Rasti Veliaj – si kopje e zbehtë e atij të Mehmet Shehut

       Dje Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë vendosi shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës. Ky vendim erdhi veçse disa orë pas atij që mori vetë këshilli bashkiak i kryeqytetit për shkarkimin e kryetarit të tij.

       Po si erdhi puna deri këtu? Saqë ai që konsiderohej si zëvendësi i Edi Ramës të përfundonte prapa hekurave?!  Dhe më kryesorja : Kë kishte shkelur në kallo Veliaj saqë ndaj tij të vërsulej SPAK dhe organizmat e tjera të drejtësisë?! A mund të merrej një veprim i tillë pa dijeninë dhe aprovimin e të parit të qeverisë ?!

      Veliaj apo lali Eri siç e thërrisnin me përkëdheli nëpunësit e tij ishte deri pak kohë më parë një kryebashkiak i lavdëruar për punën e tij të mirë. Nën drejtimin e tij Tirana ishte modernizuar edhe më shumë,  ashtu siç ngjet rëndom me një kryeqytet që ka afro 1 million banorë. Veliaj ndoqi në këtë rrugë shembullin e paraardhësit të tij, pikërisht të kryeministrit të tashëm.

      Dhe vërtet Tirana e sotme nuk është më ajo Tirana e zymtë e kioskave të pas viteve ’90. Ajo është kthyer me të vërtetë në një qytet modern që pëlqehet dhe frekuentohet me dëshirë sa nga vetë shqiptarët, por  po aq edhe nga të huajt e shumtë që e vizitojnë. Vërtet që janë ngritur kulla të shumta,  « grataçiela » siç i quajnë ndryshe, por a ka kryeqytet të mos ketë të tilla ?!

     Por të gjitha këto duket se nuk mjaftuan. Te dera e kryetarit të bashkisë trokitën hetuesit e SPAK-ut. Veliaj, së bashku me gruan e tij, u akuzuan për korrupsion dhe pastrim parash. Por megjithëse kanë kaluar disa muaj që kur kjo akuzë  është ngritur nga SPAK-u duket se ende nuk ka ndonjë provë bindëse për verifikimin e këtyre hamëndjeve.

     Ndryshe opinion publik është ende në mëdyshje ndaj këtij veprimi të organit të akuzës. Ndofta është e vërtetë që Veliaj është “përlyer” në afera korrupsioni – shprehen njerëzit. Po si spjegohet atëhere që kryebashkiaku i Tiranës akuzohet dhe arrestohet pa pasur prova të forta kundër tij, në një kohë që ai që ka vrarë dhe që ka shkretuar vendin nuk i ka hyrë gjemb në këmbë?!  Si spjegohet po ashtu që ministri përgjegjës për katastrofën e Gërdecit bredh deri në Amerikë dhe nuk do t’ia dijë fare për drejtësinë?!

             Rasti i Veliajt të sjell ndër mend, dashur pa dashur, një rast disi të ngjashëm, që ka ngjarë 43 vjet më parë po në Tiranë. Atëhere ishte kryeministri i vendit që u “kryqëzua” nga sulmet e Byrosë Politike. Nga ata që deri atëhere i bindeshin atij pa bërë gëk mëk! Mehmet Shehu u akuzua asokohe si tradhtar, armik, poliagjent e të tjera e të tjera. Akuza që e çuan në vetvrasje.

           Po ç’pati diktatori Enver Hoxha me zëvendësin e tij besnik, me “komandantin legjendar”, siç e kishte cilësuar ai vetë në librat e tij?!  Me atë që shumëkush e shihte edhe si pasuesin e sigurt të tij!

       Për ata që e ndiqnin hap pas hapi jetën politike në vend në kohën e diktaturës përgjigja ishte e qartë/ Mehmet Shehu nuk ishte armik. Por ai ishte fuqizuar shumë, aq sa kishte filluar t’i bënte “hije” të madhit fare! Aq më shumë që Mehmeti kishte edhe shumë merita vetjake. Ai kishte qënë pjesëmarrës në luftën e Spanjës, komandant i Brigadës së Parë Sulmuese gjatë luftës Nacional/Çlirimtare, kryeministër tejet i aftë dhe hijerëndë, njeri i përgatitur në të gjitha fushat e jetës dhe ekonomisë.

      Dhe Enver Hoxha u tremb. Jo për jetën e tij. Se dihet se Mehmeti i ishte atij besnik deri në vdekje. Por u tremb për lavdinë e tij. U tremb se mendonte se pas vdekjes së tij, vezullimi, lavdia e tij do zbehej para asaj të Mehmet Shehut. Ai nuk do ngelej si i « përjetshëm » në kujtesën e popullit. Aq më shumë që populli që kur ai ishte gjallë kishte filluar të këndonte me iso « Me Enverin dhe Mehmetin… ».

      Dhe « arkitekti » nuk mund ta duronte këtë. Urrejtja dhe frika po i rritej dita ditës. Dhe gjeti rastin e martesës së djalit të Mehmetit me një volebolliste të shquar, por me biografi të « keqe », për ta sulmuar dhe likuiduar plotësisht mëkëmbësin e tij. Dhe zgjodhi Ramiz Alinë që i detyrohej atij në gjithçka dhe nuk gëzonte reputacionin dhe lavdinë e Mehmet Shehut. Historira të vjetra këto, që ata që janë sot afër të 50-ve ndofta nuk i mbajnë mend.

      Po rasti Veliaj as mos është vallë përsëritje e dobët e atij të ish kryeministrit të vetëvrarë?! Pasi edhe Veliaj deri pak muaj më parë përflitej hapur se do të ishte zëvendësuesi i Ramës, kur ky i fundit do të largohej nga pushteti, më së largti andej nga viti 2029, kur të kishte bërë 16 vjet në krye të qeverisë !

     Por siç thotë populli lali Eri i kishte bërë llogaritë pa hanxhinë ! Se Rama duket se kishte plane të tjera. Veliaj nuk i kishte shumë borxhe atij. Ndryshe psh nga Spiropali apo Balluku që gjithshka ia dedikonin Edi Ramës. Prandaj Veliaj duhej hequr qafe.

       Dhe kur një diktator apo autokrat merr një vendim, nuk është shumë e vështirë pastaj të gjenden edhe disa “arsye të forta” për të rrëzuar kundërshtarin e planifikuar. Dhe kështu Veliaj që po lëpinte buzët si kryeministri i ardhshëm i vendit përfundoi pas hekurave.

     Dhe veprime të tilla ngjasin shpesh herë në vende me udhëheqës autoritarë. Kështu psh ka ngjarë veç  pak muaj më parë në Turqi,kur u arrestua kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu! Ky i fundit e pësoi, pasi kishte filluar të paraqeste edhe ai rrezik jo aq për Erdoganin vetë, sesa për trashëgiminë tij personale dhe atë të partisë së tij, AKP (Partia e Drejtësisë dhe Përparimit).

       Siç shihet, dhe historia e ka dëshmuar që në kohët e lashta, se të qënit “trashëgimtar” është një mjeshtëri e rrezikshme. Erjon Veliaj e humbi këtë mundësi. Dhe nuk i dihet më së ardhmes së tij politike.

       A do të lejohet ai kur të dalë nga burgu të marrë pjesë përsëri në jetën politike të vendit. A do mbetet ai anëtar i Partisë Socialiste apo do të krijojë një parti të re?! Ka shumë pikëpyetje dhe të panjohura për të tashmen dhe të ardhmen e ish – kryebashkiakut të Tiranës që duket se i zgjati këmbët më shumë se jorgani!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment