Partia e Punës u ringjall!

          Pothuajse 35 vjet pas rënies së komunizmit, kur menduam se ai sistem antidemokratik, mbaroi për të mos u kthyer kurrë më, dhe një tjetër sistem shumë më human po e zëvendësonte, u gabuam. U gabuam edhe një herë tjetër. 

          Një nga gjërat më të tmerrshme të sistemit të kaluar ishte mungesa e lirisë së fjalës. Ai sistem ndiqte dhe përgjonte çdokënd se çfarë thoshte dhe çfarë mendonte. Dhe kur niveli i jetesës ishte për të vënë duart në kokë, shteti i asaj kohe nuk ngurronte t’i vinte në dispozicion ish – sigurimit famëkeq të shtetit, aq para dhe njerëz sa ai dëshironte.

          Askush sot, me pak mend në kokë, nuk ankohet nga shëndetësia falas e atëhershme, as nga arsimi i përhapur në çdo cep të vendit, njëlloj si elektrifikimi, as nga barazia relative, por që i afrohej shumë kufirit të varfërisë, as për zhvillimin e pakrahasueshëm dhe total të vendit etj etj.

        Por të gjithë ata që e kanë jetuar atë epokë ankohen dhe kujtojnë me lemeri kohën, kur pas çdo bisede, edhe me ndonjë shok, i analizonje ato që kishte thënë, me frikën se mos të kishte “shkarë” goja shumë. Dhe dënimi nuk ishte i vogël. Minimumi ishte 7 vjet burg me punë të detyruar në minierë. Po realisht dënimi shkonte  te 10 vjetëshi!

        Ka shumë për të shkruar dhe për të thënë për atë sistem që e lavdi Zotit e këputi qafën. Dhe arsyeja kryesore që ai sistem u kthye në i urrejtur nga populli ishte pikërisht mungesa e demokracisë. Një sekretar partie që rrinte në fron deri sa jepte shpirt dhe gjatë asaj kohe priste koka miqsh dhe armiqsh! Dhe nuk ishte vetëm Enver Hoxha i tillë. Stalini, Mao Ce Duni dhe plot udhëheqës të tjerë të ish – Europës Lindore ishin të gjithë diktatorë të tmerrshëm.

        Të thonje psh në atë kohë se Gomulka, (ish udhëheqësi komunist i Polonisë) ishte më popullor se Enver Hoxha, dhe kjo shprehje të binte në vesh të spiunëve që gëlonin ngado, 20 vjet “brenda” i kishe të sigurta.

          E pra ajo kohë mbaroi. Ai sistem u zëvendësua nga një tjetër, që disa e quajtën kapitalizëm dhe disa të tjerë demokraci. Tani ishe i “lirë” të thonje çfarë të donje. Madje për këtë të drejtën e fjalës në komunizëm dhe kapitalizëm ka edhe një gazmore që tregohej ato kohë në Francë. Një aktor komik atje, tepër i njohur dhe i vlerësuar, i quajtur Colouch, (Kolush) i pyeti një herë spektatorët: A doni të dini se cili është ndryshimi kryesor ndërmjet komunizmit dhe kapitalizmit?! Në komunizëm të thonë: “Mbylle gojën se të piu e zeza!”. Në kapitalizëm: “llap sa të duash se nuk ta var njeri!”…

          Por shqiptarët sot, sidomos ata që janë nën 45 vjeç duket se nuk ia dinë shumë vlerën lirisë së fjalës dhe mendimit. Megjithatë, sot me sistemin e ri kanë lindur edhe probleme të reja dhe të paparashikuara gjatë periudhës 1990 – 1992. Sot mund të jetosh, punosh dhe banosh ku të duash. Qoftë në Durrës, qoftë në Los Anxhelos! (Po të lejuan). Droga që ishte dikur e njohur veçse nga filmat tani është bërë si “buka që hamë”! Aq sa na ka dalë nami i zi në të gjithë botën. Vendin e Sigurimit famëkeq e ka zënë krimi i organizuar. Dikur ishte i plotfuqishmi i lagjes që u kallte datën qytetarëve, sot është i “forti” i lagjes!

           Por edhe ajo që u mendua se ishte larguar një herë e përgjithmonë: sundimi i partisë unike në pushtet me ligjin e saj antinjerëzor kundër agjitacionit dhe propagandës, duket se po rikthehet. Por në një formë tjetër. Kësaj rradhe nuk është Partia që do i dënojë njerëzit për mendimet apo shprehjet e tyre, por … drejtësia dora vetë! E pabesueshme!

         Sistemi i drejtësisë në Shqipëri vazhdon të mbetet hallka më e dobët e shtetit. Pavarësisht vettingjeve apo ngritjes së SPAK-ut. Aq thellë ka hyrë e keqja. Që nga koha e drejtësisë së plepave dhe gjin gjonëve.

          Shumë prej këtyre pjesëtarëve të drejtësisë i spastroi Vettingu, për pasuritë e panumërta që kishin vënë duke bërë “antidrejtësi”. Por edhe këta që kanë ngelur duket se nuk janë më të mirë se ata që u larguan.      

         Ata psh përndjekin kryetarin e bashkisë së Tiranës se ka folur në telefon me avokatin apo me shtypin! Ndërkohë që për ngjarje të tmerrshme si vrasjet e 21 janarit në bulevard dhe Gërdecin nuk lëvizin as gishtin. Duket se kemi të bëjmë në rastin më të mirë me një drejtësi të frikësuar dhe në rastin më të keq me një drejtësi të blerë!

          E fundit gjë që mbahet mend nga kjo drejtësia “demokratike” ishte kërkesa e gjykatësve dhe prokurorëve për rritjen e pagës së tyre mujore me 500 euro në muaj, pavarësisht se janë gjykatësit dhe prokurorët më të mirëpaguar të Ballkanit. “Sepse jemi të pavarur dhe bëjmë si të duam” – ishte arroganca e tyre.

         Dhe thagma më e fundit fare ngjau dje: Këta zorzopë, që meritojnë të gjithë burgun, kërkuan dje zyrtarisht që kushdo që komenton ose shprehet kundër tyre, ata të kenë forcën, ligjin dhe të drejtën ta përplasin në burg!

         Ja dhe projektligji që ata e kanë përgatitur për të rritur sundimin e tyre mbi shtetin dhe popullin shqiptar:

  “Bërja apo publikimi i komenteve me anë të të cilave synohet haptazi të ushtrohet ndikim në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet, nëpërmjet krijimit të rrethanave shtypëse ndaj pavarësisë së saj, shtrembërimit të qëllimshëm të cilësisë së provave apo paraqitjes së tyre në kundërshtim me përmbajtjen e vërtetë, imponimit për të krijuar pabesueshmërinë në publik të aftësisë së gjykatës për të qenë e pavarur, të kryera për çdo interes apo përfitim, për të dëmtuar apo favorizuar persona të veçantë, e kryer përpara dhënies së një vendimi gjyqësor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”!

E pra kjo do të thotë që një grup zuzarësh me toga të zeza do që ta vëjë përsëri ndër këmbë këtë popull. Njëlloj siç veproi dikur Partia Punës! Dhe pyetja është: Ku ishim?! Përgjigja: Asgjëkundi.

       U rrotulluam 35 vjet përqark vetes. E dogjëm dhe e shkatërruam vendin me themel, që më në fund disa delenxhinj të zëvendësoheshin nga disa të tjerë! Kësaj i thonë të qash apo të qeshësh nga e keqja.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment