Si spjegohet nostalgjia për Enver Hoxhën?!

           Mjafton të lexosh komentet e njerëzve nëpër gazetat e kohës dhe arrin menjëherë në përfundimin se njerëzit sot janë përsëri të pakënaqur. Shumica edhe të zhgënjyer. Të pakënaqur dhe të zhgënjyer nga sistemi i sotëm. Po a kanë të drejtë?! Sepse kësaj i thonë një zhgënjim pas një tjetri.    

          Se njerëzit ishin tejet të zhgënjyer edhe në fillimvitet 1990. Kur edhe e rrëzuan përmendoren e diktatorit Enver Hoxha. Madje edhe e tërhoqën zvarrë. Dhe askush nuk doli atëhere për ta mbrojtur “Arkitektin”. Në rast se përjashtojmë këtu disa të rrjedhur që formuan organizatën e “Vullnetarëve të Enverit”! Demonstratat në Qytetin Studenti aso kohe ishin tregues i atij zhgënjimi të studentëve dhe shumicës së popullit ndaj 45 viteve të sundimit të partisë unike në pushtet. 

          Se me të vërtetë që Shqipëria u çlirua më 29 Nëntor 1944, por vendin e pushtuesve nazi/fashistë duket sikur e zunë komunistët vendas. Aq sa ngjante sikur veçse kishte ndërruar pushtuesi.  Në fakt PPSH-ja me anëtarët e saj filluan të vendosnin për gjithçka në Shqipëri. Ku do punonje, ku do banonje, çfarë shkolle do ndiqnje, si duhet të visheshe,  madje edhe si duhet të mendonje që të mos binje pre e ligjit famëkeq 55 të agjitacionit dhe propagandës.    

          Gjithçka ishte në dorë të Partisë së Punës. Njeriu ishte vetëm një vidë, një lloj ingranazhi pa asnjë rëndësi apo personaliteti në mokrën e stërmadhe të shtetit komunist.            

          Dhe pak nga pak shpresa vdiq. Njerëzit filluan të bindeshin veçse nga frika. Se siç ngjan në të gjitha vendet diktatoriale, ku edhe muret kanë veshë.

          Sot njerëzit janë vërtet të lirë. Kanë disa liri që dikur as mund të përfytyroheshin. Në rradhë të parë ata janë pronarë të jetës së tyre. Askush nuk mund të vendosë sot për ta. Sot ti mund të banosh ku të duash në Shqipëri, por mund të udhëtosh edhe anë e mbanë botës. Madje një pjesë jo e vogël e shqiptarëve, afërsisht gjysma e popullatës janë larguar përfundimisht nga vendi dhe kanë ndërtuar një jetë të re në vendet perëndimore.

          Tani nuk bëhet më fjalë për lirinë e shprehjes. Mund të thash çfarë të duash pa pasur frikë se e ke “shkelur” diku dhe miku yt më i mirë mund të të denoncojë në polici.

          Në këto kushte njerëzit duhet të ishin tejet të kënaqur. Por nuk është kështu. Duket sikur një tis nostalgjie ka pushtuar shpirtrat jo vetëm të atyre që e kanë pasë jetuar atë kohë, por edhe te fëmijët dhe nipërit e tyre.

          “Liri do të thotë përgjegjësi” ka thënë para afro një shekulli dramaturgu i njohur gjerman Berthold Brecht. Ndërsa komiku i famshëm francez Coluche, dikur pat thënë: “Doni të njihni ndryshimin midis kapitalizmit dhe komunizmit?! Në komunizëm të thonë: Mbylle gojën se të piu e zeza. Në kapitalizëm: llap sa të duash se nuk ta var njeri”!

            Ndryshe sot je me të vërtetë i lirë, por njëkohësisht asnjeri sot nuk kujdeset për ty. Sidomos shteti. Ti mund të bëhesh milioner apo mund të vdesësh rrugëve si një qen, dhe askush nuk do t’ia dijë për ty. Që t’i biem shkurt dhe drejt: “Zhgënjimi nuk ka të bëjë me demokracinë si sistem, por me keqpërdorimin e saj”. Askush nuk do sot rikthimin e pushtetit të Enver Hoxhës, por rikthimin e gjërave të mira që kishte ai sistem. Siç ishte psh barazia. Mjeku, sportisti, artisti, oficeri etj etj kishin afërsisht të ardhura të barabarta që nuk e kalonin kurrsesi raportin 1 me 2. Shëndetësia dhe arsimi ishin falas. Dhe flitej për një arsim cilësor dhe një shëndetësi që u shërbente njerëzve deri në skajet më të largëta të vendit.

              Një komentues shkruante sot 16 tetor, (117 vjetori i lindjes së Enver Hoxhës) në një të përditshme në web:”S’kane cfare bejne dhe s’dine cfare te thone keta debila, ai brez beri luften dhe ndertoi shqiperine dhe i dha popullit dhe kombit tone gjithandej dinjitet. Sot e 35 vite keta vjedhin dhe shkaterrojn gjithcka duke share Enver Hoxhen dhe sistemin e tij, por harrojn se nuk kane sjelle demokraci por arrogance, harbuteri, kriminalitet dhe drejtojn vrasjet mafioze politike. Kane vrare me shume se ai sistem dhe i kane bere deme shume te medha shqiperise dhe e kane cuar dinjitetin kombetar sa me poshte nuk ka me. I ka mbetur akoma dhe ca yndyre shqiperise per ta vjedhur, nga djersa dhe gjaku i popullit qe ndertoi shqiperine nen kujdesin e atij sistemi dhe ca hapsira per te bere pallate me shume kate, kane mbetur dhe ca pasuri natyrore per te vjedhur, keta jane ELITA bashkepronare e kompanise Bankers Petroleum, etj qe vjedhin dhe ndajn bashk me te te ardhurat prej saj! Tani pasi Bankersit e bashke me ta i ka dalur kallaja sheshit, nuk dine me cfare te bejne por sajojn evente me nderkombetarë, i vene flaken shqiperise, merren dhe e fillojn diten me DIELLA dhe e perfundojn me BIELLA se jane te pazot per te ndertuar, jane njerez pa ide, te pashkolluar, totalisht injorante dhe cdo dite na nxjerre ndonje DIELL aty, apo si në kete rastin e tanishem per Enver Hoxhen per ti terhequr vemendjen popullit per masakrat qe ka bere dhe bejne me korrupsionin marramendes ne te gjithe shqiperine, me drogen, krimin, papunesine, shpopullimin e shqiperise, krimet njerezore ku cdo dite vritet ndonje toge njerzish, etj. Per te gjitha keta jane autoret qe i dirigjojnë dhe ja japin gati grupeve kriminale per ti zbatuari, se i intereson nje situat e tille alarmant qe shkaterroi shqiperine dhe te vjedhine ate cfare ka mbetur. Mbajne Berishen akoma gjalle ne krye te PD, ku te gjitha mediat e tij dhe qeverise e japin ate cdo dite nga 1 ore duke pellitur per vjedhjet e PS po harron te tijat qe po ato qe bene PS e Rames dhe te dy palet vazhdojn akoma me mareveshje te fshehta ku Berisha mbane kepucen dhe Rama ngul gozhden.Pra te gjitha keto, behen per ti terhequr vemendjen popullit nga koncesionet ne pasurite natyrore minerare te naftes, gazit, kromit, bakrit, qe cdo dite ngarkohen trenat dhe vagonat qe i trasportojn jashte shqiperise si lende e pare drejte tregut boteror, me cmime sipas qefit qe ti heqin sa me pare se fal i kane dhe parat i depozitojn ne bankat ofshore, etj. Keta jane pikerishte keta rrugac qe kane mbushur parlamentin, politiken, qeverite dhe gjithe institucionet shteterore! Shqiperia e Enverit diktator ishte shume larte dhe as qe mund te krahasohet me kete ku e katandisen keta sot dhe na servirin mrekullin, kur ne se shikojm dot as me syze ku eshte ajo, por ajo ekziston vetem ne jeten e tyre familiare dhe ne bollek qe e kane krijuar duke vjedhur pasurine publike qe ndertoi dhe vuri ne sherbim te vendit Enver Hoxha, prandaj populli se harron ate “diktator” se diktatura e ketyre me emrin “demokraci” eshte shume me e hidhur dhe me kriminale se ajo qe lame pas!

          Te gjithe politikanet tane kane bere e bejne kariere ne kurriz te Enverit. Saliu i pari. Enveri nuk ishte as lapanjoz as i korruptuar, nuk ishte as tenderaxhi hajdut e as maniak pas pasurise. Enveri l, luftoi, punoi e vdiq si burre i vertete shteti. Keta politikanet e sotem jane e do te mbeten faqja e zeze e historise shqiptare”.

             Por ka edhe të tjerë që kanë një mendim ndryshe:”Duke vene ne dukje pislleqet e sotme doni me skuthllekun me te neveritshem te rehabilitoni vampirin Enver Bastardin qe e ktheu kete vend ne burg ku bente edhe ligjin edhe Maliqin. Nuk la shok te vetin pa e shpallur armik me paranojen e tij absurde. Me sistemin qe shpiku per te mbajtur pushtetin e vet ne pafundesi e ngordhi kete popull nga uria. Nqs burgu i Enverit do te kishte qene kaq i mire, perse me t’u dhene mundesia shqiptaret u versulen si turma kafshesh te egra nga deti e nga toka per ta braktisur “parajsen Enveriane?. Demokracia eshte dicka tjeter. Kjo e jona eshte si me i thene Derrit daje, por kjo nuk e ben as me te mire, e as me te bardhe Vampirin Bastard Enver Hoxha”.

          E çuditshmja është se kjo ndjenja e nostalgjisë për regjimin komunist nuk gjallon vetëm në Shqipëri, por kudo ku demokracia, si sundim i popullit dështoi. Kështu psh para pak ditësh stacioni i njohur televiziv LCI, (një lloj CNN francez) shfaqi një emision me titullin: “Rikthehet nostalgjia për Stalinin në Rusi”! Afërsisht të njëjtat simptoma si në Shqipëri. Njerëzit i kanë harruar krimet e atij regjimi dhe mbajnë mend vetëm të mirat. Saqë sot, sipas emisionit francez, në Rusi ekzistojnë mbi 180 statuja të Stalinit. Dhe të tjera janë duke u ngritur!    

              Edhe rusët kanë Sali Berishën e tyre, që quhej Boris Jelcin dhe që edhe ai e shkatërroi Rusinë me themel. Aq sa inflacioni vjetor në kohën e tij arriti në 1600 për qind”! Po ku Rusia e stërmadhe dhe ku Shqipëria e stërvogël!

              Si përfundim do të shkruanim se duket se vetëm liria nuk mjaftoka. Liria është edhe ligji kryesor i xhunglës. Por dhelpra dhe pulat kanë kuptime të ndryshme për lirinë! Ndryshe njerëzit kanë nevojë edhe për siguri, drejtësi e barazi. Të bëhesh i pasur me mashtrime, vjedhje, drogë, krim, korrupsion nuk i bën nder demokracisë. Përkundrazi. Një regjim i mbështetur në këto dukuri veç se ngjallka nostalgji për një sistem që vërtet ishte shtypës i lirive themelore, po ku shumica e njerëzve e ndjenin veten më të sigurt dhe më të mbrojtur se sot.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment