Këto ditët e fundit kryeministri Kurti ndërmori dy veprime të njëpasnjëshme për të vendosur autoritetin e plotë të qeverisë së tij në mbarë territorin e vendit.
Së pari ai mbylli dy posta në Graçanicë që kishin mbetur ende nën “hyqmin” e Beogradit dhe së fundmi mbylli në Mitrovicë edhe Fondin Serb të Sigurimeve Shoqërore. Këto veprime nuk janë pritur mirë as në Bruksel dhe as në Uashington. Dhe BE-ja nuk vonoi të kundërpërgjigjej: “Bashkimi Evropian ka dënuar mbylljen e zyrave në Mitrovicë të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Invalidore e Pensionale, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë”.
“Kjo përbën edhe një veprim tjetër të pakoordinuar nga qeveria në detyrë e Kosovës kundër strukturave të tilla dhe është në kundërshtim me obligimet dhe zotimet e Kosovës karshi BE-së. Bashkimi Europian vazhdimisht ka deklaruar se statusi i tyre duhet të zgjidhet në linjë me dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, marrëveshjet e arritura dhe ligjet e Kosovës”, u tha në një deklaratë të BE-së.
BE-ja i bëri thirrje me këtë rast qeverisë në detyrë në Prishtinë dhe institucioneve të tjera relevante të Kosovës që “të përmbahen nga provokime të tilla dhe veprime të dëmshme si dhe të konsultohen me komunitetin lokal serb dhe partnerët ndërkombëtarë”.
Po ashtu po dje Uashingtoni njoftoi se: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë të Albin Kurtit!
Më qartë se kaq nuk ka ku të shkonte. Amerika bën përgjegjës vetë Kurtin për pezullimin e marrëdhënieve të privilegjuara deri tani me Uashingtonin.
Megjithatë të gjitha këto “dacka” duket se nuk kanë ushtruar ndonjë ndikim kushedi se çfarë te kryeministri i Kosovës. Ky është edhe problemi. Dhe duket qartë se kryeministri i Kurti nuk do që nuk do ta kuptojë se Kosova është shtet nën kujdestari. Nën kujdestarinë e Brukselit dhe Uashingtonit.
Ndryshe mund të thuhet se Kosova nuk është qind për qind vend i pavarur. Ajo u çlirua nga Perëndimi para 25 vitesh, prandaj duhet ta kuptojë se statusi i saj nuk është i njëllojtë psh me atë tê Sllovenisê, Çekisë apo Letonisë. Ajo ende nuk e ka një ulëse në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Me një fjalë pa mbështetjen e Perëndimit Kosova është e vdekur.
Të mendojmë një çast sikur Serbia të fusë trupat e saj në veri të Kosovës apo edhe më thellë! Njëlloj si Putini në Ukrainë. Kush do ta mbrojë? Dhe çfarë do bëjë qeveria e Kosovës atëhere?! Do fillojë luftën?! Kur dihet forca e Kosovës dhe forca e Serbisë, e cila po armatoset çdo ditë e më shumë me armë nga Kina , Rusia, Franca dhe vende të tjera! Po populli i Kosovës a është gati për një luftë tjetër tani?! Ai i ka menduar këto rreziqe Albin Kurti?!
Ndofta dikush mund te mendojë për luftën partizane! Por kjo është një ëndër. Serbia nuk do të gjithë Kosovën. Ajo thjesht do tokat e saj më të mira, Ujmikun dhe Trepçen si dhe vendndodhjet e manastireve të saj atje. Dmth që ajo dëshiron dhe planifikon ndarjen e Kosovës. Gjysma e Kosovës për Serbinë dhe gjysma tjetër për banorët e saj shqiptarë, që do dëbohen nga shtëpitë e tyre në zonat që do të pushtohen nga Serbia. Pra afërsisht njëlloj si Izraeli me Palestinën.
Edhe sulmet e fundit të kryeministrit kosovar ndaj Gjykatës Kushtetuese të vendit të tij nuk kanë kaluar pa u vënë re në kryeqytetet europiane. Përse ekzistojnë ambasadat e huaja në Prishtinë? Sigurisht që të informojnë qeveritë e tyre mbi çka ngjan në Prishtinë dhe mbarë Kosovën.
Dhe nuk po flasim këtu për odisenë e e pafund të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe tani edhe për atë të nënkryetarit nga pakica serbe!
Dikush duhet t’i thotë Kurtit, se pavarësisht dëshirës së tij, Kosova mbetet, për fat të mirë, ende një “protektorat” i Perëndimit. Themi për fat të mirë se do të jetë tragjedi që Perëndimi ta heqë vëmendjen nga Kosova. Serbia po pret dhe po punon në këtë drejtim.
Si përfundim duhet të kuptohet se më shumë se për nacionalizmin ekstrem të Kurtit, Kosova sot ka nevojë për një diplomaci dhe politikë të mençur. Prandaj ndofta koha e Kurtit ose ka mbaruar ose po mbaron. Me politikën e tij, ai fatkeqësisht nuk po i ndihmon vendit të tij.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment