Instituti i njohur i vlerësimit të nivelit të universiteteve në botë, “Times Higher Education” shpalli sot, e enjte 9 tetor, rezultatet e anketimit të tij të përvitshëm rreth nivelit të mësimdhënies të universiteteve në mbarë botën. E vlerësuar ngado për cilësinë dhe paanshmërinë e hulumtimeve të tij, qoftë nga studentët, akademikët, qeveritë dhe ekspertët e industrisë, lista e universiteteve të mbikqyrura përfshin 2191 institucione të larta arsimore nga 115 vende dhe territore në botë.
Dhe siç pritej, Universiteti i Oksfordit u rendit përsëri i pari për të dhjetin vit rradhazi. E veçanta e tij, për të cilën edhe rifitoi vendin e parë, është cilësia e tij në fushën e kërkimeve shkencore sa ndër studentët aq edhe ndërmjet pedagogëve. Massachusetts Institute of Tachnology (MIT) u rradhit i dyti, ndërsa universiteti i Princetonit i treti.
Universitetet e Kinës njohën po ashtu një vlerësim në rritje edhe këtë vit. Ndër 40 universitetet e para në botë 5 janë kineze. India gjithashtu ka arritur një rekord të paparë këtë vit. Ajo renditetet direkt pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës për numrin e universiteteve të përfshira në këtë klasifikim. Cambridge, Harvard, Stanford, Yale etj bëjnë pjesë në 10-shen e universiteteve më të forta në botë. Në vendin e 11 renditet UniversitetI Teknik i Zurihut në Zvicër, ndërsa vendet e 12 dhe 13 i zejnë dy universitete të Pekinit.
Bie në sy po ashtu se vendin e 17 në këtë renditje botërore e zë universiteti i një vendi të vogël, por të përparuar si Singapori. Universiteti i Tokios dhe ai i Munihut renditen perkatësisht në vendin e 26 dhe 27.
Në këtë renditje botërore tërheq vëmendjen numri i madh i universiteteve amerikane. Jo më kot Amerika mban vendin e parë në lëmin e shpikjeve dhe inteligjencës artificiale në botë.
Ndryshe nga universitetet e vendeve të Azisë që vazhdojnë përparojnë pa u ndalur, jo e njëjta gjë mund të thuhet për ato europiane. Që ose kanë bërë vend-numëro ose kanë zbritur edhe më poshtë në këtë klasifikim ndëkombëtar. Me përjashtim, siç shkruam, të universiteteve britanike.
Renditja e “Times Higher Education” liston më shumë se 2000 universitete në rreth 100 vende. Kjo renditje bazohet në 18 tregues të performancës dhe rezultateve që shqyrtojnë mësimdhënien, kërkimin shkencor, transferimin e njohurive dhe ndikimin ndërkombëtar.
Fatkeqësisht universitetet emrabukur shqiptarë, si psh universiteti Europian, ai i Ballkanit Perëndimor etj nuk përfshihen në asnjë listë. Aq sa duket se as që janë marrë fare në konsideratë. Ndërkohë që Universiteti i Prishtinës apo edhe ai i Sarajevës renditen nga vendi i 1500 e poshtë. Ata të Serbisë nuk janë edhe shumë më mirë. Nga vendi i 1 200 e poshtë. Ndërkohë që universiteti i vendit afrikan të Ganës llogaritet andej nga vendi i 800!
Si spjegohet atëhere ky nivel kaq i dobët i universiteteve shqiptare në rang botëror?! Ndërkohë që pedagogët atje nuk rreshtin së kërkuari rroga më të larta. Që mundësisht tu afrohen atyre të vendeve europiane?!
Arsimi është një tregues themeltar i nivelit të çdo vendi. Te ne, qoftë në kohën e Zogut, qoftë në atë të Enverit, Shqipëria ka pasur një arsim serioz. Mësuesit, qoftë ata të fshatit, qoftë ata të shkollave të mesme apo instituteve të larta, adhuroheshin e respektoheshin. Sot është ndryshe. Jo vetëm që nuk ekziston disiplina dhe respekti, por edhe vetë arsimtarët apo pedagogët shohin veçse se si të marrin rrogën pa u lodhur!
Nuk thuhet kot se kur fillon e rrëshket ndalon veçse kur prek fundin.
v.gj.

Lini një koment