Mira Murati: një emër ky tashmë tejet i njohur në botën e Inteligjencës Artificiale. E lindur në Vlorë në vitin 1988, ajo u shpërngul në Kanada në 2004-tën, në moshën 16 vjeçare. Ndryshe nga shumë shqiptarë dhe shqiptare të tjera, ajo u dha pas studimeve dhe në vitin 2012 u diplomua në fushën e inxhinjerisë mekanike në Thayer School of Engineering.
Pa asnjë dyshim këtu meritë të madhe kanë edhe prindërit e saj, që e nxitën vajzën e tyre drejt studimeve të larta. Pa vuajtur fare kompleksitetin e vajtjes nga një vend i vogël dhe i prapambetur. Rruga e Mira Muratit është rruga e suksesit ku duhet të ecin shqiptarët, pasi të kenë siguruar letrat e qëndrimit të përhershëm në vendin pritës.
Emri i shkencëtares shqiptare është i lidhur sa me ChatGPT, por po aq edhe me një start – up që ajo e ka krijuar tani nisur nga hiçi. Para shkurtit të këtij viti, startup-i Thinking Machines Lab as nuk ekzistonte. Por sot, veçse disa muaj më pas, ky startup amerikan tashmë vlen 12 miliardë dollarë, sipas Reuters.
Kompania e sapokrijuar arriti këtë vlerësim pas një mbledhjeje fondesh prej 2 miliardë dollarësh, të udhëhequr nga firma a16z, me pjesëmarrjen e Nvidia, Accel, ServiceNow, CISCO, AMD dhe Jane Street.
Por le të kthehemi te startup-i i Mira Muratit. Kjo mbështetje e tregut për Thinking Machines Lab mund të shpjegohet me dy faktorë. E para se ky start-up zhvillon modele AI të ngjashme me ato të ChatGPT. Dhe siç mund ta dini tashmë, vlerësimet dhe investimet në startup-et e specializuara në inteligjencën artificiale gjeneruese ose vetnxënëse mund të rriten lehtësisht dhe menjëherë.
Ja edhe një rast tjetër. Startupi francez Mistral, për shembull, arriti të mbledhë më shumë se një miliard dollarë në vitin e parë të ekzistencës së tij, gjë që e lejoi atë të arrijë tash një vlerë prej disa miliardë dollarësh.
Por vetëm kaq nuk do të mjaftonte që kompania e Mira Muratit të grumbullonte 2 miliardë dollarë, vetëm për projektin e saj, të paprovuar deri më tani. Një rol të veçantë në këtë drejtim ka luajtur edhe fakti që Mira Murati nuk është dosido. Pasi më parë shkencëtarja shqiptare ka qënë as më shumë dhe as më pak por drejtore teknike e firmës Open AI, krijuesja e ChatGPT. Madje revista e njohur “Time” ia ka atribuar krijimin e ChatGPT-së pikërisht talentit dhe zotësisë së Mira Muratit!
Me fjalë të tjera, edhe pse Thinking Machines Lab nuk ka ende asnjë produkt në treg, ajo konsiderohet si një kompani me potencial shumë të lartë në industrinë e AI (Inteligjencës Artificiale). Për më tepër, sipas Reuters, dy të tretat e punonjësve të startup-it të ri, kanë qënë ish-punonjës të OpenAI.
Ndërsa Thinking Machines Lab nuk ka ende një produkt në treg, ai tashmë ka njoftuar llojin e AI që po zhvillon. “Ne po ndërtojmë AI multimodale që funksionon me mënyrën se si ndërveproni natyrshëm me botën – përmes bisedës, përmes shikimit, përmes mënyrës së çrregullt se si ne bashkëpunojmë. Ne jemi të ngazëllyer që mund të prezantojmë produktin tonë të parë në muajt e ardhshëm. Ai do të përfshijë një komponent të rëndësishëm me burim të hapur (opensource) dhe do të jetë i dobishëm për studiuesit dhe startup-et që zhvillojnë modele të personalizuara,” shkroi Mira Murati, në një postim në rrjetin social X.
Sipas Reuters, startup-i po kërkon gjithashtu të zhvillojë sisteme AI që janë më të sigurta dhe më të besueshme se produktet konkurruese. Ndërsa pret lançimin e produkteve të tij të para, Thinking Machines Lab pritet gjithashtu të publikojë informacione rreth kërkimeve të saj shkencore.
Pikërisht për këto arsye dhe për potencialin e pamatshëm që ajo zotëron, ndofta ka ardhur edhe koha që çdokush të fillojë blerjen e aksioneve të këtij startup-i premtues, porsa kompania të hyjë në bursën amerikane Nasdaq!
Qeveria shqiptare ka investuar tashmë 10 milionë dollarë në këtë firmë të re të inteligjencës artificiale.
Sepse nuk janë të pakta edhe rastet kur dikush ka investuar disa qindarka në një start-up dhe pas disa muajsh apo vitesh është kthyer në milioner. A e keni lexuar shkrimin për atë që dikur pastronte halet e shkollës dhe sot është bërë miliarder! E gjeni më poshtë në këtë blog: datë 23.02.2024.
Rasti i pasurimit me AI dhe po ashtu edhe me kriptomonedhat është shumë domethënës në këtë drejtim. Ja disa fakte. Më 31 tetor 2008, Satoshi Nakamoto publikoi “letrën e bardhë” të kriptomonedhës së parë në botë, Bitcoin. Për këtë gjeni, po ashtu mund të gjeni një shkrim botuar në këtë blog rreth 4 vjet më parë, saktësisht më 21.02.2021.
Nga fillimi i vitit 2009, nisën edhe shit-blerjet e para. Në atë kohë, Bitcoin vlente vetëm disa cent dhe nuk njihej nga askush. Gati 16 vjet më vonë, Bitcoin është kthyer tashmë në mbretëreshën e kriptomonedhave. Ajo po tregtohet me më shumë se 100,000 dollarë secila dhe pronarët e parë, nëse nuk i kanë shitur ende aksionet e tyre, janë ulur sot mbi miniera të vërteta ari.
Në botën e kriptomonedhave, këta pronarë me një sasi të madhe Bitcoin-ash thirren “balena”. Sepse mbajnë më shumë se 1000 Bitcoin dhe për këtë arsye, në rast të një shitjeje të guximshme, ata mund të ndikojnë në mbarë tregun në tërësi. Prandaj, edhe lëvizjet e tyre ndiqen nga afër nga financuesit, të cilët besojnë te kjo kriptomonedhë për të pasur fitime domethënëse.
“Balenat” më të mëdha të njohura deri më sot janë bankat ose fondet e investimeve. Por ka edhe një sasi të vogël “kuletash të fjetura”. Këtu gjenden bitcoin-a që ekzistojnë, por nuk kanë lëvizur prej vitesh.
Shumica dërrmuese e këtyre kriptomonedhave janë harruar nga të zotët e tyre prej kohësh. Madje tani disa pronarë po kërkojnë dëshpërimisht një hard disk ose një fjalëkalim për të hyrë më në fund në “minierën e arit”!
Por ndonjëherë, ndodh që këto llogari të fjetura të zgjohen. Kjo është pikërisht ajo që sapo ka ndodhur këto kohë. Dy kuleta, secila me nga 10.000 bitcoin, sapo kanë lëvizur. Fondet e tyre janë zhvendosur së fundmi në një adresë të re, por ende nuk janë shitur.
Megjithatë, një lëvizje e tillë i ka tmerruar investuesit që kanë frikë nga më e keqja, pasi ata presin të shohin një shitje prej 2.2 miliardë dollarësh të mbërrijë në ekranet e tyre çdo sekondë. Sepse me 20,000 Bitcoin-a, pronarët e këtyre kuletave janë ulur sot mbi një mal parash. Kriptovalutat e tyre vlejnë tani mbi 2.2 miliardë dollarë! 140.000 herë më shumë se sa i kanë pasë blerë para 15 vitesh. Një rendiment i tillë është i pabesueshëm dhe i papërsëritshëm në mbarë historinë e botës së financave!
Është një jackpot i vërtetë. Me një investim të bërë në vitin 2011, me një çmim prej 7.805 dollarë në atë kohë për 10 000 bitcoin-a, çdo portofol e ka sot të shumëzuar investimin e tij me 140.000 herë për të arritur në një shifër marramendëse prej më shumë se 2 miliardë dollarësh.
Sipas analistëve të shumtë, nëse këto kriptovaluta do të shiteshin në javët e ardhshme, i gjithë tregu mund ta pësonte. vetë Bitcoin-i që tani po tregtohet me më shumë se 108.000 dollarë, vetëm nga kjo lëvizje mund të humbasë midis 2.000 dhe 3.000 dollarë për një sekondë!
Para një fluksi të tillë, derdhjeje parash ose likuiditeti, tregu i kriptomonedhave po dridhet, me një ulje të numrit të Bitcoin-ve në treg, pasi askush nuk e di se si do të jetë e ardhmja. Se kush mund t’i blejë këto bitcoin-a që do hidhen në treg me mbi 100 000 dollarë copa.
Nëse i blejnë fondet e investimeve ata të pensioneve apo qeveritë, vlera e bitconit do të arrijë maja të tjera të larta, por nëse blihen thjesht nga individë të veçantë, vlera e tij mund të ulet. Por gjithnjë jo më pak se 100 000 dollarë për bitcoin.
Siç shihet mund të bëhesh i pasur jo vetëm duke u marrë me drogë dhe veprimtari të tjera të paligjshme, por edhe me pak guxim dhe sidomos duke vënë edhe trurin në punë. Për ata që kanë tru !
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment