Ukraina ka nevojë edhe për 51 miliardë euro të tjera

       Vitin e ardhshëm, Ukrainës do t’i duhen më shumë para se kurrë më parë për të mbështetur përpjekjet e saj në luftën kundër Rusisë. Kështu ka deklaruar ministri i saj i mbrojtjes. Denys Shmyhal, paralajmëron se pa një buxhet prej 103 miliardë eurosh, Kievi do të humbasë territor dhe shumë ushtarë në luftën e tij ndaj ushtrisë ruse. 

        Sipas ministrit të saj, Ukrainës i duhen të paktën 120 miliardë dollarë (103 miliardë euro) deri në vitin 2026. Kështu u shpreh ai dje, e mërkurë 15 tetor, pas një takimi në selinë e NATO-s në Bruksel, bazuar në një llogaritje, sipas tij, mjaft e thjeshtë. “Rusia shpenzon rreth 150 miliardë dollarë në vit për të financuar objektivat e saj ushtarake. Rregullat e ekonomisë së luftës diktojnë që nëse shpenzon më pak se armiku, paguan me jetë njerëzore dhe territor. Pra, ne duhet të ruajmë një ekuilibër. Si rrjedhim, ne duhet të shpenzojmë të paktën 120 miliardë dollarë deri në vitin 2026.”

          Problemi është se Ukraina nuk i ka këto para që ua kërkon aleatëve. Denys Shmyhal pohon se Ukraina mund të mbledhëvetëm gjysmën e kësaj shume. “Ne mund të mbledhim 60 miliardë dollarë (51.5 miliardë euro) përmes taksave. Çdo dollar i të ardhurave tona tatimore do të shpenzohet për mbrojtje. Por pjesa tjetër do të duhet të financohet nga partnerët tanë” – pohon ai.

          Duke cituar programin PURL (Lista e Kërkesave të Prioriteteve për Ukrainën), të nënshkruar nga NATO në korrik, kjo marrëveshje përcakton që aleatët evropianë do të blejnë armë amerikane dhe më pas do t’ia furnizojnë ato Ukrainës. Chmyhal shpreson gjithashtu që ky program të shndërrohet në një “mega-marrëveshje” gjatë takimit midis Trump dhe Zelensky këtë të premte, pra nesër më 17 tetor. “Jam i bindur se mund të gjendet një kompromis për këtë çështje midis dy presidentëve”, pohoi ministri.

               Kjo pikë është më pak shqetësuese për Shmyhal, i cili siguron se “ne do të gjejmë burime financimi” që i përshtaten të gjithëve. Ai e ka fjalën veçanërisht te kreditë e mbuluara nga asetet e ngrira ruse. Këto fonde do të shpërndahen më pas midis aleatëve evropianë dhe prodhuesve të armëve që mbështesin Ukrainën, tha ai. Por çfarë janë këto “kredi të mbuluara”? Janë thjesht para ruse që gjenden të bllokuara në bankat perëndimore.

         Deri dje, vetëm gjashtë vende ishin bashkuar me programin PURL: Holanda, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Kanadaja dhe Gjermania. Në takimin e djeshëm të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, dhjetë vende të tjera thuhet se iu bashkuan aleancës, pas presionit nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth”.

“Një total prej 20 shtetesh anëtare janë regjistruar”, citohet të ketë thënë ministri suedez i Mbrojtjes, Pål Jonson. Megjithatë numri i saktë i vendeve të përfshira nuk është njoftuar ende zyrtarisht dhe për këtë arsye mbetet i pasigurt. Anëtarët e rinj përfshijnë Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Slloveninë, Finlandën, Islandën dhe Luksemburgun.

        Deri më tani, programi PURL nuk ka marrë shumë fonde. Plani i parë u financua nga Holanda. I dyti nga Suedia, Danimarka dhe Norvegjia. Gjermania kontribuoi në planin e tretë, ndërsa Kanadaja mori përsipër të katërtin. Dje, Berlini shtoi dy miliardë euro ndihmë shtesë.

       Ndërsa lista e vendeve pjesëmarrëse rritet, po rritet njëkohësisht edhe presioni mbi vendet më të mëdha, që ende nuk marrin pjesë në këtë plan si Mbretëria e Bashkuar, Italia, Spanja dhe Franca, për të kontribuar gjithashtu në program. “Edhe më shumë vende pritet të dhurojnë dhe të blejnë më shumë për të ndihmuar Ukrainën dhe për t’i dhënë fund konfliktit”, tha Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth. “Është koha për të përshpejtuar ritmin sepse Ukrainës i duhet më shumë, jo më pak, fuqi zjarri për të qëndruar e palëkundur.” – shtoi ai.

       Të dhënat mbi ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën, të bëra të ditura nga Instituti Gjerman i Kielit, tregojnë se kjo ndihmë ra me 43% në korrik dhe gusht krahasuar me gjysmën e parë të vitit. Kjo rënie përkon me përpjekjen e Donald Trump për t’u afruar me Moskën, veçanërisht gjatë samitit me Vladimir Putinin në Alaska.

        Përveç ndihmës ushtarake, humanitare dhe financiare të ofruar nga vendet perëndimore, thuhet se Donald Trump po punon edhe për një “fond fitoreje” për Ukrainën. Këtë herë, në mënyrë paradoksale, ai do të financohet nga Kina(!), një aleate e ngushtë kjo e Moskës.    

          Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, pretendon se 85 senatorë janë të gatshëm të mbështesin presidentin amerikan në vendosjen e tarifave ndaj Kinës, të cilat mund të shkojnë deri në 500%. Shkaku është se Pekini blen naftë ruse. “Këto para që do fitohen nga këto taksa ka mundësi që t’i ofrohen Ukrainës, – pohojnë specialistët. Presioni amerikan është i tillë saqë thuhet se edhe India ka kumtuar sot se edhe ajo do të ndërpresë importin e naftës nga Rusia!

        Trump bëri një “propozim” të ngjashëm edhe një muaj më parë. Por kjo duhet parë edhe si një pjesë e strategjisë së tij më të gjerë të luftës tregtare kundër Kinës, dhe jo veçse si një ndihmë vërtet e përkushtuar për Ukrainën.

         Ide të ngjashme për të ndihmuar me para dhe armë Ukrainën vijnë tani edhe nga Belgjika dhe Gjermania.  Politikani belg Wouter Beke, dëshiron të ngrihet një fond i ri mbarëuropian prej 150 miliardë eurosh.  Deputeti belg bën thirrje për 50 miliardë euro për blerje ushtarake për të mbështetur forcat e armatosura ukrainase, 50 miliardë euro për projekte mbarëevropiane të mbrojtjes dhe 50 miliardë euro shtesë për të mbështetur ekonominë ukrainase.

            Po ashtu kancelari gjerman, Friedrich Merz, njoftoi sot se edhe ai do të propozojë një plan për t’i dhënë Ukrainës një hua prej 140 miliardë eurosh, të mbështetur në asetet ruse, gjatë një samiti të Bashkimit Europian që do mbahet javën e ardhshme.                  

             Duke folur para deputetëve gjermanë, ai bëri thirrje për përdorimin e aseteve të Bankës Qendrore Ruse, të ngrira që nga agresioni rus i shkurtit 2022, për t’i dhënë Ukrainës “një total prej 140 miliardë eurosh në kredi pa interes”, të cilat do të përdoren ekskluzivisht për të financuar përpjekjet e saj të luftës. “Të shpërndara në këste, këto kredi do të garantojnë qëndrueshmërinë ushtarake të Ukrainës për vitet që vijnë, nëse është e nevojshme”, theksoi kancelari në një fjalim mbajtur para  Bundestagut, lidhur me samitin e 22-24 tetorit.

          Por këtu ka një problem ligjor, juridik dhe politik që prej tri vitesh e gjysëm nuk po gjen zgjidhje. Vendet e BE-së vazhdojnë ende të diskutojnë nëse duhet t’i përdorin dhe si fondet prej 210 miliardë eurosh të bankës qendrore ruse, “të ngrira” nga sanksionet e BE-së. Evropianët nuk duan t’i përdorin ato drejtpërdrejt, nga frika e një precedenti që do të minonte besimin në euro dhe do të rrezikonte asetet evropiane jashtë vendit. Por sipas kancelarit Merz, këto para ruse do t’i ofrohen Ukrainës në formë kredie dhe Kievi do të duhet t’i shlyejë këto kredi vetëm pasi të ketë përfituar dëmshpërblimet nga Kremlini për shkatërrimet dhe dëmet e pësuara gjatë këtij agresioni. Dhe vetëm atëherë Rusia do të jetë në gjendje t’i marrë paratë e saj mbrapsht.

        Ky plan është në përputhje me atë të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila kishte lançuar edhe ajo idenë e një kredie për Ukrainën mbështetur në paratë ruse, e cila do të shlyhej vetëm pas pagesës së dëmshpërblimeve.

         Bëhet fjalë për rreth 210 miliardë euro nga asetet e bankës qendrore ruse që  janë të bllokuara nga BE-ja. Një pjesë e madhe e këtyre aseteve, rreth 185 miliardë euro, kanë skaduar ose do të skadojnë këtë vit dhe për këtë arsye janë të disponueshme në formë cash-i, sipas një dokumenti të Komisionit Europian. 

        Pyetja është nëse Bashkimi Europian do të guxojë t’i përdorë këto para, pra që t’ia ofrojë Ukrainës?i Përgjigja mund të vijë në ditët në vijim. Ajo që dihet është se Ukraina ka nevojë urgjente për para të tjera që t’i bëjë ballë agresionit rus.

v.gj.

Lini një koment