Ka disa ditë që në të gjitha masmediat e vendit po flitet me të madhe për “sulmin” e qeverisë ndaj trojeve të “xanuna”. Siç ngjau këto ditë në pikën turistike malore të Thethit. Një margaritar bukurie alpine që natyra ia ka falur vendit tonë.
Pa asnjë dyshim që duhej vënë dorë ndaj zaptuesve dhe grabitësve të trojeve publike an e mban vendit. Madje, për mendimin tim, qeveria e ka filluar me shumë vonesë këtë aksion. Kishte 12 vjet kohë për të “çliruar” plazhet nga shezlongjet e privatëve, nga toka e “xanun” padrejtësisht nga pronarët e hoteleve etj. Por jo. Siç duket edhe Rama i qëndron besnik asaj shprehjes së lashtë që “qeveria e kap lepurin me qerre”!
Po a thua se është kaq e thjeshtë?! Që qeverisë i doli gjumi tani pasi filloi vitin e 13 në pushtet?! Diçka tërheq vëmendjen. Ky aksion që pushtoi ekranet e të gjitha televizioneve si dhe faqet e gazetave dhe atyre elektronike, ngjau atëhere kur disa media po tërhiqnin vëmendjen e opinionit public vendas ndaj grabitjes më të madhe që I është bërë popullit shqiptar gjatë këtyre 30 viteve të fundit.
Bëhet fjalë për skandalin e pabesueshëm të kompanisë ndërkombëtare „Bankers Petroleum“. E cila gjatë këtyre 25 viteve të fundit ka përfituar miliarda dollarë nga nafta shqiptare, por nuk ka paguar asnjë lek në shtet! Si është e mundur diçka e tillë?!
Opinioni shqiptar, i mësuar tashmë me lloj lloj tragjedish, skandalesh dhe grabitjesh, megjithatë reagoi. Madje pati edhe disa emisione televizive për këtë çështje. Sepse rasti i „Bankers Petroleum” nuk është i vetmi dhe as i pari. Por kjo ngjarje po i hapte petët “lakrorit”. Me këtë rast po flitej dhe po përmendeshin edhe të gjitha koncesionet që qeveritë shqiptare, duke filluar nga Nano, Berisha, Meta dhe Rama, u kanë dhënë firmave të huaja ose miqve të tyre vendas.
Dhe kjo është diçka që nuk u shkon për shtat “bandës së të katërve”. Banda e “të katërve” është një term i njohur botërisht pas vdekjes së Mao Ce Dunit në Kinë. Kjo bandë i zuri vendin “timonierit”, por u rrëzua më pas nga Kuo Fen dhe Ten Hsiao Pin.
Po le të kthehemi te qëllimi i këtij shkrimi. Ajo që ra në sy gjatë këtyre ditëve, kur opinioni shqiptar po njihej me shitjen e pasurive të tij kombëtare, si Berisha (të cilit nuk I pushon goja kurrë), por po ashtu edhe Rama nuk e hapën fare gojën. Shihej se ata ishin krejtësisht të palumtur që kjo temë, ky problem, doli përsëri në skenë. Se të gjithë janë të përlyer.
Duket se ideja për t’ia dhënë për 25 vjet rezervat e fushës naftëmbajtëse të Patos – Marinzës firmës kanadeze i lindi së pari Fatos Nanos, aty nga viti 2004. Por ai që e vuri në jetë, që e ngriti në këmbë, e zmadhoi dhe e bëri fakt të kryer, ishte i përhershmi, shkatërruesi i vendit, Sali Berisha që në vitin 2005. Qä atëhere kanë kaluar 20 vjet. Nafta shqiptare është shfrytëzuar egërsisht që atëhere nga firmat e huaja sipas parimit: “Kap çfarë të kapësh dhe sa më shpejt që të jetë e mundur”!
Dhe siç është normale për një firmë të huaj, pa u kujdesur fare për ambientin apo jetëgjatësinë e puseve nxjerrëse! “Pas nesh, qameti u bëftë”!
Kjo katrahurë, shitja e pasurive kombëtare oligarkëve vendas ose të huaj, nisi nën hyqmin e padishahut Saleh Berisha që në vitin 1994, kur u hartua edhe ligji i privatizimeve të burimeve natyrale kombëtare. Dhe u fillua direkt me naftën. Një pasuri strategjike kjo për të cilën të huajt ishin dhe janë shumë të interesuar.
Batërdia vazhdoi edhe më fort gjatë kohës kur socialistët ishin në pushtet. Në vitet 2000 dhe 2001 u dhanë me konҫesion, përkatësisht shumica e minierave të bakrit si dhe të kromit në Bulqizë, së bashku me uzinat e përpunimit të tyre, ndërsa në vitin 2004, vendburimi më i madh i naftës në Europën kontinentale, Patos-Marinës, u dha tek kompania Bankers Petroleum, pasi kompania e mëparshme Premier Oil u largua. Në 2007-tën, nën udhëheqjen e Berishës, batërdia u kthye në masakër. Vazhdoi dhënia me konҫesion e të gjitha vendburimeve tjera të naftës, të gazit, u parcelizuan dhe u dhanë me konҫesion minierat e kromit, uzinat tyre, etj., u shkatërruan ndërmarrjet e kërkimit përpunimit të naftës, ndërsa parku i madh i sondave të shpimit dhe ofiҫinat e tyre, bashkë me dy uzinat e përpunimit naftës, u dërguan për skrap. Kompania ARMO dhe Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, u shitën tek privati për një cope bukë dhe u mbyllën edhe të gjitha institutet shkencore të kërkim-prodhimit naftës, etj. Gjithçka u privatizua. Ndërsa shqiptarët ngelën me gisht në gojë.
Gjatë fushatave të njëpasnjëshme elektorale, socialistët me Ramën në krye, i cilësuan këto kontrata konҫesionare plotësisht korruptive dhe premtuan se do t’i pezullonin ato, si dhe do të rishtetëzonin të gjitha pasuritë natyrore me ardhjen e tyre në pushtet. Fjalë imzot fjalë. Historia e privatizimeve u përsërit edhe më me forcë.
U zgjat psh edhe afati i kontratës, deri në 42 vjet, për vendburimin e kromit në Bulqizë dhe deri në vitin 2040 edhe për minierat e bakrit, etj. U shkatërrua po ashtu edhe Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh dhe u rinovuan të gjitha kontratat me konҫesionarë të rinj në vendburimet e naftës, gazit dhe minierave.
Sepse disa kompani, pasi i shfrytëzuan ato për disa vite, aq sa deshën, i shitën vendburimet pastaj tek kolegët e tyre, si me qënë pronarë, kur faktikisht ishin qiramarrës dhe s’kishin të drejtë pa lejen e shtetit t’ia kalonin ato pasuri miqve të tyre. Por kush pyet. Me pak para nën dorë gjithçka rregullohet. Dhe kështu investuesit e huaj, këta “mirëbërës”, morën milionat e fituara dhe na lanë pendët. A nuk na u rekomandua kthimi në zero?!
Po le të kthehemi te kontrata me “bankers petroleum”, e cila tani ka rënë në dorë në dorë të një kompanie kineze. Sipas specialistëve shqiptarë të naftës, ka shumë mundësi që ky burim të shterojë deri në vitin 2029, pra pas 4 vitesh, pikërisht atëherë kur përfundon edhe kontrata e tij me shtetin shqiptar!
Kontratë që e firmosi mafiozi Fatos Nano në vitin 2004 dhe që e zgjeroi krimineli Sali Berisha pas ardhjes tij ne pushtet në 2005-ën duke i dhene kësaj kompanie jo vetëm gjithë Patos-Marinzën, por edhe Kuçovën (por kësaj rradhe me nje emer tjeter kompanie, por qe ne fakt eshte vete Bankers Petroleum e fshehur pas saj).
Kupola mafioze politike-qeveritare, drejtësia, SPAK dhe gjithe institucionet e saj përgjegjëse, deri tek presidenti i Republikës rrinë dhe vështrojnë. Sepse ndryshe si do bëheshin të pasur? Si do e bënin atë jetë luksi për vete? Si do i çonin fëmijët për studime në universitetet më të shtrenjta jashtë vendit?!
Janë pikërisht këta që projektojnë dhe administrojnë grabitjen e këtyre pasurive, të naftës, gazit, bitumeve, kromit, bakrit, etj., ne bashkepunim me oligarkët vendas dhe të huaj. Dhe Rama vetë, para dy ditësh, pati paturpësinë të deklaronte se në Shqipëri nuk ka oligarkë! Vërtet?! Po ata që kanë grabitur apo përvetësuar pasuritë kombëtare të shqiptarëve, që kanë miliona euro në bankat vendase apo të huaja çfarë janë?!
Thjesht ndarja e fitimeve nga shfrytezimi i ketyre vendburimeve bëhet midis koncesionerëve vendas dhe të huaj me qeveritarët dhe drejtesinë qe manipulojnë dhe fshehin të dhënat dhe faktet dhe që mbyllin edhe dosjet e korrupsionit. Shkurt është vetë shteti që vjedh pasuritë e popullit tij!
Sipas marrëveshjes koncesionare mes qeverisë dhe Bankers Petroleum, kompania kanadeze do të shfrytëzonte vendburimin e Patos Marinzës pa paguar tatim fitim deri në momentin që ajo të rekuperonte plotësisht kostot e investuara. Pasi të arrihej kjo vlerë, atëherë kompania do të paguante tatim fitimi në masën 50 për qind. Pra fitimi nga shfrytëzimi i naftës do të ndahej gjysmë për gjysmë me shtetin shqiptar.
Por kompania e huaj del gjithmonë me humbje! Edhe sot e pas 20 vitesh. Se atë pajisje që ajo e blen jashtë ta zëmë për 2 milionë dollarë ajo e fakturon sikur e ka blerë 20 milionë! Kjo përbën një nga rastet unikale në botë, ku një vendburim i gatshëm nafte shfrytëzohet për plot 20 vjet nga një privat, pa paguar asnjë qindarkë tatim fitimi.
Kjo e bëri Patos Marinzën, një nga pasuritë më të mëdha publike të shqiptarëve, ndoshta mallkimin më të madh të tyre. Sepse miliardat e fituara nga ajo pasuri u tretën me manovra bilancesh, bakshishe disamilionësh nën dorë, faturash offshore, vjedhjet e drejtuesve dhe vartësve të tyre që deklarojnë paga marramëndase.
Sepse firmat u hodhën symyllurazi nga milionat nën dorë. Nuk u mbrojtën interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve, por të grabitqarëve të huaj. Edhe po t’i hedhësh tani ata në gjyq ndërkombëtar është e sigurtë që e humbet. Siç ngjau me atë investuesin italian, Bechetin, për të cilin shteti është i detyruar t’i paguajë sot 110 milionë euro dëmshpërblim se i mbylli një televizion. Se janë po ata edhe aty. Se dihet se korbi korbit nuk ia nxjerr sytë.
Por ja tani askush nuk flet më për „Bankers Petroleum dhe kompani“! Vëmendja e njerëzve u çvendos. Tani duartrokitet „guximi“ i qeverisë për të zbatuar ligjin! Qëllimi u arrit. Pyetja sot është: Ata katolikët e veriut a do ta rrëzojnë Ramën nga pushteti apo jo?!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment