televiziv franko/ çifut, kur mori vesh se një fëmijë i vogël, nga ata të rrëmbyerit, i quajtur Bibi kishte vdekur. Prezantuesi televiziv nuk e kishte dëgjuar më parë emrin e kësaj fëmije. Dhe as e kishte të afërm. Por vetëm fakti se ai ishte çifut si vetë prezantuesi, ishte i mjaftueshëm që ai të shpërthente në lot.

         Ndërsa për veten tonë ne tregojmë shpesh herë historinë e peshkut të artë! Për ata që s’e dinë: (Dy shokë po gjuanin peshk. Njëri prej tyre kapi një peshk të vogël të shndërritshëm dhe e hodhi në shportën ku kishte edhe peshq të tjerë. Shoku i tij e pa dhe i tha:”Gjynah. Hidhe në ujë se është i vogël. Ai nuk të ngop ty”! Dhe shoku u bind dhe e hodhi peshkun e vogël në det. Sapo ra në ujë peshku I vogël nxorri kokën dhe tha: Faleminderit shumë për mirësinë tuaj. Tani çdo njeri nga ju ka të drejtë të më bëjë tre kërkesa se çfarë dëshiron më shumë: I pari foli ai që kishte zënë peshkun: Dua një shtëpi të madhe! Një shtëpi për ty, dy për mikun tënd, – u përgjigj peshku. Dua një qese me flori, – vazhdoi peshkatari i parë. Një qese për ty dhe dy për shokun tënd, – u përgjigj peshku i artë. Atëhere peshkatari i parë i skuqur në fytyrë dhe duke iu marrë fryma tha : Më hiq një sy !…

      Ja pra kështu përfundon historia e treguar nga shqiptarët për shqiptarët. Ka edhe shumë shembuj të tjerë si ai me nobelistin çifut që dëshmojnë një ndërgjegje të lartë individuale dhe një civilizim si komb.

      Rastet kur një minister jep dorëheqjen se ka ngrënë një darkë  duke paguar me kartën e shpenzimeve publike si politikan dhe jo me atë personale, –  janë pa mbarim. Pa folur këtu për plagjiatura apo gënjeshtra të zbuluara rastësisht! Ndërsa në Shqipëri ai që ka vrarë njerëz në boulevard, që është përpjekur ta fusë vendin në luftë civile, që ka shkatërruar nga themeli një vend të tërë, vazhdon prej 34 vitesh të mbetet në krye të opozitës dhe partisë së tij! Dhe votohet në pothuajse në të gjitha zgjedhjet nga afër 500 mijë njerëz! Shumë afër me shumicën që fiton + –  me 800 mijë vota! Atëhere çfarë doni më shumë?!

      Si përfundim do të thonim se pa dashur njëri – tjetrin, pa vënë interesin e përgjithshëm mbi atë personal, pa qënë të ndershëm dhe të drejtë – nuk do bëhet kurrë Shqipëria. Ky është edhe morali i këtij shkrimi. Si dhe dallimi midis shqiptarëve dhe çifutëve!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment