Fantazma e Enver Hoxhës sillet ende rrotull !

        Megjithëse kanë kaluar 40 vjet që kur ai ka vdekur, debatet rreth Enver Hoxhës dhe rolit të tij në Shqipëri ziejnë ende, sa brenda vendit, por po aq edhe në botë. Për tu bindur për këtë mjafton të qëmtosh shtypin dhe masmediat shqiptare, ku komentet rreth veprave të mira apo të këqija të diktatorit nuk kanë fund!

      Por tani është një masmedia e njohur franceze që ka shkruar rreth „bëmave“ të tij. Dhe titulli i këtij artikulli është tejet domethënës: „Enver Hoxha ose tirani gjaksor i vendit të shqiponjave. Shqipëria, burgu stalinist i Europës“.

       Artikulli është publikuar veçse 3 ditë më parë në median elektronike „AgoraVox“, një media kjo e pavarur dhe e ndjekur shumë nga ata që merren me politikën botërore. Te „AgoraVox“, që siç e thotë edhe titulli është një media e hapur për të gjithë, ka artikuj të të gjitha formave dhe qëndrimeve. Disa janë proamerikanë, disa antiamerikanë, pro Izraelit dhe kundër tij, me Rusinë dhe ashpërsisht kundër saj etj etj.

        Megjithëse konsiderohet si e „hapur“, (emri i saj mund të shqipërohet si „Zëri i sheshit“ apo i piacës, apo edhe si zëri i turmës apo i masës)! pasi „Agora“ në Athinën e lashtë ka qënë sheshi ku filozofë, artistë, demagogë apo edhe politikanë të kohës mbanin fjalimet e tyre të zjarrta para turmës. Kështu psh ka pasë vepruar Platoni, Aristoteli, Sokrati etj etj. Aty merreshin edhe vendimet më të rëndësishme për të ardhmen e këtyre qyteteve – shtete.

         Megjithatë jo kushdo mund të botojë në këtë forum. Pasi ka një ekip që mbikqyr gjithçka. Duket se bindjet politike nuk censurohen, por kontrollohet me kujdes cilësia e shkrimit, vërtetësia e fakteve dhe forca e argumentit.

       Autori i shkrimit mbi Enver Hoxhën e quan veten Giuseppe di Bella di Santa Sofia. Ai pretendon se ka qënë dikur këshilltar politik i princit kamboxhian Norodom Sihanuk, i cili ka pasë vizituar dy herë Shqipërinë në kohën e Enver Hoxhës. Ndofta edhe autori i mësipërm ka qënë pjesë e këtij delegacioni, ndryshe nuk spjegohet njohja e përpiktë e situatës në Shqipëri në atë kohë!

        Shkrimi i shoqëruar edhe me 10 fotografi të diktatorit dhe Shqipërisë së asaj kohe, fillon me fjalët: „Enver Hoxha ishte në të njëjtën kohë Zot dhe xhelat. Shqipëria, „Koreja e veriut e Europës“ nën zgjedhën e tij u shndërrua në një vend ku besimi fetar, liria dhe shpresa përbënin krime. Nga 1945 deri më 1985 ky njeri e shndërroi vendin në një kala të izoluar, në një bunker ideologjik ku komunizmi stalinist u kthye në një ëndërr të keqe“.

        Autori vazhdon me jetëshkrimin mbi Enver Hoxhën, studimet e tij në Montpellier të Francës, njohjen me idetë komuniste, kthimin e tij në liceun e Korçës, rolin e tij në formimin e Partisë Komuniste më 8 nëntor 1941 si dhe gjatë Luftës nacional-çlirimtare,  marrëdhëniet me Jugosllavinë, ish – Bashkimin Sovjetik, Kinën dhe deri në izolimin e plotë të vendit.

        Për një te huaj historia e shtetit të parë ateist në botë, i rrethuar me tela me gjëmba, ku nuk lëvizte as miza dhe i mbushur me bunkerë, përbën një çudi të madhe. Por jo për shqiptarët që e kanë jetuar atë kohë të mbrapshtë. „Sot Shqipëria po shëron plagët e së kaluarës, por fantazma e Enver Hoxhës mbetet e ngulitur ende në kujtesën e popullit“ – vëren autori.

      Por ajo që të tërheq vëmendjen në mënyrë të veçantë në këtë shkrim, nuk është edhe aq artikulli, sidomos për ne shqiptarët që e njohim aq mirë atë kohë, sesa 23 komentet që pasojnë shkrimin.

       Njëri nga komentuesit psh tregon se si një shok i tij andej nga vitet 70 të shekullit të kaluar dëgjonte në Algjeri çdo natë në ora 22.30 Radio Tiranën në frëngjisht, për tu njohur me qëndrimet e Enver Hoxhës. Ndërsa dikush tjetër në Bruksel më pat pohuar dikur se edhe ai ishte një dëgjues i rregullt i Radio Tiranës në gjuhë të huaja.

      Në atë kohë Tirana transmetonte në rreth 90 gjuhë të huaja,. Emisione që shpërndaheshin në eter nga një radiostacion në Cërrik i ndërtuar me ndihmën e Kinës së Mao Ce Dunit. Një komentues tjetër shkruan: „Sigurisht që Enver Hoxha dënonte me burg të gjithë ata që dëgjonin radiot e huaja, por kjo nuk e pengonte diktatorin e kuq të përmbytëte  mbarë Europën me anë të Radio Tiranës“!

          Ndërsa komentuesi ose komentuesja me pseudonimin  Phil  shkruante jo pa ironi:“ Sigurisht që me ikjen nga kjo botë të këtij tipi të poshtër çdo gjë shkon vaj tani në Shqipëri! Nuk ka më shtypje dhe vrasje. Nuk ekziston më as krim i organizuar, as prostitucion, as drogë, as trafiku i qënieve të gjalla apo korrupsioni etj etj.Të gjitha këto sëmundje të kapitalizmit.Tani Shqipëria është kthyer në parajsë“!

      Këtyre vërejtjeve iu është përgjigjur vetë autori i shkrimit, Giuseppe di Bella di Santa Sofia. Ai shkruan: „Ju Phil keni të drejtë. Fundi i regjimit të Hoxhës nuk e transformoi Shqipërinë në Eden (parajsa mbi Tokë). Hoxha i shtypte njerëzit nën flamurin e kuq, zëvendësuesit e tij bëjnë sot po të njëjtën gjë, por më me klas, nën flamurin  e ekonomisë së tregut”!…

       Atëhere çfarë të shtosh apo të heqësh?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment