Evangjelistët e përbetuar të Amerikës

         Në mos gaboj ishte viti 1991. Rastësisht po kalonja nga fusha e jashtme e ish-stadiumit Dinamo. Andej nga lagjia 1 Maji. Dhe vura re një turmë njerëzish që po duartrokisnin dikë. U afrova për të parë se çfarë po ngjiste dhe vura re dikë që po fliste anglisht dhe dikush tjetër pranë tij po përkthente.

      Fjala God, God, Zot, Zot ishte fjala më e përdorshme e tij. Dhe sikur të ishte një prestigjator cirku ai thërriti në „skenë“, një të ri që mezi mbahej në këmbë nga dy paterica. Pasi ngriti sytë dhe duart nga qielli „prestigjiatori“ i vuri atij dorën në ballë duke iu lutur me zë të lartë Zotit. Si për çudi i riu drejtoi trupin, hodhi tutje patericat dhe filloi të kërcente përpjetë nga gëzimi. „Prestigjiatori“ bëri modestin: „Jo, jo. Nuk jam unë. Është Zoti atje lart që e shëroi“ – ulurinte ai. Turma e mahnitur duartrokiste.

        Ishte koha kur Shqipëria ishte „hapur“. Dhe lloj lloj sharlatanësh dhe batakçinjsh kishin ardhur për të na treguar „rrugën e Zotit“!  Ky prestigjiator më duket se e mbante veten për evangjelist.Shqip ungjillor. Meqë besimi i tij mbështetej te Ungjilli.

         Tashmë ato kohëra kanë kaluar. Askush nuk i merr më seriozisht këta lloj njerëzish. Edhe sikur të kenë zbritur nga planeti Mars. Shqiptarët nuk janë më sot ata naivët e dikurshëm, kur çdokush që vinte me një Bibël në dorë u dukej si i dërguari i Perëndisë.

       Megjithatë fetë vazhdojnë punën e tyre. Disa nëpër kisha, disa nëpër xhami, të tjerë në teqe. Madje ka edhe disa me broshura në duar që vijnë dhe të trokasin në derë. Këta janë „Dëshmitarët e Jehovait“!

        Por kjo marrëzi, kjo ethe, nuk kaplloi veçse shqiptarët. Ajo u shtri pothuajse në të gjitha vendet e ish Europës Lindore të sapoçliruara nga diktatura ateiste komuniste. Por të tilla gjëra, ky përkushtim deri në histeri, ngjan edhe në shtetin më të zhvilluar të botës, pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

      Të gjithë kemi parë nëpër filma apo emisione televizive disa „guru“, që ndjellin turmat, që i bëjnë ato të kalojnë në ekstazë, të qeshin, të qajnë dhe të këndojnë. Të tillë ka në të gjitha fetë, që përdorin deri edhe nuska apo edhe hajmalira për t’i shëruar njerëzit nga sëmundjet apo edhe për t‘i „shpëtuar“ nga syri i keq!

       Dhe në një nga këto grupe bëjnë pjesë edhe evangjelistët e Amerikës.  Dhe këtu nuk kemi të bëjmë me një sekt, por me një besim të shtrirë pothuajse an e mban botës. Pasi numri i evngjelistëve sot në Amerikë, Kanada,  Brazil, Europë, Korenë e Jugut etj kap shifrën marramëndase prej 660 milionë vetash! Pra kemi të bëjmë me një besim të ngulitur mirë në shpirtrat e njerëzve.

       Dihet se ungjillorët janë pjesë e fesë protestante, e shpallur nga kleriku gjerman Martin Luter gjatë shekullit të 15-të. Në atë kohë kisha katolike e Romës e kishte humbur reputacionin e saj. Ajo ishte shndërruar pothuajse në tregtare shpirtrash. Në atë kohë ajo shpërndante të ashtuquajturat „indulgjenca“. Sa më shumë të blinje nga ato, aq më e afërt bëhej parajsa për ty, predikonin priftërinjtë katolikë. Kundër tyre u ngrit, protestoi, edhe kleriku gjerman Martin Luter. Prandaj ai fraksion i kishës katolike e quajti veten protest-antë! Nata e tmerrshme e Shën Bartolomeut (1572) që shkaktoi rreth 20 000 të vrarë vetëm në Paris, ishte pikërisht një luftë midis katolikëve dhe protestantëve.

       Në fakt protestantët ishin dhe janë disa hapa përpara katolikëve.  Ata kanë pastorët dhe pastoreshat e tyre (barinjtë dhe bareshat e grigjave), ndryshe nga katolikët që nuk pranojnë priftëresha në gjirin e tyre. Dhe ndryshe nga klerikët katolikë ata edhe mund të martohen. Dhe më kryesorja e kryesoreve është që ata predikojnë një lidhje të drejtpërdrejt të çdo personi me Zotin, pa pasur nevojë për ndërmjetësimin e priftit apo Papës! Për kohën, ata ishin një hap përpara në zhvillimin  e fesë së krishterë.

       Por përhapjen më të madhe evangjelistët e kanë sot në Amerikë. Pikërisht në vendin e dollarit ku edhe shkruhet: „In God we trust”. Por si në çdo besim tjetër edhe evangjelismi është kthyer, sidomos gjatë shekullit të 20-të, në një dogmë dhe doktrinë që nuk pranon më kundërshtime.

      Evangjelistët e Amerikës po shquhen veçanërisht këta dhjetvjeçarët e fundit për fondamentalizmin e tyre, pothuajse deri qesharak. Megjithatë ata përbëjnë 29 për qind të numrit të përgjithshëm të amerikanëve, pra afro 92 milionë banorë. Ndryshe ata besojnë në çdo fjalë dhe çdo gërmë të Biblës. Mos guxo tu përmendësh atyre Darvinin apo evolucionin!  Këtu ata ngjajnë si dy pika uji me besimin e patundur të islamistëve radikalë te Kurani!

       Por protestantët nuk merren sot vetëm me fenë. Ata ndërhyjnë fuqishëm edhe në jetën politike të vendit si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Është pothuajse e sigurt se zgjedhja 2 herë e Trumpit si president i Amerikës është mundësuar pikërisht falë angazhimit të Aleancës Evangjeliste Amerikane. Se Trump është njeri prej tyre. Madje Mike Pence, ish -zëvendësi i tij gjatë mandatit të parë, ishte një evangjelist i rangjeve të larta.

       Përveç zgjedhjes së Trump-it si president, evangjelistët amerikanë kanë në zemrën e tyre edhe Izraelin. Kështu shpjegohet edhe mbështetja e pakufishme e Amerikës për këtë shtet. Përveç se politike dhe ekonomike kjo mbështetje, siç shihet, ka edhe baza të forta fetare.

      Ungjillorët besojnë se vetë ekzistenca e shtetit të Izraelit do ta kthejë Jezuin në tokë dhe do ta bëjë atë të njihet përfundimisht si Mesia që do të sigurojë triumfin e Zotit mbi forcat e së keqes, ndërsa hebrenjtë që janë konvertuar në të krishterë do të shpëtohen!     

       Ndryshe ungjillorët tërheqin edhe një paralele midis shpalljes zyrtare të krijimit të shtetit izraelit më 1948 dhe vargjeve te Isaia 66:7-8 duke thënë se një vend nuk mund të lindë në një ditë, përveç atij të popullit të zgjedhur! Sipas sionistit më të famshëm të krishter, pastorit John Hagee, “nuk është e mundur të thuash, ‘Unë jam i krishterë’ dhe të mos e duash popullin hebre.”

       Për arsye eskatologjike, (apokalipsit apo fundit të botës) Zoti na urdhëron ta duam popullin hebre dhe ta mbrojmë praninë e tij në Tokën e Shenjtë.  Bibla, sipas ungjillorëve, nuk përmend fare ekzistencën e një populli palestinez: prandaj palestinezët për ta nuk ekzistojnë. Të paktën ky është mendimi i shprehur shpesh nga ungjillorët ultrakonservatorë si Mike Huckabee, ish-guvernator i Arkansas dhe kandidat presidencial i pasuksesshëm në 2008 dhe 2016, ose Tom DeLay, përfaqësues i Teksasit dhe ish-udhëheqës i shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve nën administratën Bush.

        Ky i fundit, gjatë një vizite në Knesset në vitin 2002, e shpalli veten “izraelit në zemër” dhe shpjegoi gjatë një fjalimi para lobit më të madh hebre amerikan, AIPAC (Komiteti i Marrëdhënieve me Publikun të Izraelit Amerikan): “Kam vizituar Judenë dhe Samarinë, kam ecur rrugëve të Jeruzalemit, kam qenë në Lartësitë e Golanit dhe nuk kam parë asnjë territor të pushtuar. Unë kam parë vetëm Izraelin”. Përfundimi: Shtetet e Bashkuara nuk mund të veprojnë më si ndërmjetës midis palestinezëve dhe izraelitëve, pasi nuk bëhet më fjalë për krijimin e një shteti palestinez që mund të jetë vetëm një shtet terrorist. Negocimi është sa i kotë aq edhe i padobishëm. Vetëm Izraeli i Madh vlen.

       Edhe Mike Pompeo, sekretari i jashtëm i Donald Trump, një ungjillor krenar, ishte ministri i parë i një qeverie amerikane që vizitoi vendbanimet e Bregut Perëndimor. Ai deklaroi, në prill të vitit 2023: “Izraeli nuk është një komb pushtues. Si një i krishterë ungjillor, si një lexues i Biblës, Izraeli, për mua, pavarësisht mohimit të disave, është me të vërtetë “atdheu i ligjshëm i popullit hebre”. Problemi është se me atdheun e popullit hebre kuptohet Izraeli biblik, që disa e shtrijnë nga Egjipti deri në Irak! 

         Misioni i sotëm dhe i përbotshëm i evangjelistëve është të mbrojë vlerat morale të Biblës dhe të përçojë mesazhin e Krishtit të gjithë njerëzve në botë. Për këtë arsye ata janë kundërshtarë të vendosur të abortit, të  grupeve LGBTQ, të divorcit dhe mbrojtës të vendosur të virgjërisë dhe martesës tradicionale etj etj.

       Sipas tyre gjithçka në botë ndryshon, njerëzit, kultura, qytetërimet etj. veçse diçka nuk ndryshon kurrë: ”Fjala e Zotit që gjendet në Bibël”. Njëkohësisht si myslimanët, që duan të përhapin sherjanë si fjalë e Zotit, evangjelistët e bazojnë jetën e tyre te Bibla. Ata e kanë të mbushur mendjen top se Jezui u kryqëzua, u varros dhe u ringjall për të shpëtuar njerëzit nga mëkatet dhe për tu ofruar atyre jetën e përtejme dhe përjetësinë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment