Filmi “Barbi” që po trazon Francën

      Duket se ka qënë e shkruar që kukulla e famshme, e njohur me emrin Barbi, të ngjallë gjithmonë debate dhe kundërshti. Që kur u hodh në treg për herë të parë në vitin 1959 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo kukull për vajzat e vogla, por me pamjen e një nuseje të bukur, ngjalli kundërshti të shumta. Arsyeja kryesore e këtyre debateve vinte nga pamja e saj tejet femërore.

      Para se të ishte astronaute, doktoreshë, amvise etj etj ajo ishte një femër. Kjo pamje i tërboi neofeministet e asaj kohe, që nuk u pëlqente që si tipar të sajin kryesor ajo të kishte feminilitetin e saj.

      Megjithatë, dhe pavarësisht kritikave, Barbi, mbetet edhe sot e kësaj dite, 65 vjet pas shfaqjes së saj të parë, kukulla më e dashur dhe e më njohur për vajzat e vogla anë e mbanë botës. Me miliona kopje të saj në 175 variante janë shitur kudo.

       Barbi, emri i vërtetë i së cilës ishte Barbara Millicent Roberts, u krijua në vitin 1959 nga Ruth Handler, e cila e “pagëzoi” me atë emër për nder të vajzës së saj. Barbi e parë mbërriti në raftet e dyqaneve Simpson-Sears në vitin 1960. E hedhur në treg më 9 mars 1959 nga Ruth Handler për tu mundësuar vajzave të vogla se si ta projektojnë veten në jetën e tyre të ardhshme kur të jenë të rritura, kukulla ka kaluar breza të tërë jetësh njerëzore.

      Suksesi ishte i tillë saqë për këtë kukull janë prodhuar rreth 40 filma vizatimorë, pothuajse aq sa edhe për Borëbardhën. Por filmi i fundit, i prodhuar në vitin 2023 ka ngjallur përsëri debate të ashpra.

       Barbi i fundit është një film britaniko-amerikan i vitit 2023 i bashkëshkruar dhe drejtuar nga Greta Gerwig. Ai bazohet në gamën e kukullave me të njëjtin emër, shitur nga kompania Mattel, e cila prodhoi edhe filmin, dhe është prodhimi i parë “live-aktion” nga universi i kësaj kukulle, që gjendet sot, siç thamë, në 175 versione, pas disa filmave artistikë dhe serialeve televizive vizatimore.

        Filmi ka pasur një shikueshmëri rekord gjatë vitit 2023 në Shtetet e Bashkuara si dhe një shikueshmëri të gjërë në botë për një film me regji të një gruaje, duke fituar jo më pas se 155 milionë dollarë në Shtetet e Bashkuara veçse në fundjavën e tij të parë në kinema.

       Por tani 2 vjet pas shfaqjes së tij të parë, filmi ka ngjallur përsëri debate të forta, kësaj rradhe në Francë. Aq sa për këtë film janë shprehur që nga ministri i rendit i Francës, Retaillleau, deri te kryetarja e partisë “Bashkimi Kombëtar”, Marinë Lë Pen!

      Po çfarë ka ngjarë?! Pse gjithë kjo zhurmë për një film që ka 2 vjet që shfaqet në pothuajse të gjitha kinematë e Europës?! Thjesht sepse një shfaqje e këtij filmi u anulua javën e kaluar në Francë pas”kërcënimeve këmbëngulëse” nga një grup të rinjsh.

      Aq bujë shkaktoi anullimi i shfaqjes së këtij filmi saqë me këtë rast u bë e ditur se ka nisur edhe një hetim këtë të enjte ndaj këtij grupi të rinjsh, nën akuzat për kërcënime, dhunë ose akte frikësimi, pas anulimit të shfaqjes  më 8 gusht në një lagje të Noisy-le-Sec (në lindje të Parisit), njoftoi edhe Agjencia franceze e lajmeve, AFP, nga zyra e prokurorit të Bobigny.

      “Një hetim është hapur për kërcënime, dhunë ose akte frikësimi ndaj një oficeri të shërbimit publik për ta ndaluar në kryerjen e misionit të tij”, pohoi po ashtu një burim gjyqësor.

      Komuna kishte qënë e detyruar të anullonte shfaqjen e filmit “Barbi” në një ekran gjigant, në shesh të hapur në lagjen Londeau, sepse një duzinë të rinjsh kishin bërë “kërcënime këmbëngulëse”, sipas kryebashkiakut, për t’i dhënë fund vetë seancës.

       Duke folur për shtypin të premten e kaluar, Sarrabeyrouse, kryetari komunist i kësaj komune, nënvizoi se ai e kishte përshkruar qëndrimin e këtyre të rinjve si ” obskurantist dhe fondamentalist” dhe hodhi poshtë argumentin e tyre “krejtësisht të gabuar”, sipas tij, se filmi nxiste dhe lavdëronte homoseksualitetin dhe dëmtonte imazhin e grave.

       Bashkia po punon për “riplanifikimin e këtij filmi” brenda një kohe të arsyeshme, njoftoi ai, duke shpresuar për një moment që në këtë mënyrë  të mos lejohet që “një grup meshkujsh të paraqiten si censurues moralë”.

       Por zyrtari i zgjedhur është i zëmëruar edhe me natyrën “krejtësisht joproporcionale” të polemikave që pasuan menjëherë pas anulimit të shfaqjes së këtij filmi: “Unë dënoj edhe më fort ripërdorimet politike, spekulimet dhe urrejtjen raciste islamofobike që është derdhur tash 24 orë nga e djathta dhe e djathta ekstreme”, nënvizoi ai.

        “Më vjen keq për faktin që një grup i vogël në lagje mobilizoi energjinë e tij nën presionin e një individi për të parandaluar shfaqjen e këtij filmi, edhe pse ai klasifikohet si i hapur për publikun në Francë”, shkroi Olivier Sarrabeyrouse, kryebashkiaku i qytetit, në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të komunës dhe në Facebook.

      “Unë nuk do të toleroj zonat kulturore pa ligj në qytetin tonë,” shtoi ai, duke njoftuar se do të paraqesë një ankesë të enjten në mëngjes për rrezikimin e punonjësve të shërbimit publik dhe kërcënimet ndaj tyre.

      “Midis dhjetë dhe pesëmbëdhjetë individë rrethuan oficerët,” tha kryebashkiaku për AFP. “Nëse instaloni pajisjet, ne do çmontojmë gjithçka dhe do i japim fund seancës suaj,” kërcënuan ata, sipas Olivier Sarrabeyrouse. ” Është një formë e censurës morale,” vazhdoi ai para se të shtonte se: “Unë nuk u dorëzova ndaj presionit, veprova si një kryetar bashkie i përgjegjshëm për sigurinë e zyrtarëve të komunës dhe familjeve”, këmbënguli kryebashkiaku, duke rikritikuar një rikuperim të polemikave nga e djathta ekstreme. Për më shumë ky film është konsideruar si kampion global i fitimeve, me 1.4 miliardë dollarë të ardhura.

       Këto polemika, që janë pasqyruar edhe në shtypin vendas, bënë që edhe ministrja e Kulturës, Rachida Dati, të reagojë: “Një tjetër sulm i rëndë ndaj programimit, duke privuar familjet dhe fëmijët nga një aktivitet kulturor. Kam marrë masa të forta kundër këtyre shkeljeve të rënda, të cilat janë bërë një formë e re e kriminalitetit. Një ankesë është duke u ndjekur”, shkroi Rachida Dati, në rrjetin social X. Ankesa do të paraqitet për “pengim të ushtrimit të lirisë për të përhapur krijimin artistik”, nënvizoi ministria për AFP.

        Vendimi i kryebashkiakut për të anuluar seancën u kritikua ashpër edhe nga shumë kundërshtarë politikë në të majtë dhe të djathtë. Zëdhënësi i Tubimit Kombëtar (RN), Aleksandar Nikoliç, tha  për Europe 1 se “është për të njëjtat arsye që ky film është ndaluar në disa vende që janë përshtatur me ligjet islame”. Senatorja e Republikanëve, Valérie Boyer, qortoi kryebashkiakun se iu nënshtrua “fondamentalistëve fetarë islamikë (të cilët) ushtrojnë kontroll të fortë dhe të dukshëm shoqëror”. Edhe ministri rendit në Francë, duke u shprehur rreth anulimit të filmit “Barbi” nënvizoi se në Francë nuk ekziston policia e kontrollit të zakoneve dhe virtyteve!

        Ndërsa nuk ka kufi moshe në Francë, “Barbi” është ndaluar për fëmijët nën 13 vjeç në Shtetet e Bashkuara dhe është ndaluar edhe në disa vende myslimane dhe aziatike.  Megjithëse filmi dëshmon mbi të këqijat e shoqërisë sonë dhe pabarazitë që janë ende shumë të pranishme midis burrave dhe grave. Mjaftueshëm për t’u dhënë adoleshentëve një mësim të mirë.

         Në Shtetet e Bashkuara, komisioni i klasifikimit e justifikoi vendimin e tij me “aludimet sugjestionuese dhe gjuhën e vrazhdë” të një filmi në të cilin Barbi e pyet Kenin, shokun e saj, kur ai i propozon të flejë në shtëpinë e saj, në një mënyrë shumë naive: “Pse? Për çfarë?” përpara se të shpjegonte më vonë se ajo “nuk ka vaginë”.

         Përveç politikës dhe masmediave zyrtare komente të zjarrta dhe të ndezura ka pasur këto ditë edhe në rrjetet sociale. Shumica e komentuesve madje kanë kërkuar dëbimin nga Franca të këtyre të rinjve, (shumica me origjinë myslimano/arabe, pavarësisht se shumica prej tyre kanë lindur në Francë)! Por ka pasur edhe të tjerë që janë shprehur se nuk është e detyrueshme që të jesh mysliman për të qënë kundër këtij filmi!

           A mos vallë, pa dashur, ky film mbi jetën e një kukulle, po nxjerr në sipërfaqe përplasje kulturore , madje edhe qytetërimesh, ndërmjet banorëve të Francës?! Ndryshe a ka nevojë sot çdo shoqëri për edukatë dhe moral, si mjete për të luftuar edhe kundër përhapjes së drogës, degjenerimit, vjedhjeve etj etj?! Debat ky i nxitur përsëri nga kukulla Barbi!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment