Ramës i pëlqejnë shumë udhëtimet jashtë vendit. Sidomos kur ftohet në kryeqytetet e vendeve perëndimore për tu takuar me të mëdhenjtë e kësaj bote.Ndofta në këto çaste ai mendon se është në vendin e duhur, por fati padrejtësisht e ka hedhur në një cep të globit që quhet Shqipëri!
Dhe sigurisht që kur takohet ose është takuar me Macronin, Merkelin, Xhonsonin, me kryetarët e Parlamentit dhe Komisionit Europian, ai përpiqet që të bjerë në sy. Herë me ndonjë batutë dhe herë me ndonjë zell të tepëruar.
Siç ngjau psh këto ditë kur ai u ftua në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhagen, për të marrë pjesë në samitin mbi sigurinë e Europës. Aq më shumë që kam bindjen se Rama deri tani nuk e kishte vizituar asnjëherë kryeqytetin e vendit të danezëve të sotëm dhe vikingëve të djeshëm! Ndofta kishte ngelur pa parë edhe statujën e sirenës së Andersenit, kuriozitet turistik, apo statujat e kuçedrave që gjenden në zemrën e Kopenhagës! Prandaj i falet. Megjithatë nuk i falet ajo që bëri. Dhe me siguri që edhe ai do të jetë penduar tani që nuk e kafshoi pak gjuhën para se të thoshte ato që tha.
Kështu ngjau po me të, por pa rrezik kësaj rradhe, para 3 vitesh kur ai ishte në praninë e presidentit të Francës, Emanuel Macron, kryetarit të Këshillit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, Sharl Mishel, etj. Etj. Atëhere po flitej mbi hipokrizinë e presidentir rus, Putin, i cili ngushëllonte viktimat e tij pasi i kishte hedhur nga ballkoni, apo helmuar në burg, siç ishte rasti me disidentin Navalny.
Rama duke u vënë në rolin e Putinit thoshte: “Edhe mua më ka qëlluar të ngushëlloj para kohe. Kështu psh ngushëllova komandantin e familjes Prigozhin, por avioni me të cilin ai do të udhëtonte nuk ishte ngritur akoma në ajër”, tregonte me humor Rama, gjasme sikur ishte Putini!
Sa për dijeni, komandanti rebel rus Evgeni Prigozhin, armik i Putinit, vdiq gjatë një aksidenti të dyshimtë ajror. Ky ishte edhe shkaku i talljes së Ramës me Putinin. Shaka që shkaktoi të qeshura dhe rrahje supesh ndër liderët europianë!
Por, pa asnjë dyshim, është një gjë të tallesh me Putinin, sidomos kur je i rrethuar edhe nga armiq të tij, dhe tjetër gjë të tallesh me Trump-in, siç bëri para disa orësh përsëri kryeministri i Shqipërisë!
“Ti duhet të më përgëzosh” – iu drejtua ai dje presidentit francez. – Pse pyeti Macron i habitur?! “Sepse i dhamë fund konfliktit me Azerbajxhanin” – vazhdoi me djallëzi Rama. Kjo batutë e papritur shkaktoi të qeshura edhe te presidenti i Azerbaxhianit, Alijev, te Macron dhe te të pranishmit e tjerë.
Për ata që nuk e dinë, gafa u shkaktua nga presidenti Trump.Dhe jo një herë, por tri herë në 3 ditë të ndryshme. Duke folur para gazetarëve dhe politikanëve të ndryshëm Trump u mburr, siç e ka zakon, se ka ndaluar 8 konflikte botërore. Duke përfshirë atë Indi – Pakistan, Kosovë – Serbi, Azerbajxhan… Albani etj ! Nga kjo “lajthitje” përfitoi Rama për ta bërë auditorin të shkrihej gazit. Pra ngatërroi Armeninë me Albaninë!
Por Trump nuk është Albini dhe as Putini. Me të cilët Rama mund të tallet. Trump dihet se nuk e ka fare qejf ta vëjnë në lojë. Dhe nga kush?! Nga kryeministri i një vendi të vogël që mezi gjendet edhe në hartë.
Por Ramës, që e tha atë batutë, nuk ia merrte mendja se kjo shaka do merrte dhenë. Dhe jo vetëm në Shqipëri, por kudo si psh në Francë, Angli, Gjermani, Belgjikë, madje deri edhe në Rusi u tallën dhe qeshën me këtë shaka të Ramës, që kishte në qendër të saj presidentin e Amerikës!
Aq sa edhe vetë Rama e kuptoi se e kishte “shkelur”. Prandaj nuk mungoi të shprehej se ajo ishte një shaka pa të keq midis miqsh që e respektonin Trumpin dhe që u “keqinterpretua”! Dakord! Por çfarë mendon Trump?! Si do sillet ai tashti me Ramën kur ta takojë ndokund?! Larg o Zot edhe me Shqipërinë, për faj të Ramës?!
Nëse Rama do ketë guximin t’i dalë përpara! Aq më shumë që ai njihet edhe si mbështetës i Soros-it dhe shok i gushtë i djalit të tij, Aleks!
Ndofta duke e ditur se Trump nuk e ka me sy edhe aq të mirë për lidhjet e tij me familjen Soros, Rama dërgoi presidentin Begaj në takimin e para një jave në Nju Jork të OKB-së, ku u fol ndër të tjera edhe për Palestinën, Ukrainën etj. Dhe ishte Begaj me gruan e tij që dolën në fotografi me Trumpin dhe Melanian!
I vetmi tani që mund të gëzohet me të vërtetë nga kjo “shkarje” e Ramës me siguri që do të jetë “non grata”, Sali Berisha! Ai tani me siguri që do vetshpallet si miku i vërtetë dhe i sinqertë i presidentit të tashëm amerikan. Aq më shumë që dihet se atë e shpallën “non grata”, (që ai e ka vuajtur aq shumë), ish presidenti Biden dhe ministri i tij i jashtëm, Anthony Blinken.
Pyetja është: sa do ndikojë kjo e qeshur e “botës” dhe kjo shaka me presidentin amerikan në marrëdhëniet e Shqipërisë me Amerikën, apo me heqjen apo jo të dënimit “non grata” ndaj Sali Berishës?!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment