Një tubim që thellon përçarjen kombëtare

        Sot në Tiranë do të organizohet një tubim mbarëkombëtar në mbrojtje të komandantëve të UÇK-së, që po mbahen tash e 5 vjet në burgun e Hagës. Është kjo një nismë që duhet përshëndetur. Pasi lufta e UCK-së për çlirim nga çizmja serbe mbetet një nga faqet më të lavdishme në historinë e kombit shqiptar. Dhe siç ka deklaruar edhe ish – presidenti Alfred Moisiu, pjesëmarrës në këtë manifestim, kombi shqiptar ka bërë tri luftra gjatë historisë së tij : lufta e Skënderbeut, ajo Nacional/Çlirimtare dhe kjo e UÇK-së.

          Deri këtu të gjithë shqiptarët janë të një mëndjeje. Por djalli fshihet në detaje : thotë një fjalë e njohur. Pa asnjë dyshim që udhëheqësit e UÇK-së mbahen të arrestuar padrejtësisht në Hagë Ata veçse kanë luftuar, krahas forcave të NATO-s, për çlirimin e vendit të tyre. Akuza se ata kanë kryer krime lufte është e pabazë dhe jo llogjike. Se përgjatë çdo lufte kryhen krime. Me dashje apo pa dashje. Se nuk ka luftë të pastër. Sa bashkëpunëtorë të pushtuesit hitlerian janë pushkatuar me dhe pa gjyq në Francë, Hollandë dhe ngado ? Sa njerëz të pafajshëm, fëmijë, pleq dhe gra kanë vdekur gjatë bombardimeve, qoftë gjatë Luftës së Dytë Botërore, qoftë sot në Libi, në Siri, në Gaza etj ?!

             Problemi është se organizimi i këtij manifestimi fsheh pas vetes disa qëndrime djallëzore. Thënë shkurt dhe qartë ai është një përpjekje për të kundërvënë UÇK-në me lëvizjen Vetvendosje.        

             Dihet se marrëdhëniet ndërmjet Edi Ramës dhe Albin Kurtit janë në pikën më të ulët. Për të mos thënë armiqësore. Dhe shkaku për këtë gjendje duhet kërkuar, sipas mendimit tim, te kryeministri i Shqipërisë.

           Ishte ai, bashkë me ish presidentin e Kosovës, Thaçi dhe ish kryeministrat e LDK-së etj që ngulnin këmbë në ngritjen e Gjykatës Speciale Ndërkombëtare, që ka kapur sot prej fyti Thaçin me shokë. Albin Kurti ka qënë gjithmonë kundër futjes së hundëve të ndërkombëtarëve në çështjet e Kosovës.

         « Na çliruat?! Faleminderit shumë. Do u jemi mirënjohës përjetësisht. Por na lini tani të ecim me këmbët tona”! Kjo ka qënë dhe mbetet politika e Kurtit ndaj ndërkombëtarëve. Krejt e kundërt me atë të Ramës. Sepse edhe situatat janë të ndryshme.      

       Rama mbahet mend po ashtu edhe si një përkrahës i fuqishëm i nismës serbe të “Ballkanit të Hapur”, një projekt ky i ngjashëm me atë të Bashkimin Europian. Ku 6 vendet e Ballkanit do të bënin tregti dhe do shkëmbenin mallra me njëri – tjetrin pa pengesa doganore. Por një nismë e tillë ishte paraparë edhe në projektin e Berlinit dhe prandaj nuk kishte nevojë të përsëritej. Rama u detyrua të tërhiqej përkohësisht.

        Kryeministri shqiptar u tregua po ashtu mbështetës i vendosur edhe i krijimit të një bashkësie të komunave serbe në Kosovë, i njohur me termin serb si “Zajednica”. Një projekt ky që krijonte një entitet politik serb brenda shtetit të Kosovës. Me një fjalë një farë Republika Srbska  nr 2.

        Pa u konsultuar më parë me kryeministrin e Kosovës, Rama i dërgoi një platformë rreth zgjidhjes së këtij problemi presidentit francez Macron. Po ashtu ai nuk përtoi të merrte helikopterin dhe të shkonte në Prishtinë për tu bërë presion politikanëve të atjeshëm për të pranuar ngritjen e “Gjykatës Speciale”.

         Pa dyshim që Rama ka folur me forcë edhe për nevojën e njohjes së pavarësisë së Kosovës sa në forumet ndërkombëtare, aq edhe në vetë kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

         Dhe po ashtu pa asnjë diskutim që të gjithë shqiptarët e trojeve etnike duhet të marrin pjesë në këtë demonstratë. Por duket se « lufta » sot ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës po bëhet tani për të treguar se kush është më tepër UCK?! Prandaj kanë plasur edhe debatet ndërmjet Kurtit me Ramën.

         E mira do ishte që si Rama ashtu edhe Kurti të merrnin pjesë bashkarisht dhe krah për krah në këtë tubim. Që të mos vërtetohej ajo shprehja e mbrapshtë që shqiponja e flamurit ka dy krena, por që shikojnë në drejtime të ndryshme.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment