Greta Thunberg në Tiranë dhe furtuna në gotë

        Mjaftoi një vizitë e ish ikonës së rinisë perëndimore, Greta Thunberg në Tiranë, që atje të shpërthente një ujvarë e tërë debatesh, sharjesh, supozimesh dhe përplasjesh të rrymave të ndryshme fetare dhe ideologjike me njëra tjetrën.

          – A duhej ftuar dhe kush e ka ftuar?! Jemi me Izraelin që e njeh Kosovën apo me Palestinën që nuk e njeh?! Një banderolë që barazonte udhëheqësin izraelit Netanyahun me ish udhëheqësin serb, Millosheviç, Kosovën me Palestinën dhe Serbinë me Izraelin si dhe UCK-në me Hamasin bëri shumë zhurmë dhe tërhoqi vëmendjen edhe të mbarë opinionit publik shqiptar.

         A i ngjante Kosova dje, Gazës sot?! A po sillet Netanyahu ndaj palestinezëve sot, si Millosheviçi dje ndaj kosovarëve?! A mund të barazohet UCK-ja me Hamasin?! Ndryshe a dalim të fituar apo të humbur nga paralelizma të tilla?! Këto dhe pikëpyetje të tjera kanë qarkulluar ndër mediat dhe portalet shqiptare këto orë.

         Dikush u përpoq madje t’i jepte edhe ngjyra fetare këtij debati me pretendimin se: – Ja  ju që jeni myslimanë mbroni Palestinën! Ndërsa ne që jemi të krishterë mbështesin Izraelin!

           Ky është edhe rreziku: Që konflikti etniko/fetar Izrael – Palestinë të plasohet edhe në Shqipëri.

             Ndryshe a duhej ftuar Greta në Tiranë?! Se mos na prishet harmonia fetare?! E të tjera e të tjera. E mira do ishte që konflikti fetar izraelito – palestinez të mos hynte fare në Shqipëri. Në të vërtetë ftuesit e Gretës duket se nuk e kishin atë synim. Ishin kundërshtarët e kësaj ftese që u përpoqën t’i jipnin kësaj ngjarjeje ngjyra fetare.

           Po ashtu: çfarë ka të përbashkët dhe të veçantë konflikti izraelito/palestinez me atë shqiptaro/serb? Dihet se Serbia vetë u përpoq që t’i jipte këtij konflikti ngjyra fetare, duke e paraqitur veten si një digë ndaj shtrjes së islamit. Fatmirësisht udhëheqësit e UÇK-së së lavdishme nuk ranë në këtë grackë. “Ne jemi populli i Gjergj Kastriotit dhe Nënë Terezës” – u përgjigjën ata. “Ne jemi ngritur kundër shtypjes që po na bën Millosheviçi dhe Serbia si etni shqiptare dhe jo për shkaqe fetare”. Dhe kështu UÇK-ja fitoi mbështetjen e Perëndimit, Amerikës dhe NATO-s.

          Megjithatë nuk duhet harruar se edhe UÇK-ja u konsiderua në fillimet e saj si organizatë terroriste. Madje me këto akuza po mbahen sot në burgun e Hagës edhe krerët e saj, që luftuan krah për krah me forcat e NATO-s kundër Serbisë.

        Ndryshe duket se Hamasi mbetet organizatë terroriste për Perëndimin edhe se ai po e paraqet konfliktin etnik Palestinë – Izrael si një konflikt fetar. Izraeli nuk lë rast pa e akuzuar Hamasin si organizatë fetare islamisto/terroriste, njëlloj si Daesh, ISIS, Al Qaeda etj. Çuditërisht këto të fundit kanë sulmuar deri edhe Europën dhe Amerikën, por as edhe një qime floku nuk e kanë dëmtuar Izraelin! Pra është një situatë e paqartë nga e cila Izraeli përfiton në maksimum.

       Pyetja është: A duhet që edhe shqiptarët te protestojnë ndaj vrasjes së më shumë se 60 000 banorëve, ndër ta 25 000 fëmijëve në Gaza?! Ndaj vrasjes së grave dhe të rinjve që ekzekutohen me automatikë kur kanë zënë radhën për ujë dhe ushqime?!

       Dhe e fundit fare: A duhet edhe ne të mbrojmë të drejtën dhe të vërtetën apo vetëm interesin tonë?! Kësaj pyetjeje duket se i shërbeu edhe vizita e Gretës në Tiranë, por pa mundur t’i japë dot përgjigje. Përkundrazi. Kjo vizitë sikur i hodhi benzinë zjarrit. Ajo veçse nxorri në sipërfaqe disa dasi të fshehura politike, ideologjike dhe fetare ndërmjet shqiptarëve.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment