Shqipëria gjendet sot para një rreziku të ri, të madh dhe të paparashikuar. Jo. Nuk rrezikohet nga fqinjët. Rrezikohet nga brenda. Rrezikohet nga një korporatë, nga një sekt i mbyllur, i gjithëpushtetshëm dhe mafioz. Rrezikohet nga rrjeti i merimangës së gjyqtarëve, që formojnë të ashtuquajturin « institucion të drejtësisë » !
Është një rrezik real ky që po vë në rrezik edhe vetë demokracinë ! Dhe ky është paradoksi i çuditshëm ! Drejtësia duhet të jetë shtyllë e demokracisë dhe jo varri i saj.
Dhe kjo se disa gjykatës apo edhe institucione të rëndësishme të saj si KLGJ, Gjykata e Lartë e të tjera, në emër të pavarësisë po i kundërvihen projektit të rindërtimit të shtetit shqiptar !
Lajmi i fundit : Edhe kur kryeministri përpiqet të vëjë rregull në këtë vend, si psh të heqë nga ambienti publik ndërtesat dhe objektet e paligjshme, të ndërtuara pa leje dhe në kundërshtim me ligjin, ka disa gjykatës që po i dalin me qëllim kundër. Këta duket se nukduan një shtet me rregulla dhe ligje të respektuara nga të gjithë, por duan thjesht që të vazhdojë rrumpalla. Si te koha para Vettingut kur ata bëheshin milionerë duke mos dënuar apo duke liruar nga burgu kriminelë të njohur apo kultivues dhe shpërndarës të drogës.
Kulmi është se këta gjykatës kanë dalë nga hiçi. Kanë dalë nga një sistem arsimor për të vënë duart në kokë, pa asnjë lloj niveli dhe profesionalizmi. Kanë dalë nga disa universitete private apo shtetërore, që nuk gjenden në asnjë listë rankimi, (renditjeje) nga vendi i parë deri te i tremijti ! 3 000. Thjesht kanë dalë nga një kurs i krijuar në vitin 1992, në një ndërtesë që gjendej te « plepat » e plazhit të Durrësit.
Dhe këta gjykatës duan të bëjnë « ligjin » në vend. Ndërkohë që detyra e tyre numër 1 është të zbatojnë ligjet. ! Të paformuar profesionalisht, të pa arsimuar si duhet, të korruptuar deri në palcë ata i bëjnë karshillik një qeverie të zgjedhur në mënyrë plebishitare nga Sovrani ! Ky është rreziku. Që të kthehemi nga një ish- republikë diktatoriale, nga një ish-republikë bananiere, në një republikë prokurorësh !
Para këtij rreziku, para këtyre sjelljesh, kryeministri e ka ngritur disa herë zërin këto javët e fundit. Duke i cilësuar me emra gjykatësit dhe prokurorët e implikuar në këto dallavere. Por edhe sistemi i drejtësisë, (drejtësi i thënçin) nuk ka hezituar të tregojë dhëmbët, duke e kërcënuar madje kryeministrin për ndjekje deri në institucionet e Bashkimit Europian!
Para pak ditësh ishte KLGJ-ja, (Këshilli i Lartë Gjyqësor) që iu kundërvu kryeministrit Rama indirekt, dmth pa e përmendur me emër. Duke marrë shkas nga deklaratat e fundit të kryeministrit ndaj disa gjyqtarëve të papërgjegjshëm, KLGJ-ja dënoi të premten ato që i konsideroi si “deklarata të fundit të subjekteve publike apo private” kundër figurës dhe dinjitetit të gjyqtarëve, që sipas Këshillit minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
“Në çdo shoqëri demokratike, gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit. Për rrjedhojë, ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i çliruar nga çdo formë ndikimi, duke ju nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve,” thuhet në deklaratën e KLGJ.
“Në një shtet të së drejtës, ndarja dhe balancimi i pushteteve përbën parim themelor dhe gjyqtari ushtron funksionet në mënyrë të pavarur, duke vlerësuar faktet dhe interpretuar ligjin, i lirë nga çdo ndikim i jashtëm”, thekson më tej KLGJ, duke kërkuar respektim të pavarësisë së gjyqësorit.
« Interpretuar ligjin » ! – shkruajnë përfaqësuesit e këtij institucioni. Pikërisht këtu fillon edhe gabimi edhe krimi. Se ligji zbatohet dhe nuk interpretohet. Duke e parandjerë këtë rrezik dhe ndofta edhe duke njohur mirë edhe kohën e tij, poeti i njohur Naum Veqilharxhi shkruajti jo më kot para 200 vjetësh :
« Kur e shikon paranë,
edhe kadiu (gjykatësi)
ters e kthen sherjanë“! (Ligjin) !
Ky qëndrim i KLGJ-së vjen, siç shkruajtëm më sipër, pas qëndrimeve të përsëritura të kryeministrit Edi Rama ndaj gjykatësve të veçantë. Sipas KLGj-së, e vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse !
Kësaj i thonë që të jenë gjykatësit që të gjykojnë koolegët e tyre ! Por kur janë të gjithë të korruptuar siç e ka treguar jeta, si i bëhet ?!
Këshilli më pas u del në mbrojtje të gjithë gjyqtarëve ndaj të ashtuqujturave përpjekjeve të tyre të përditshme në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve dhe në shërbim të interesit publik, si dhe i inkurajon ata të ushtrojnë funksionin e tyre, në mënyrë të përgjegjshme dhe të pavarur nga çdo ndikim i jashtëm.
“Në një shtet të së drejtës – i cili sot është më pranë se kurrë aspiratës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian – vetëm përmes një sistemi gjyqësor të pavarur, mund të sigurohet barazia para ligjit dhe një drejtësi efektive, e cila meriton besimin e publikut”, përfundon komunikata e KLGJ-së.
Ky reagim ngjau pasi gjatë këtyre dy muajve të fundit, kryeministri Edi Rama ka shënjestruar personalisht gjyqtarët e Gjykatës Administrative, Ligoraq Toshi, Klarent Demiri dhe Hazbi Balliu dhe ka kundërshtuar hapur edhe vendimet e padrejta të tyre.
Më parë, kryeministri është « përplasur » edhe me prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli për pushimin e një hetimi që lidhej me kabinat turistike në Theth. Qëndrimet dhe deklaratat e kryeministrit, siç edhe pritej, u kundërshtuan fuqishëm edhe nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, si dhe nga Unioni i Gjyqtarëve – dy grupime vullnetare të trupës së gjykatësve.
Por duhet pohuar se KLGJ vepron gabim me qëllim. Synimi i saj parësor nuk është mbrojtja e drejtësisë por mbrojtja e “paprekshmërisë” së gjykatësve. Që ata të kenë të drejtë të vendosin si tu teket. Pa i dhënë llogari askujt! Se ndryshe u preket pavarësia!
Si dihet dhe siç është praktikë sot edhe në vendet me demokraci të përparuar, në një shtet ligjor gjallojnë dhe funksionojnë tre degë dhe organe të pavarura nga njëra tjetra. Si psh Parlamenti, i votuar nga zgjedhësit që nxjerr dhe aprovon edhe ligjet dhe po kështu voton edhe ekzekutivin që është në fakt qeveria. Pra, qeveria është rezultat i shumicës parlamentare. Dega e tretë e shtetit demokratik përbëhet nga sistemi i drejtësisë, i cili ka drejtuesit e vet, por që e ka detyrim që të zbatojë ligjet që nxjerr Parlamenti. Dhe që nuk mund t’i lejohet kurrsesi të ketë dy forma interpretimesh. Kështu psh kur ligji është i paqartë, ai është i detyruar t’i drejtohet Parlamentit për ta saktësuar, por gjithsesi nuk mund ta zbatojë ligjin si ua ka qejfi gjykatësve.
Rasti konkret. Rama po kritikon dhe po thotë që ligji nuk po zbatohet njësoj për të gjithë dhe kjo është në të drejtën e tij. Kjo nuk është aspak ndërhyrje në pavarësinë e drejtësisë. Në rast se Rama do të aplikonte shkarkimin e atij gjykatësi, atëhere KLGJ-ja mund ta hapte gojën, por jo për kritika që në një shtet ligjor mund t’i bëjë kushdo, aq më shumë një kryeministër i zgjedhur nga populli. Ndryshe ekzekutivi votohet, ndërsa drejtësia thjesht emërohet dhe nuk votohet nga askush.
Po ashtu kryeministri Rama ka shprehur kritika edhe për një tjetër gjyqtar, për të cilin thotë se nuk ka lejuar heqjen e një ndërtimi pa leje që ka bllokuar një kalim mes dy pallateve. Kreu i qeverisë thotë se gjykatësi në fjalë nuk ka mbajtur anën anën e komunitetit të ‘zënë në kurth’ nga ndërtimi pa leje.
“Gjykatësi Ligoraq vendosi në pak minuta pa praninë e palëve, që të mos hapet kalimi i mbyllur mes dy pallateve nga kjo ngrehinë pa leje me kupolë xhami, nën të cilën shtrihet një dyqan. Gjykatësi Ligoraq me siguri nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje dhe as nuk e ka menduar që mos o Zot, në rast zjarri ky dyqan kthehet në barrikadë vrastare, e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit, pohoi Rama. Para se të shtonte se gjykatësi Ligoraq i bashkohet kësisoj prokurores Gjeli, gjykatësve Balliu e Demiri, në dosjen që Ministria e Drejtësisë duhet t’i përcjellë organeve të kontrollit e të vetëqeverisjes së gjyqësorit, ndërkohë që ne (qeveria) do të kërkojmë që ankimimeve në këto organe t’u bashkohen edhe qytetarët e dëmtuar nga këto masa sigurie absurde, në dëm të komunitetit, mjedisit dhe rendit ligjor.
Në post scriptum e tij, Rama nënvizon se atyre që komentojnë apo bëjnë deklarata publike për gjasme presion nga ana ime mbi gjyqësorin, u them se për të mbrojtur interesin publik, të drejtën e komunitetit dhe të drejtat e liritë e njerëzve nga shpërdoruesit e detyrës në radhët e gjyqësorit, ne as do të heshtim më, as do të ndalemi së adresuari rastet e shpërdorimit në organet përkatëse të cilat Kushtetuta e ligji i ngarkojnë edhe me mbrojtjen e interesave të popullit e të shtetit, nga prokurorë e gjykatës të paaftë, të papërgjegjshëm, të dyja bashkë apo edhe më keq, pa atdhe fare”, shkruan Rama.
Çfarë mund tu shtosh këtyre deklaratave, që veç dëshmojnë se më në fund kryeministri e ka marrë seriozisht vënien e rregullit dhe ligjit në vend?! Por gjykatësit nuk janë që nuk janë dakord. Ata nuk pranojnë kurrsesi të japin llogari për punën e tyre. Dhe për këtë kërkojnë edhe mbrojtjen e Europës, për të cilën balanca e pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit janë të shenjta.
Por ka diçka që nuk shkon këtu. Pa asnjë dyshim që drejtësia nuk duhet të varet nga qeveria. Se atëherë nuk kemi demokraci. Por ajo duhet të japë llogari diku, siç jep llogarie dhe qeveria para popullit apo parlamentit.
Pavarësia e gjyqësorit duhet të jetë relative dhe e balancuar. Sepse në këtë rast rrezikojmë që bishti të bëhet më i rëndë se sqepari. Institucioni më i lartë në vend është dhe duhet të jetë Parlamenti i zgjedhur nga populli. Ai duhet të rrijë mbi gjithë të tjerët. Dhe si qeveria, si drejtësia duhet të përulen para këtij institucioni të zgjedhur nga sovrani.
Ndryshe dhe fatkeqësisht shpesh herë pavarësia e gjyqësorit shërben thjesht si një vegjë për të shmangur pushtetin e popullit. Aq forcë i kanë dhënë sistemit të drejtësisë ndonjëherë, saqë ai ka sot arrogancën të shfuqizojë edhe ligjet e parlamentit, sa herë që ato bien ndesh psh me dëshirat e ndonjë kaste sunduese.
Dhe kjo është krejtësisht e padrejtë. Dhe antidemokratike. Se demokraci do të thotë sundim i popullit. Por kur një organ është i aftë apo i autorizuar të hedhë në kosh vendimet e popullit, këtu nuk kemi të bëjmë fare me demokraci por me një aristokraci njerëzish të zgjedhur. Që në rastin konkret janë prokurorët dhe gjykatësit fuqiplotë. Dhe ky është rreziku real që kërcënon sot demokracinë: kthimi në një republikë jo të zgjedhurish, por të emëruarish nga një kastë sunduese.
Para 60 vitesh presidenti francez De Gol (De Gaulle) u shpreh privatisht se i duheshin 6 njerëz besnikë për të formuar Gjykatën e Lartë në vend! Që do të kishte kompetenca që duhet t’ia kalonin edhe atyre të Parlamentit! Kjo do të thotë shumë.
Nisur nga këto fakte dhe qëndrime, kryeministri Rama i ka cilësuar skandaloze vendimet e gjyqtarëve ndaj zaptuesve të hapësirës publike dhe është shprehur se “KLGJ ka harruar se roli i saj themelor është të shqetësohet për cilësinë e drejtësisë”. Rama thekson po ashtu se KLGJ-ja ka për detyrë të marrë seriozisht ankesat për vendimet “qorre” të gjyqtarëve, të cilat, sipas tij, shfaqin “mungesë ndjeshmërie ndaj interesit publik.” Ai kujtoi me këtë rast se është pikërisht KLGJ-ja dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) që duhet të veprojnë ndaj këtyre rasteve.
Duke gjykuar letrën e KLGJ-së Rama i këshillon anëtarët e saj të mos harxhojnë kohën e tyre për të gjykuar se si ai e bën punën, për të cilën është votuar nga populli shqiptar – gjykatësi im i përditshëm, nënvizon ai “të cilit unë nuk kam se si të mos ia shpjegoj hapur se pse nuk largohen njësoj si të tjerat ca ngrehina të paligjshme në mes të rrugës, që marrin mbrojtjen e pajustifikueshme të ca gjykatësve të pandjeshëm ndaj interesit publik”.
“KLGJ-ja dhe institucionet e tjera të drejtësisë të përqëndrohen te puna e tyre, që gjer më sot lë shumë për të dëshiruar në funksion të Shqipërisë 2030 në BE” – e përfundon fjalën e tij kryeministri i vendit.
Ndryshe para pak ditësh lexova se Gjykata kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj një personi që kishte fyer një gjykatës! Urdhër arresti ndërkombëtar për një fyerje. Ndërkohë që për shkelje të rënda, gjykatat as që ndihen. Jo më të japin drejtësi! Çfarë turpi! Por institucionet e drejtësisë nuk e marrin këtë masë me sy mbyllur. Ato thjesht duan t’i tregojnë njerëzve dhe qeverisë se ata janë mbi të gjithë dhe u shkon dora larg!
Prandaj është e domosdoshme që ky sekt i rrezikshëm të vihet sa më shpejt nën një kontroll demokratik. Se kjo ka të bëjë pikërisht me të ardhmen e vendit që kërcënohet nga një sekt mafioz!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment