Gjatë takimit në Alaskë midis presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin më 15 gusht, një “vogëlsirë” tërhoqi vëmendjen e pothuajse të gjitha televizioneve në mbarë botën: pulovra e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, e cila ishte e zbukuruar me shkurtesën CCCP (BRSS në shqip), ose ndryshe Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike!
Dikur këto 4 gërma njiheshin botërisht. Ato i mbanin me krenari përfaqësuesit e Bashkimit Sovjetik të asaj kohe. Këto gërma gjendeshin edhe në kaskën e kozmonautit të parë në botë Juri Gagarin, por po ashtu edhe tek ekipet e futbollit, volejbollit, shahut, hokeit mbi akull etj të asaj kohe.
Por pak nga pak këto gërma ranë në harresë. Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe bashkë me të edhe ideologjia komuniste. Sistemi kapitalist fitoi në të gjitha fushat:¨si në ideologji, në ekonomi, në shkencë, kulturë, arsim e kudo tjetër. Emri komunist pothuajse u bë i urryer. Këto katër gërma përfaqësonin tani veç të shkuarën, shpesh herë edhe të përgjakshme dhe shtypëse. Si psh kampet e përqëndrimit, gulagët, mungesën e lirisë së fjalës, të lëvizjes, të nismës private etj etj.
Ndryshe sot përdorimi i kësaj sigle nga ana e ministrit të jashtëm rus, është konsideruar në Perëndim si një lloj provokacioni, si një nostalgji për të kaluarën sovjetike të Rusisë. Ose është interpretuar edhe si një provokim për Kievin, si një kujtesë e kohës kur Ukraina ishte nën kontrollin e Moskës.
Ky imazh bëri menjëherë xhiron e botës në ekrane. Ndërsa ministri i jashtëm rus e shpjegoi mbajtjen e kësaj veshjeje si diçka humoristike, duke mohuar çdo provokim ndaj Ukrainës. “Unë nuk mendoj se ne bëmë një sensacionalizëm. Këtu nuk ka asgjë anormale”, pohoi Sergei Lavrov. “Kjo nuk ka të bëjë me imperializmin, apo si një përpjekje për të ringjallur mendimin perandorak. Ajo që është në rrezik është se ka një histori. Dhe se kjo histori duhet ruajtur, duke përfshirë këtu edhe humorin” – shtoi ai.
Por çudia e çudive, është se që atëherë, ky pulovër është kthyer në një objekt shumë në modë në Rusi dhe përtej saj. Marka e vogël e veshjeve SelSovet, me qendër në Shelabinsk në Urale, është tashmë e mbingarkuar me porosi: pulovrat e saj që mbajnë siglën CCCP janë blerë të gjitha dhe në Avito (ekuivalenti i Gabit në Rusi) ato mund të gjenden vetëm me 4, 5 apo edhe 10 herë çmimin e tyre fillestar të shitjes.
Pyetja është: A kemi të bëjmë këtu me një farë nostalgjie pas rënies së Bashkimit Sovjetik?! Thuhet, dhe këtë e pohojnë edhe mediat e huaja perëndimore, se në qarqet nacionaliste në Rusi, shumë njerëz janë dëshpëruar për shpërbërjen e ish Bashkimit Sovjetik, i cili shihej si një ideologji e barazisë dhe e vëllazërisë ndërmjet popujve!
Një ndjenjë të cilën kanë filluar ta shfrytëzojnë edhe disa punishte prodhuese, siç është pikërisht SelSovet. Kjo fabrikë ka filluar tani të punojë dhe ta prodhojë këtë pulovër 24 orë në ditë, 7 ditë në 7. Kompania pohon se do të hedhë në treg së shpejti edhe një version anglisht të kësaj veshjeje, pasi pretendon se ka marrë porosi edhe nga jashtë!
Dhe thuhet se porositë për këtë pulovër janë 48fishuar veçse gjatë javës së fundit, ndërsa çmimi ka kapur tavanin. Tani duhet të nxjerrësh nga xhepi 110 euro për të pasur një pulovër CCCP! Dhe për më shumë duhet të presësh dy muaj! Dhe në rast se je i paduruar duhet të nxjerrësh nga xhepi 2 600 euro, bën të ditur televizioni francez T1-LCI.
Ndryshe: – Çfarë do të thotë një tërbim i tillë?! Është thjesht një çështje mode e përkohshme apo nostalgjie për një epokë të kaluar?! Ndryshe a mos do të na kthehet edhe sigla “BRSS” si dikur foto e Che Guevarës?!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment