Është tejet e njohur shprehja e Faik Konicës : »Tani që bëmë Shqiperinë, le të fillojmë të bëjmë edhe shqiptarët » ! Sepse Faik Konica ishte një njohës i thellë i shpirtit të shqiptarëve. Ai nuk ishte gabuar kur kishte vërejtur prapambetjen e tyre shekullore, etjen për tu pasuruar me çdo mjet, zakonin për t’iu perulur të fuqishmit dhe të bërit të trimit me të dobëtin.
Madje edhe të huajt janë shprehur se shqiptarët janë aq shumë individualista, vetjakë, e përbuzin aq shumë ligjin saqë nuk janë të aftë të bëjnë shtet !
A ishim të tillë që në kohën e Skënderbeut apo pushtimi i gjatë turk na transformoi, jo fetëm në fe, por edhe në tradita, zakone, emra etj ?! Ne mburremi me besën, por harrojmë Kanunin dhe vrasjen pas krahëve deri te kusheriri i shtatë në shtatë breza. Ligj dhe zakon egërsirash.
Ndryshe janë psh francezët. Kur dikush ua ka bërë borxh, francezi e ftonte në duel ballë për ballë dhe aty mbyllej « muhabeti ». Por jo shqiptari fshihet pas gurit apo kaçubes dhe pret që i ngujuari të dalë nga shtëpia dhe bam papa krahëve.
U vumë në shërbim të pushtuesve turq pa na vrarë fare ndërgjegja. U kthyem madje në krahun e tyre të djathtë duke i shërbyer që në kohën e Qyprilinjve (40 vezirë= kryeministra), duke i shërbyer si zabita, asqerë, bejlerë, pashallarë dhe guvernatorë deri në Liban apo Siri.
Kur erdhi viti 1990 braktisëm të parët Atdheun, ikëm nga sytë këmbët. Në vitin 1997 e dogjëm fare Shqipërinë dhe që atëhere vazhdojmë të largohemi nga vendi.
Një intelektual shqiptar e shprehu bukur maninë tonë për të braktisur vendin e të parëve: „Shqiptarët duan atdhe të gatshëm » – shkruajti ai. Pra ne nuk duam të sakrifikojmë si popull për të bërë vendin tonë.
Shembulli i kombit gjerman në këtë rast është shumë domethënës. Ata u shkatërruan pas Luftës së Dytë Botërore, por iu përveshën punës dhe e rindërtuan vendin e tyre nga e para. Sot Gjermania është shteti më i fuqishëm dhe i zhvilluar i Europës, falë disiplinës dhe dashurisë së tyre për punën.
Le të marrim tani si shembull rastin e izraelitëve. U dëbuan nga vendi i tyre para 1 000 vjetësh në kohën e kryqëzatave. Por nuk e braktisën fenë e tyre. As edhe zakonet dhe traditat mijëravjeçare. Nuk u asimiluan. Megjithëse pësuan progrome të llahtarshme gjatë gjithë këtyre shekujve. I fundit fare ai i Hitlerit! Ata e provuan nën lëkurën e tyre se çfarë do të thotë të „jesh pa Atdhe“. Edhe ne shqiptarët e kemi pasur dikur një këngë të tillë, që thoshte: “Nuk jemi pa Atdhe“, por e kemi harruar tani. Atdhe = fjalë komuniste!
Dhe tani gjysma e shqiptarëve mund të konsiderohen si „pa Atdhe“. Sepse janë larguar nga vendi i të parëve. Por ndryshe nga çifutët ne e kemi një të „mirë“: asimilohemi me shumë qejf!
Deri më tani Shqipëria përmendej në televizionet perëndimore si një vend me një të ardhme të bukur turistike. Por ditët e fundit këto reportazhe janë zëvendësuar nga ato për djegiet e pyjeve dhe fshatrave të vendit. Po digjet edhe Greqia, Spanja etj, por jo në atë masë sa Shqipëria. Duke pasur parasysh madhësinë e çdo vendi.
Është e vërtetë se çdo vend ka piromanët dhe të çmendurit e tij. Por duket se në Shqipëri këta përbëjnë shumicën. Me shumë gjasa 90 për qind e zjarreve sot i kanë shkaktuar vetë disa shqiptarë shtazë, të sëmurë mendorë. Ja faktet: Zjarret që kanë përfshirë Shqipërinë gjatë muajve të verës kanë lënë pas një bilanc të rëndë: dëme kolosale në bujqësi, blegtori, banesa e madje dhe 1 të vdekur. Ajo që e bën situatën edhe më alarmante është fakti se një pjesë e mirë e këtyre zjarreve janë vënë qëllimisht.Policia e Shtetit zyrtarisht bën me dije që në harkun kohor të rreth 3 muajve, nga qershori deri më sot (14 gusht), janë identifikuar 137 autorë të zjarrvënieve. Nga këta, 46 janë arrestuar dhe 91 janë nën hetim në gjendje të lirë.
Mirë që e braktisëm vendin tonë për një jetë më të mirë te vendi i tjetrit. Po ti që ke ngelur aty, pse e djeg Shqipërinë?! Po digjen qindra hektarë me pyje që duan 100 vite të ripërtërihen, digjen bagëtitë, (kur nuk i vrasin me armë siç ngjau me kuajt), digjen shtëpitë që tjetri me zi e ka ndërtuar dhe ti që i vure zjarrin kënaqesh!
E pat thënë një herë Borghezio, deputeti i partisë së Berluskonit. „Shqipëria është e bukur, por pa shqiptarët“!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment