Nën drejtimin e Edi Ramës, Shqipëria po kthehet çdo ditë e më tepër në një lloj vendi turistik. Iku koha e metalurgjikut, (ajo që ka mbetur u është shitur turqve të Kurum), iku koha e superfosfatit në Laç dhe Uresë në Fier, iku koha e uzinave si ajo e autotraktorëve, apo ajo e bakrit etj etj.
Mirë apo keq – kjo është një çështje tjetër. Por me 2 milionë banorë, sa kanë mbetur sot në vend, do të ishte e vështirë t’i mirëmbanje këto uzina dhe fabrika, që filluan të jipnin shpirt ende pa ardhur mirë sistemi kapitalist.
Përveç disa nismave personale në krijimin psh të disa punishteve të industrisë se lehtë, tani gjithë vëmendja e qeverisë është përqendruar te rritja e turizmit. Një turizmi, ekologjik dhe elitar, nëse është e mundur. Kështu shpjegohet edhe ndërhyrja e qeverisë në Theth. Për më shumë investimet aty janë kryer pa marrë më parë asnjë leje te organet kompetente. Me mendimin “se hajde se Shqipëri hesapi”! Ku secili bën si i do qejfi dhe nuk pyet as për ligj dhe as për Maliq.
Është fakt se turizmi sjell valutë në vend, euro, dollarë, franga, sterlina etj. Njëlloj me emigracionin dhe krimin këto janë tri faktorët kryesorë që kanë sjellë forcimin e lekut karshi valutave të tjera. Kjo është diçka e mirë për ekonominë në vend, për pakësimin e borxhit dhe rritjen e nivelit të jetesës. Por duke pasur parasysh prodhimin e pakët në vend dhe shumë herë pa cilësi, (me pesticide dhe hormone), një pjesë e këtyre parave del përsëri jashtë shtetit në formën e importimit të mallrave jetësore.
Sigurisht që është shumë më e lehtë dhe më e bukur të merresh sot me turizëm sesa puna dje në kombinate, deri edhe me 3 turne! Po ky turizëm a e zëvendëson dot ekonomikisht mungesën e ekonomisë prodhuese në vend?! Çfarë tregon përvoja e vendeve të tjera, që e kanë zhvilluar këtë sektor prej më shumë se 60 vjetësh? Përndryshe sa janë të hyrat dhe të ardhurat nga turizmi në këto vende?! Ja edhe një listë e shkurtër e vendeve më të njohura turistike sot në botë:
Pesë vjet pas krizës së koronavirusit, turizmi global është kthyer në nivelin e tij të para pandemisë, sipas shifrave të publikuara nga UN Turizëm. Në vitin 2024, rreth 1.47 miliardë njerëz udhëtuan jashtë vendit të tyre të banimit. Franca zë vendin e parë në krye të listës së destinacioneve më të kërkuara. Me rreth 102 milionë vizitorë ndërkombëtarë, ky vend regjistroi një rritje prej 2% vitin e kaluar krahasuar me vitin 2023. Parisi, në veçanti, ka joshur turistët. Në vitin 2024, kryeqyteti francez tërhoqi vizitorë edhe më shumë se zakonisht edhe për shkak të mbajtjes së Lojërave Olimpike.
E dyta pas Francës vjen Spanja me 93.8 milionë vizitorë, 10 milionë më shumë se para pandemisë. Shtetet e Bashkuara zunë vendin e tretë me 72.4 milionë vizitorë, një rënie prej 7 milionë krahasuar me vitin 2019. Pjesa tjetër e 10 më të mirëve përfshin Turqinë (60.6 milionë), Italinë (57.7 milionë), Meksikën (45 milionë), Greqia 40.7 milionë, Kinën, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë (37.5 milionë) dhe Japoninë (36.9 milionë).
Ndërsa numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri luhatet aty te rreth 10 milionë në vit. Nuk është keq, nëse llogarisim se ky numër turistësh është pothuajse 5 herë më i madh se ai i banorëve vendas!
Tashmë është një fakt i pamohueshëm që turizmi në vend po njeh rritje të paimagjinueshme krahasuar edhe me 10 vite më parë. Dhe duket se ky është e vetmja fushë e ekonomisë kombëtare që po njeh rritje vit pas viti. Përndryshe blegtoria dhe bujqësia po njeh vetëm zbritje dhe ulje.
Pa asnjë dyshim shihet qartë se këtu nevojitet edhe dora e shtetit. Që të nxisë zhvillimin ekonomik të vendit në të gjitha fushat. Doganat ndaj mallrave të huaja është njëra nga këto masa. Aq më shumë që doganat po i përdor sot me sukses edhe fuqia më e madhe ekonomike në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Atëhere pse të hezitojë Shqipëria?! Tregtia pa dogana u intereson veç vendeve më të forta dhe të zhvilluara ekonomikisht. Siç do të ishte “Ballkani i hapur” në favor të Serbisë! Ose atyre vendeve me rroga të ulta që mund të thithin investimet e huaja. Siç ka qënë deri më sot rasti i Kinës.
Por frenimi i hyrjes së mallrave të huaja duhet të shoqërohet detyrimisht edhe me një rritje të kontrollit të cilësisë së prodhimeve ushqimore në vend. Se fshatarët shqiptarë nuk janë nga më të ndershmit. Për të fituar ca para më shumë ata janë gati t’i përmbytin prodhimet e tyre bujqësore me pesticide edhe ato blegtorale me hormone. Prandaj nevojitet një kontroll i fortë dhe i pakompromis. Kjo sa për shëndetin e banorëve vendas, por po aq edhe të turistëve të huaj.
Përfytyroni një çast që Shqipërisë t’i dalë nami i prodhimeve të dëmshme për shëndetin e njerëzve. Përfytyroni të flitet se edhe uji i pijshëm është plot me mikrobe. Se edhe uji i detit është plot me fekale. Kush do të vijë atëherë të kalojë pushimet në këtë vend?! Prandaj duhet një shtet i fortë, me ligje që respektohen nga të gjithë me hir apo pa hir.
Ndofta Thethi është një shembull se diçka ka filluar të lëvizë për mirë në këtë drejtim.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment