«Pink Ladies» në Angli kundër shqiptarëve dhe pakistanezëve

Lëvizja anti-emigracion, e filluar gjatë muajit korrik në Angli, duket po përhapet dhe po shtrihet tashmë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Çuditërisht në krye të saj gjenden një numër i madh grash dhe vajzash të reja, të veshura të gjitha me rozë, që kërkojnë dëbimin e të gjithë emigrantëve pa dokumenta dhe përtej tyre të të gjithë atyre që merren me veprime të paligjshme. Dy janë kontingjentet që janë vënë në shënjestër nga kjo lëvizje: Së pari pakistanezët që akuzohen për përdhunimin e vajzave te bardha angleze dhe së dyti shqiptarët si shpërndarës droge.   

        Kjo lëvizje ka filluar në një kohë kur qeveria britanike po përpiqet me të gjitha mënyrat të qetësojë zemërimin popullor. Megjithatë thirrjet për protesta kundër emigrantëve po shumëfishohen sidomos para hoteleve që strehojnë azilkërkuesit që presin të marrin dokumentat. E gjendur para kësaj vale të papritur demonstratash qeveria laburiste ka premtuar t’! mbyllë të gjitha këto hotele deri në vitin 2029. Ajo gjithashtu njoftoi në fillim të kësaj jave edhe pezullimin e bashkimit familjar për refugjatët. Megjithatë protestat po vazhdojnë, veçanërisht në Epping, një qytet i vogël në verilindje të Londrës, që është bërë epiqendra e luftës kundër emigracionit.

        Pikërisht atje, në Epping, ku gjendet edhe epiqendra e të gjitha këtyre demonstratave, ka lindur edhe lëvizja e grave dhe nënave, të veshura me rozë, të cilat thonë se duan të mbrojnë vajzat e tyre.

        Si pasojë qeveria ka filluar të tërhiqet. Dje sekretarja e punëve të brendshme e Britanisë, Shabana Mahmood, ka premtuar të paraqesë këto ditë një plan për zhvendosjen e azilkërkuesve që aktualisht strehohen në hotele, në barakat e ish-bazave ushtarake. Ky është një hap tjetër i qeverisë në përpjekjet e saj për ashpërsimin e politikave të imigracionit, që po i shkaktojnë qeverisë së majtë uljen e mbështetjes së zgjedhësve britanikë.

          Sipas Daily Telegraph, ky vendim vjen pas protestave të shumta gjatë verës për kushtet e strehimit të refugjatëve në hotele. Mahmood, e cila mori detyrën e ministres së brendshme pak ditë më parë, pasi kryeministri Starmer largoi nga ky post ish ministren Yvette Cooper, njoftoi përdorimin e këtyre objekteve të Ministrisë së Mbrojtjes për strehimin e azilkërkuesve.

       Vetëm të shtunën e kaluar, 30 gusht, rreth 1,000 veta mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar duke përdorur si mjete transporti barka të vogla, ndërsa autoritetet franceze raportuan shpëtimin e 24 personave gjatë përpjekjeve të tyre për të kaluar Kanalin e La Manshit.

        Ndryshe të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) tregojnë se gjatë viteve 2024-2025 janë goditur në nivele të papara edhe rrjetet kriminale që merren me emigracionin e paligjshëm.

       Zyrtarët britanikë besojnë se edhe këto masa kanë ndihmuar në uljen e numrit të skafeve dhe barkave që kaluan kanalin e La Manshit në muajin gusht, duke shënuar numrin më të ulët që nga viti 2019!

         Megjithatë, edhe pse 3.567 zbarkimet në gusht janë më të paktat e viteve të fundit, totali prej 29,003 personash, është numri më i lartë i regjistruar për këtë periudhë.

        “Dërgojini të gjithë nga kanë ardhur!”bërtisnin demonstrueset, duke mbajtur flamurët britanikë dhe kryqet e Shën Gjergjit në dorë. Në vijën e parë, gratë, “zonjat pink”, nëna të veshura me rozë, të shqetësuara pas akuzave për sulme seksuale të të huajve ndaj vajzave të tyre.

        Becky, një nga “ladies pink” është atje “për të mbrojtur fëmijët e saj”. “Jam shumë e frikësuar sa do t’i heq ata nga shkolla këtë vit. Unë do t’i shkolloj vetë në shtëpi. Ne jemi këtu për të mbrojtur veten.” – thotë ajo.

         Karmen, një grua me një pulovër rozë, është një nga nismëtaret e lëvizjes. Ajo jeton në Epping dhe po proteston dy herë në javë që nga mesi i korrikut. “Këtu filloi gjithçka,” konfirmon ajo,  “filloi në Epping dhe ne po kthehemi sepse një gjykatës ka anuluar vendimin për të mbyllur këto hotele. Kështu që ne do të vazhdojmë luftën, sepse me sa duket emigrantët kanë më shumë të drejta se ne, qytetarët anglezë.“Ne u ofrojmë atyre hotelin, vaktet, gjithçka është falas për ta…”!

        A janë këto gra raciste? “Jo, jo, unë nuk jam aspak raciste!” thekson Karmen. Çdokush mund të vijë këtu me pasaportë, para dhe një punë. Jo, unë nuk jam raciste, unë nuk jam kundër emigrimit të ligjshëm. Por është e vërtetë, unë do votoj për Nigel Farage dhe partinë e tij Reformuese”- pohon ajo.

       Nigel Farage është një politikan britanik, i njohur edhe përtej vendit të tij. Ai është edhe udhëheqësi i partisë së ekstremit të djathtë që po udhëheq në sondazhe. Javën e kaluar ai premtoi 5 charter në ditë, nëse vjen në pushtet, për të dëbuar emigrantët.

       Siç dihet Nigel Farage ka pasur edhe një përplasje të egër verbale me kryeministrin Edi Rama pak javë më parë, kur ai akuzoi emigrantët shqiptarë si krijues problemesh në vendin e tij. “Një në çdo 50 shqiptarë gjendet sot në burgjet e Britanisë” – deklaroi aso kohe politikani anglez.

         Si pasojë e këtyre deklaratave, ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, u takua para dy ditësh me politikanin Nigel Farage për t’i thënë se pretendimi i tij se “1 në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg” është plotësisht i pavërtetë.

          “Është një gënjeshtër e madhe që megjithatë po përsëritet në GB News dhe nga politikanë të ndryshëm,” tha ambasadori Ferizi, i cili mori pjesë pardje edhe në konferencën e partisë së Farazhë “Reform UK”. Sipas Ferizit, statistikat zyrtare po keqinterpretohen dhe po përdoren për të krijuar akuza që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Ai i pohoi politikanit britanik se shqiptarët janë një shembull i mirë. “I thashë atij se shqiptarët janë një shembull shumë i mirë i njerëzve që integrohen mirë në Britani. Punojnë shumë, mësojnë gjuhën, zakonet dhe rregullat e vendit” – shtoi ambasadori shqiptar.

         Kjo deklaratë e ambasadorit Ferizi u bë në të njëjtën ditë, që Nigel Farage deklaroi se kishte planifikuar të takohej me kryeministrin Edi Rama, për të diskutuar çështjen e dëbimit të të burgosurve shqiptarë. Farage provokoi përsëri duke thënë se ndoshta kur të shkojë në Shqipëri do të marrë edhe të burgosurit shqiptarë me vete dhe do të rezervonte për këtë arsye edhe një avion të madh që të nxëjë sa më shumë prej tyre!

         Protestat kundër emigracionit vazhdojnë edhe tani në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Sidomos pranë hoteleve që strehojnë azilkërkuesit. Ndërsa tema e emigracionit është në krye të shqetësimeve të popullit britanik,  edhe kryeministri Keir Starmer, nën presionin popullor, ka premtuar t’i japë fund strehimit në hotele të azilkërkuesve, një praktikë që i kushton Britanisë disa miliarda stërlina para publike.

        Në një intervistë me The Times, Nigel Farage deklaroi nga ana e tij se ai donte ta hiqte Mbretërinë e Bashkuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe të lidhte marrëveshje imigracioni me Afganistanin dhe Eritrenë ku të ndërtonte vende paraburgimi që mund të strehonin deri 24,000 emigrantë.

         Masmediat britanike bëjnë të ditur se vitin e kaluar ka pasur më shumë se 110,000 kërkesa për azil në Angli, nga të cilët 56,000 prej tyre po qëndrojnë edhe sot në hotele në kurriz të britanikëve.

        Tashmë është bërë e qartë se jo vetëm që azili ka marrë fund, por që të pranohesh në një vend të huaj, jo vetëm që nuk duhet të shkelësh ligjet e atij vendi, por duhet edhe të integrohesh me zakonet dhe kulturën e popullit pritës.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment