Çfarë mund të presim nga takimi në Alaskë?

          Europa është tejet e shqetësuar. Pasi këtë të premte në Alaskë do të takohen dy nga presidentët më të fuqishëm të botës: ai i Amerikës, Donald Trump me atë të Rusisë, Vladimir Putin. Arsyeja e këtij takimi të pazakontë dihet: gjetja e një paqeje të qëndrueshme në konfliktin Rusi – Ukrainë.

         Europa ndjehet e shqetësuar për disa arsye. Së pari pasi ajo është lënë jashtë tavolinës së bisedimeve. Njëlloj si dhe Ukraina. Së dyti se ajo ka frikë se gjatë këtij takimi mund të merren vendime që asaj nuk do t’i shkojnë për shtat.

      Deri më sot Europa ka qënë një nga mbështetëset më të fuqishme të Ukrainës, sa në fushën politike, por po aq edhe në atë ushtarake. Dhe megjithë këtë „kyçje“ të saj në këtë konflikt, Rusia vazhdon „gërryerjen“ e territorit ukrainas. Rreth 20 përqind e këtij territori gjendet sot e pushtuar nga ajo. Dhe bathët nuk duken të mbara.  Rusia po jeton si në kohë lufte. Ajo e ka vënë gjithë arsenalin e saj në shërbim të këtij konflikti. Por edhe Ukraina nuk mbetet prapa. Aq sa që Rusia mezi pushton një fshat në javë pas luftimesh të rrepta dhe shkatërruese.

      Pa dyshim që Europa, sidomos Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Polonia i rrinë pas Ukrainës. Duke e furnizuar pa kursim me të gjitha materialet luftarake të fjalës së fundit që ajo ka nevojë. Kështu shpjegohet edhe përparimi i ngadaltë i Rusisë në fushën e frontit. Se edhe raportet nuk janë të barabarta. Rusia ka një popullsi mbi 3 herë më të madhe se Ukraina. Pa folur këtu për sipërfaqen tokësore.

      Deri më tani europianët kërkonin me këmbëngulje angazhimin e plotë të Amerikës në mbështetje të Ukrainës. Angazhim që nuk mungoi për sa kohë që në pushtet ishte Xho Biden. Por me rikthimin e Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Pavarësisht se gjatë fushatës elektorale ai premtonte se do t’i jepte fund konfliktit Ukrainë – Rusi për 24 orë, sot 6 muaj pas kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, gjërat nuk kanë lëvizur edhe aq shumë nga vendi.

           Për më shumë Trump e ka treguar disa herë që ai nuk është shumë i interesuar për këtë konflikt, i cili sipas tij, as që duhet të kishte ngjarë. Sipas Trump-it kjo ishte lufta e Bidenit dhe e demokratëve amerikanë. Trump-I vetë i ka sytë nga Kina, e cila rrezikon seriozisht t’i marrë lidershipin Amerikës.

       Por si europianët, ashtu edhe Zhelenski, kanë bërë ç’është e mundur që edhe Amerika e Trump-it të kyçej në këtë konflikt. E çuditshmja është se tani që Trump ka marrë nismën që të takohet me Putinin për t’i gjetur një zgjidhje këtij konflikti, Europës i ka vajtur temperatura 40 gradë. Aq sa shefja e re e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, ka organizuar për sot, 11 gusht, një ballafaqim video, ndërmjet të gjithë ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian. Synimi është për të dalë me një qëndrim të përbashkët në zgjidhjen e konfliktit Ukrainë- Rusi. Apo në vënien e piketave të kuqe të cilat Trump-i nuk duhet t’i tejkalojë.

      Këtu ka një paradoks. Nga njëra anë Europa kërkon me britma dhe lutje përfshirjen edhe të Amerikës në këtë çështje dhe nga ana tjetër ajo dëshiron të vëjë piketa apo një vijë të kuqe, se deri ku duhet të shkojnë bisedimet Trump – Putin dhe ku nuk duhet lëshuar pe!

     Ndryshe kësaj i thonë: „Amerika duhet të ndërhyjë, por duhet të veprojë siç i themi ne. Ose të na pyesë edhe ne“. Prandaj ajo ndjehet sot shumë e fyer nga takimi dypalësh Trump – Putin, ku as ajo dhe as Ukraina nuk janë ftuar! Roli i Europës në këtë rast ngjan me atë të karrocës që do të udhëheqë kalin!

        Presidenti i Ukrainës, Zhelenski, nga ana e tij ka pohuar se sido që të vijë puna, ai do të jetë në Alaskë të premten. Me shpresën se mos e ftojnë në „dasëm“!

       Këtu megjithatë ka një kundërshti: Ose do të jetë Trump që do ta udhëheqë vallen, ose do të jetë Europa me Zhelenskin. Putin nga ana e tij ka pranuar të bisedojë për këtë konflikt, veçse me Trump-in. Pa i përfillur europianët apo presidentin e Ukrainës.

      Në këtë rast do të ishte mirë që Europa ta thoshte mendimin e saj pas takimit të së premtes dhe përfundimeve të tij. Ajo atëhere mund të shprehej se ku ishte në një mëndje me pikat e marrëveshjes dhe ku ishte kundër. Po ashtu edhe Zhelenski.

       Një zgjidhje për Ukrainën pa Ukrainën tingëllon vërtet si e çuditshme. Në rast se nuk merret parasysh roli prej „mblesi“ i Trump-it. Ai duket se dëshiron veçse të bashkafrojë me njëri tjetrin qëndrimet, deri më tani krejtësisht kontradiktore të Ukrainës dhe Rusisë

      Por në këtë rast Europa ka frikë se në rast të mos arritjes së një marrëveshjeje, Trump mund të shprehet: „Nuk jeni dakord me këtë marrëveshje, bëni vetë një tjetër. Unë po tërhiqem dhe po ju lë dorë të lirë ta zgjidhni ju vetë këtë përplasje“!

       Europa nuk e do një përfundim  të tillë se ajo e di se pa ndihmën e Amerikês, ajo është e pafuqishme t’i ndrrojë rrjedhën këtij konflikti! Prandaj përpiqet me të gjitha mënyrat t’i imponohet Trump-it. „Amerika i ka të gjitham undësitë ta bëjë Rusinë të tërhiqet“, deklaroi pak orë më parë shefja e diplomacisë europiane, Kallas.

       Atëhere çfarë mund të presim nga takimi i së premtes?! Me siguri pak gjë. Më e shumta mund të ketë një armëpushim të shkurtër, fjalë të bukura dhe asgjë më shumë. Se të dyja palët ndërluftuese nuk kanë ndërmend të tërhiqen një grimë nga kërkesat e tyre. Zhelenski nuk pranon dorëzimin e 4 krahinave të Donbasit, plus Krimenë, Rusisë. Putini nga ana e tij nuk pranon që Ukraina të futet në NATO, apo që shtetet e BE-së të çojnë trupat e tyre në Ukrainë si garante të paqes.

         E thënë ndryshe dhe shkurt: vetëm fusha e betejës i lan hesapet. Vetëm ajo i jep zgjidhje këtij konflikti. Pra kur njëra nga palët të mundet. Takimet diplomatike, si ky i Alaskës, mund të shërbejnë veçse si një mundësi për të mëdhenjtë e kësaj bote për tu treguar si të interesuar për paqen në botë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment