Opinioni publik shqiptar u trondit sot nga lajmet shockuese që përcilleshin pa ndërprerje nga disa media në vend. “Televizioni më i shikuar, News24 » u mbyll sot nga qeveria e Ramës”, “Një goditje e paparë ndaj shtypit të lirë », « veprim prej xhelati i Ramaduros » !, « shoqatat e gazetarëve ngrenë fuqishëm zërin », « Bëhuni me ne sot,se nesër do të jetë vonë. Diktatura është afër » ! etj etj.
Gati, gati sa nuk po flitej për një revolucion. Por ç’ka kishte ngjarë në të vërtetë ?! Thjesht policia kishte zbarkuar që në 6 të mëngjezit te Televizioni « News 24 », pronë e një oligarku të fuqishëm vendas. Në të njëjtën kohë rryma elektrike u ndërpre dhe po ashtu edhe transmetimi televiziv.
Po pse ? Si kështu – pyesnin njerëzit pasi njiheshin me lajmin e dhënë nga pothuajse të gjitha mediat. A kemi të bëjmë këtu me një shkelje të lirisë së shtypit ?! Aq më shumë kur dihet se kryeministri i ka keq punët me oligarkun, pronar të disa ndërmarrjeve dhe shoqërive, Irfan Hysenbelliun ?
Po një fjalë e urtë thotë që e vërteta vonon, por nuk mënon. Që do të thotë se një ditë apo një orë ajo do dalë ne sipërfaqe. Kështu ngjau edhe me lajmin e përhapur që në mëngjez herët. Por televizioni « News 24 » nuk ishte mbyllur. Por atij i ishte bllokuar godina ku kishte selinë. Një godinë kjo në pronësi të shtetit.
Dhe duket se vendimi për bllokimin e News 24 ishte marrë që në mars të këtij viti. Ndërsa urdhëri për lirimin e kësaj ndërtese rreth 1 muaj më parë. Por përgjegjësi i kësaj katrahure nuk kishte lëvizur nga vendi. Megjithëse i kishte humbur të gjitha kundërpaditë ndaj këtij vendimi të marrë që në vitin 2022!
Ndofta e ndjente veten tejet të fuqishëm për t’iu bindur një urdhëri të drejtësisë! Dhe kështu pa pritur policia ia behu te dera, duke i penguar punonjësit të fillonin punën!
Skandal i vërtetë! Me gjithë mend ?! Në fakt i vetmi skandal këtu ështe se Rama e ka filluar me shumë vonesë fushatën e tij të vënies së gjërave në vend. E nisi me Thethin, e vazhdoi me trotuaret e zëna anë e mbanë Shqipërisë nga tregtarët zuzarë dhe po e vazhdon me kërkesën për lirimin e një godine shtetërore, së cilës i ka përfunduar qiraja me kohë.
Por le të supozojmë një çast se qiraja vazhdon deri në vitin 2033, siç thotë Irfan Hysenbelliu. Kur dihet botërisht se pronri i një lokali, shtëpie, ndërtese etj ka të drejtë ta “thyejë” kontratën, duke e lajmëruar qiramarrësin 6 muaj përpara. Kjo mund të ngjasë psh kur pronari do të banojë vetë në shtëpinë e dhënë me qera, ose do ta përdorë për interesat e veta lokalin tregtar.
Madje shteti ka në dorë të shtetëzojë, me pagesë dhe me çmimin e tregut, edhe një tokë ku do të ndërtohet një rrugë automobilistike apo do shtrohet traseja e një hekurudhe.
Por ajo që të bie në sy në të gjithë këtë « mesele” është fakti se pronari i medias zotëron shumë ndërtesa ku ai mund ta çvendoste televizionin e tij?! Përse nuk e ka bërë deri tani?! Dhe a paguante qiranë e ndërtesës që kishte zënë ?!
Këto gjëra duheshin sqaruar nga gazetarët, para se të hidheshin përpjetë se po u shkelen liritë dhe të drejtat e tyre !
Ka qënë një kohë vërtet kur regjimi autokratik i Sali Berishës rrihte protestuesit në mes të rrugës. Po çfarë them edhe unë. Ai i vriste edhe në mes të bulevardit! Apo ia bënte shkrumb e hi redaksinë, siç ka ngjarë dikur me gazetën « Koha Jonë » !
Dhe ky mytyber tani na bën të revoltuarin se shteti u ka bllokuar hyrjen në ndërtesën shtetërore punonjësve të « News24 » ! Për më shumë gazetarët vazhdojnë edhe tani në mbrëmje të flasin dhe ankohen për shkelje të lirisë së shtypit !
Ata nuk i ka futur njeri në burg. As nuk I ka prekur kush me dorë. Thjesht i është thenë pronarit të kësaj medieje të ngrejë plaçkat dhe të lirojë banesën; lajmërim i bërë jo sot, por javë më parë.
Historia është e thjeshtë. Merr materialet që ke në godinën shtetërore dhe shpërnguli diku gjetkë. Brenda 12 orësh „News 24“ mund të transmetojë edhe më fort dhe më egërsisht emisionet e saj ndaj qeverisë!
Por jo! Ata preferojnë të shkaktojnë një furtunë në gotë. Të shprehen kundër „regjimit Rama“ që shtyp të drejtat e gazetarëve! Etj etj.
Është për të ardhur keq që demokracia në Shqipëri ka përfunduar në këtë derexhe.“ Une jam gazetar, dmth i paprekshëm, edhe kur gënjej, shpif apo akuzoj pa fakte dikë“! Kjo eshtë motoja e gjysmës së gazetarëve shqiptarë. Që mendojnë se janë mbi ligjin. Se ligji është për njerëzit dosido dhe jo për figura të shquara si ata!
Ky është një dëm i madh që po i bëhet demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri. Dhe kulmi i kulmeve është se nuk janë veçse gazetarët që kërkojnë paprekshmëri nga ligji. Por edhe ata që duhet të jenë të parët për të vënë në jetë drejtësinë. Pra nga gjykatësit dhe prokurorët dora vetë.
Para ca kohësh ata hartuan edhe një projekt kod penal ku i kishin dhënë vetes atribute të pakufishme. Jo vetëm që ata nuk duheshin të prekeshin nga ligjet, por duhet t’i përdornin ato ashtu siç ata kishin qejf. Do me thënë të kishin të drejtë dhe fuqi të arrestoni kë të donin dhe pastaj të mblidhnin faktet për ta dënuar.
Tipik në këtë rast është neni që dënon ata që me komentet dhe mendimet e tyre “ndikojnë”, “shqetësojnë” apo “keqinformojnë” trupin gjykues. Ata mund të hetohen, paditen a ndëshkohen me gjobë apo burgim. Pa pasur nevojë të provohet që kanë gënjyer, shpifur apo akuzuar pa të drejtë. Mjafton të jenë kritikë me trupin gjykues!
Ja pra ku ka arritur puna në Shqipëri. Dikur kishim partinë e Punës që nuk jepte llogari askund, madje u kërkonte llogari dhe përgjegjësi të gjithëve. Sot kemi gjykatësit, prokurorët dhe gazetarët që mendojnë se duhet të jenë të paprekshëm. Mbi ligjin dhe sipër tij. Se ligji është vetëm për atë që nuk paguan faturën e dritave.
Kjo mendësi mund të konsiderohet pa frikë si keqpërdorim dhe abuzim i paturpshëm me demokracinë në Shqipëri.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment