Pavdekësia apo rinia e përjetshme – mit apo mundësi?!

     Që kur presidenti rus Putin dhe presidenti kinez Xi biseduan rreth zgjatjes së jetës apo pavdekësisë, në rrjet kanë shpërthyer komente të zjarrta dhe tejet kundërthënëse nëse është e mundshme dhe e dobishme që njeriu të jetojë deri në 150 vjet falë transplanteve të organeve, apo nëse ai mund të konsiderohet ende si një “fëmijë” kur ka arritur të 70-tat, siç pohoi presidenti kinez!

         Dëshira për  të jetuar pa fund dhe deri në amëshim, nëse është e mundur, ka qënë një ëndërr e kahershme e njerëzimit; Që në kohët e lashta Njerëzimi ka përfytytuar pavdekësinë. Madje pikërisht për këtë qëllim ai ka shpikur edhe Parajsën dhe Ferrin, ritet fetare, besimin në Zot e të tjera sajesa.

         Është e njohur botërisht legjenda e vjetër helene e Tithonos, një vdektar i zakonshëm,  me të cilin perëndesha Era vendosi të martohej! Prandaj ajo i kërkoi Zeusit t’i jepte Tithonos pavdekësinë. Mjerisht, ajo harroi t’i kërkonte Zeusit që t’i falte atij edhe rininë e përjetshme. Kështu që pavdekësia u kthye për Tithonos në një torturë të vërtetë, në një plakje të pafund që e thau dhe e ktheu tërësisht në një kufomë të pakallur në varr.  

        Morali i kësaj legjende të lashtë greke është tejet i qartë: Pavdekësia nuk duhet të ekzistojë. Se përndryshe Njeriu do të hajë Njeriun. Ose ndryshe pavdekësia duhet të shoqërohet me mungesën e lindjeve për të ruajtur të njëjtin nivel popullsie mbi Tokë.

        Mendoni atëhere se çfarë mund të ngjasë! Një Tokë e mbushur me pleq 100 e ca vjeçarë,që do përbëjnë “rininë” e shoqërisë së asaj kohe, sepse shumica e njerëzve me siguri do t’i ketë kaluar të 1 000 vjetët. Ku nuk do të ketë bebe, fëmijë që shkojnë në shkollë, të rinj në universitete, çifte të reja që martohen etj etj! Çfarë tmerri!

         Të gjendur para një skenari të tillë kaq të zymtë dhe katastrofik ëndërrimtarët e jetës së përjetshme i janë kthyer sot idesë së së paku të rinisë së pafund!

        Po a mund të realizohet një ide e tillë?! A mundet që Njeriu ta tejkalojë Natyrën?!  Çfarë thotë shkenca ?! Ndryshe çfarë kanë të përbashkëta mitet, legjendat dhe shkenca? Nëse mitet kërkojnë një interpretim simbolik, shkenca, nga ana tjetër, mbetet te konkretja, te provat dhe faktet.  

         Dhe ka një të dhënë tejet interesante. Shumë miliarderë sot janë duke investuar në institutet mjekësore që merren pikërisht me ripërtëritjen e qelizave ose transplantimet e organeve.

        Është ky një investim dyfish fitimprurës. Së pari pasi këta investitorë e dinë mirë që pas investimeve të tyre qindra milionë dollarëshe vlera e aksioneve e këtyre instituteve do të rritet dhe ata mund të fitojnë shumë kur t’i shesin këto aksione. “Ky është biznesi më fitimprurës në botë”, – pohojnë sot afaristët më të njohur te planetit. Kjo praktikë është e njëllojtë si ajo me investimet në ar po në bitcoin. Dhe interesi i dytë për ta është se do jenë ata të parët që do përfitojnë nga zbulimet e mundshme në këtë fushë.

           Sa për informacion : Japonia sapo njoftoi këto ditë se numri i banorëve të saj që i kanë kaluar 100 vitet ka arritur në 100 000 mijë veta !

           Jeff Bezos, miliarderi pronar  i Amazon, shpreson që epitafi i tij do të jetë:”Këtu pushon njeriu më i vjetër në botë » ! Këta njerëz, këta super të pasur, duket se nuk duan t’ia lëshojnë askujt vendin e tyre në këtë Tokë !

         Dhe ata e dinë se çfarë bëjnë. Se përveç ndërtimit të bunkerëve hermetikë që duhet t’i mbrojnë ata në rast të një lufte bërthamore, disa prej tyre po  « ngrohen » tani me rrezet infra të kuqe për të nxitur punën e mitokrondive të tyre. Mitokondritë janë centralet energjetike që gjenden në çdo qelizë të qënieve të gjalla. Disa të tjerë futen në disa tipe kutish oksigjenuese, me qëllim të zgjatjes së telomerëve të tyre. Telomerët  janë disa zgjatime të kromozoneve. Kur ato shkurtohen qelizat fillojnë dhe plaken dhe vdekja afrohet !

         Dhe këtu nuk po flasim për sajesa të tjera, si filtrimi i ajrit në mjediset ku ata jetojnë etj etj. Me këto marifete ata janë të bindur se po pengojnë plakjen e organizmit të tyre. Dhe megjithëse këto eksperimente nuk janë provuar shkencërisht, ata mendojnë se 1 vit kalendarik për njerëzit e zakonshëm përbën vetëm 6.4 muaj jetë për ta. Me fjalë të tjera 10 vjet plakje kronologjike për njerëzit e zakonshëm konvertohet në vetëm në 6 vjet e 4 muaj plakje biologjike për ndjekësit e rinisë së përjetshme !

        Një nga të parët që përdori eksperiencën e ngadalësimit të plakjes falë thithjes së oksigjenit në një kuti të mbyllur hermetikisht ishte edhe mbreti i muzikës pop, Majkëll Xhekson. Ai me këtë mënyrë shpresonte të jetonte deri në 150 vjeç. Por vdiq 50 vjeç. Jo për shkak të plakjes së qelizave, por nga ilaçet dhe drogat e shumta që përdorte !

       Megjithatë dëshira për të mbetur i ri përjetësisht  po shtohet dhe forcohet dita ditës te shumë njerêz. Prandaj ata po pêrdorin për këtë qêllim edhe truket më të fundit në modë, siç janë pilulat ushqyese plotësuese apo ato vitaminoze, pijet energjetike etj që po i bëjnë shumë të pasur prodhuesit e tyre. Marrja e zinkut, e manganezit, e vitaminës D e të tjera janë përhapur shumë sot.     

         Rasti i Brajën Xhonson, milionerit që refuzon të vdesë, është shumë domethënës në këtë drejtim. Ai shpenzon çdo vit mbi 2 milionë dollarë për këtë qëllim! Xhekson e ka vënë theksin sidomos te ushqimi.Në pjatën e tij gjen ushqime që janë transformuar në pudër për njê tretje më të lehtë. Përveç tyre ai përdor shumë edhe lakrën tip brokoli ! Ëndrra e tij është që të transformohet nga një i rritur 47 vjeçar siç është sot, në një të ri 18 vjeçar ! Po ashtu ai po përdor dializën, si një formë e pastrimit të gjakut, që të eleminojë mikroplastikat që gjënden në çdo organizëm.

       Por rreziku i këtyre provave me organizmin ekziston për të gjithë. Edhe për milionerët. Brajën psh  për pak sa nuk pësoi një goditje në zëmër kur futi yndyrna në fytyrën e tij për të zhdukur rrudhat!

      4 000 veta vetëm në Amerikë janë duke ecur sot në gjurmët e tij. Ata madje kanë krijuar edhe një garë se kush do të rinohet më shpejt. Secili prej tyre dërgon një pikë gjak te një klinikë e specializuar në matjen e moshës biollogjike të çdo njeriu. Brajën Xhonson është vetëm i pesti në këtë garë.  “Larg vdekjes” – mbetet megjithatë parulla e tij.

       Si pasojë e një deliri të tillë, sot në Amerikë janë hapur disa qindra klinika të “zgjatjes së jetës”. Më e famshmja prej tyre, “Buck Institute” me një personel prej 300 vetash ka madje 25 vjet që ekziston. Dhe këtu nuk merren me sëmundjet, por punojnë që sëmundjet të mos shfaqen kurrë! Sipas tyre Alzhajmeri, Parkinsoni dhe dhjetra sëmundje të tjera shkaktohen veçse nga plakja e organizmit, e qelizave të tij, qoftë në tru, qofë në organet e tjera.

         “Thjesht duke penguar plakjen e qelizave, pengojmë edhe shfaqjen e sëmundjeve. Dihet se pas arritjes së një moshe të caktuar qelizat ndalojnë ndarjen dhe riprodhimin e tyre. Si pasojë fillon edhe plakja me sëmundjet që e shoqërojnë. Ne po përpiqemi pikërisht që të ndalojmë « ngecjen » e qelizave. Që ato të vazhdojnë të riprodhohen » – pohon drejtori i këtij instituti, Erik Verdin.

       Por ka disa që duan të shkojnë edhe më larg. Ata po studiojnë mundësinë e transferimit të të dhënave të trurit në “cloud » ! Një ide që po bën për vete edhe miliarderët e Silikon Valley-t, djepit planetar të Informatikës dhe Inteligjencës Artificiale. Sipas tyre ti je çfarë është truri yt. Aty gjenden kujtimet, motori lëvizës i organizmit, shijet, inteligjenca dhe ndërgjegja. Merre këtë tru nga “cloud” dhe vendose në një cyborg dhe “ai” tani do të jesh “ti”.Kjo është pavdekësia, pohon Peter Diamandis, krijuesi i qëndrës  së kërkimeve mjekësore X Prize.

       Aq shumë janë mrekulluar miliarderët e I.A.-së nga kjo mundësi saqë shumica e tyre po shpenzon me qindra miliona dollarë për të ngritur institucionet e tyre të “pavdekësisë”!

       Kështu psh Sam Altman, krijuesi i Chat GPT-së ka shpenzuar 180 milionë dollarë për të ngritur institutin e tij të quajtur “Retrobioscience”. Ndërsa krijuesi i Pay Pal, Piter Peal, ka hedhur 300 milionë dollarë për krijimin e institutit “Unity Biotechnology”. Mark Zuckenberg, krijuesi i “Facebook” dhe i “Meta’-s nuk ka mbetur më pas. 300 milionë dollarë edhe ai për të krijuar “CZ BioHub”. Ndërsa dy krijuesit e lundruesit, (navigatorit), Google, Larry Page dhe Serguei Brin e kanë ngritur “piacën” në 1.5 miliardë dollarë për të krijuar institutin “Calico”. Jeff Bezos, ai që do të vdesë si njeriu më i vjetër i botës, ka dhënë 3 miliardë dollarë për të ngritur “Altos Lab”.

       Shihet se pasi i kanë arritur të gjitha, falë guximit, talentit dhe gjenisë së tyre, këta super të pasur, duan të kapin tani edhe atë që është e paarritshme deri më sot – pavdekësinë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment