Ja pra edhe takimi aq i shumëpritur midis presidentit amerikan dhe atij rus përfundoi. Gjithë bota diplomatike i mbajti sytë aty dhe priste të shihte se çfarë do ngjante. Dhe siç është pohuar edhe te shkrimi i botuar para pak ditësh në këtë blog për takimin e së premtes në Alaska, nuk ngjau ndonjë hata e madhe.
Madje nuk pati as edhe ndonjë konferencë shtypi, por vetëm dy kumtime nga Putin dhe Trump për çfarë ishte rënë dakort dhe për çfarë nuk ishin marrë vesh. Për mbi 200 gazetarët e akredituar që të ndiqnin këtë mbledhje ngelën vetëm hamëndjet dhe supozimet. Aq i mbyllur u tregua ky takim.
Por ajo që u mor vesh pas këtij takimi ishte se kërkesa kryesore e Zhelenskit dhe europianëve për një armëpushim midis dy palëve ndërluftuese u hodh poshtë nga presidenti i Amerikës.
Dhe pikërisht këtu ishte përqëndruar e gjithë diplomacia europiane. Që të arrihej në një armëpushim. Por vetëkuptohet se ky armëpushim kërkonte kontroll dhe siguri se ai nuk do shkelej, sidomos nga Rusia. Për këtë qëllim europianët ishin treguar të gatshëm të dërgonin në Ukrainë disa dhjetëra mijëra trupa si garante të armëpushimit!
Dhe kuptohet se Putini nuk mund ta pranonte kurrë futjen e trupave perëndimore, anëtare të NATO-s, në territorin e Ukrainës. Se pastaj nuk i dihet, një incident në kufirin Ukrainë – Rusi dhe ekzistonte rreziku që Moska të përballej edhe me trupat e shteteve anëtare të Aleancës Atlantike.
Dhe siç duket Putini arriti ta bindte Trumpin që armëpushimi nuk ishte zgjidhje dhe se ky armëpushim duhej të zëvendësohej me një paqe të qëndrueshme! Po si, në çfarë kushtesh?! A do i ruajë Rusia 4 rajonet e Donbasit që ka pushtuar, plus Krimenë?! A do e pranojë një kapitullim të tillë presidenti i Ukrainës?! Atëhere përse u vranë ata qindra mijëra njerëz?! Si do reagojë presidenti i Ukrainës këtë të hënë kur do takojë përsëri Trumpin në Uashington?! Aq më shumë po të kihet parasysh se si ai u prit me “këmbët e para » para 6 muajsh në zyrën e presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë?!
Europianëve u erdhi tepër thartë edhe nga mënyra pompoze se si u prit Putin nga Trump! Ai që Europa e ka damkosur si kriminel lufte i kërkuar edhe nga gjykata ndërkombëtare për krimet e luftës pritet me të gjitha nderimet nga presidenti i superfuqisë së parë në botë! Ku vajtën deklaratat e europianëve dhe sanksionet e pafundme që këto vende ndërmorrën ndaj vendit agresor?!
Këtij personazhi kaq të urryer nga Macron, Starmer, Metz dhe Tusk për më shumë i shtrohet edhe qilimi i kuq në pritje dhe kulmi i kulmeve ai udhëton edhe me limuzinën e blinder të Trumpit dhe bashku me të!
Rrallë janë pritur me këtë pompozitet kryetarët e shteteve në Amerikë. Po Zhelenski si do pritet të hënën që vjen?!
Europa tani nuk po di çfarë të bëjë. Ajo nuk e mban dot peshën e luftës me Rusinë pa ndihmën e Amerikës. Prandaj edhe gjithë politika e saj dhe e Kievit ishte ta rendiste Trumpin nga ana e saj. Por duket se pesidenti amerikan nuk dëgjon nga ai vesh. Për më shumë ai mendon afërsisht si Putin. Se kjo luftë u shkaktua nga Biden dhe demokratët amerikanë. Dhe se ky nuk është sot problemi i Amerikës.
Në analet e diplomacisë ndërkombëtare është ngulitur edhe shprehja e zëvendëssekretares amerikane të shtetit Viktoria Nulland „Fuck Europë“. Ishte koha kur presidenti francez Sarkozi dhe kancelarja gjermane Merkel nuk ishin në favor të përfshirjes edhe të Ukrainës në NATO apo në BE.
Ishte viti 2014 kur në sheshin Maidan të Kievit kishin filluar demonstratat kundër presidentit të ligjshëm Janukoviç, pasi ai nuk donte të shkëpuste lidhjet me Rusinë dhe të kalonte në kampin perëndimor. Pikërisht në atë vit, si raprezalje ndaj rrëzimit të njeriut të saj në Kiev, Moska futi trupat dhe pushtoi Krimenë. Pastaj historia vazhdoi me agresionin rus në Donbas më 7 shkurt 2022.
Biden dhe vendet europiane u betuan atëkohë se do ia nxirrnin nga hundët këtë veprim Rusisë. Prandaj ato e ndihmuan Ukrainën me të gjitha mjetet financiare dhe ushtarake që kishin mundësi. Por Biden humbi zgjedhjet dhe Trump kishte plane të tjera.
Dhe sot beteja në frontin e luftës po shkon në favor të Rusisë. Çfarë mund të bëjnë tani europianët dhe Zhelenski?! Cila është zgjidhja e konfliktit?! A nuk gjendemi prapë aty ku ishim? Edhe pas takimit aq të shumëpritur Trump – Putin?! Askush nuk e di.
Por ajo që dihet dhe pranohet nga të gjithë analistët ndërkombëtarë ështe se Putini u reabilitua botërisht dhe se Europa ka ngelur me gisht në gojë. Të shohim si do venë ngjarjet javët dhe muajt e ardhshëm. Vazhdoni të na ndiqni në këtë blog.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment