Gjithësia, pra Toka, planetët, yjet, galaksitë si dhe gjithçka e njohur deri më sot, vazhdon të çudisë sa shkencëtarët aq edhe njerëzit e zakonshëm me enigmat e saj. Me Big Bang-un, me qindra miliarda galaksitë, secila prej të cilave përmban brenda vetes me qindra miliarda yje të rrethuar nga planetë të ndryshëm, me lindjen e jetës në Tokë, me konstantet e saj fizike e kështu me radhë. Po ky Univers, ku edhe ne bëjmë pjesë, a do të ketë fund një ditë, siç pati një fillim?! Kësaj pyetjeje ekzistenciale shkencëtarët i japin sot një përgjigje pohuese.
Shkatërrimi i planetit tonë të vogël blu, dhe sidomos i jetës mbi Tokë, është një shqetësim i madh për ne, njerëzit, kur vërejmë edhe konfliktet që gjallojnë në vende të ndryshme të botës. Por në shkallën e Universit, një ngjarje e tillë do të ishte thjesht e rëndomtë. Se asgjë nuk qënka e përjetshme, madje as vetë Universi, siç del pas një studimi të ri të publikuar këto ditë.
Ky studim, i kryer nga një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh që analizoi të dhënat e Institutit të Hulumtimeve të Energjisë së Errët dhe Instrumentit Spektroskopik të Energjisë së Zezë, madje na jep edhe një afat çuditërisht të saktë të fundit të Gjithësisë.
Dhe ky fund i parashikuar tani përbën ndofta një revolucion në vetvete, sepse modelet tona të së ardhmes së Universit deri më sot kanë qënë thjesht teorike – pasi është e vështirë të vëzhgosh dhe arrish në përfundime nga një situatë reale për të nxjerrë konkluzione të sakta.
Ne tashmë e dimë se Universi po zgjerohet, se galaktikat që nuk janë të lidhura së bashku nga graviteti po largohen nga njëra-tjetra, ashtu siç shpërndahet një njollë vaji që bie mbi ujë. E dimë po ashtu që ekziston një materie e pafund, e humbur në një boshllëk të pamasë.
Por ekziston një pikë rëndese qendrore në kozmologjinë e deritashme të Big Bang-ut, ku mbështetet teoria fizike që thotë se e gjithë materia ishte dikur e përqendruar në një, mund të themi, kokërr bizeleje, me densitet dhe temperaturë jashtëzakonisht të lartë. Dhe kjo gjendje ka ekzistuar më shumë se 13 miliardë vjet më parë. Prej kësaj gjendjeje thuhet se ka lindur edhe realiteti ynë, pra situata e sotme.
Që atëherë, zgjerimi i universit thuhet se kryhet nga energjia e errët, një koncept teorik ky, por që besohet se përfaqëson 70% të përbërjes totale të Universit, duke i detyruar galaktikat të largohen nga njëra-tjetra.
Por kjo forcë nuk do të jete konstante, sipas këtij modeli të ri. Që është vetëm një opsion i “fundit” të parashikuar. Sepse një Univers në zgjerim të përhershëm, apo edhe përshpejtim, do të përfundonte një ditë detyrimisht në një “ngrirje të madhe”. Ndryshe diferencat e temperaturës do të reduktoheshin në asgjë nga “hollimi” i materies, gjë që do ta bënte të pamundur shumicën e reaksioneve që lidhen me ligjet e fizikës.
Sipas këtij studimi të ri, e ardhmja përmban një “pikëpyetje të madhe”. Universi do të vazhdojë të zgjerohet, por me një ritëm më të ngadaltë, derisa të arrijë në mbi 69% mbi madhësinë e tij aktuale pas 7 miliardë vjetësh.
Pastaj lëvizja do të “ecë” në drejtim te kundërt, graviteti do të marrë përsipër energjinë e errët dhe materia dhe energjitë do të përqendrohen përsëri në një pikë. Derisa të arrijnë përsëri në densitetin ekstrem. Në momentet e fundit, Universi nuk do të ishte asgjë më shumë se një top i madh zjarri me një temperaturë pothuajse të pafundme ku nuk do të ekzistonte më as koha dhe as hapësira.
Një kthim i madh ky, aty ku Universi ka qënë para 13.5 miliardë vitesh, që sipas parashikimeve të këtij studimi, do të ngjasë pas 20 miliardë vitesh, kur Gjithësia të ketë arritur moshën e respektuar të 33 miliardë vitesh ekzistencë! Dhe pastaj? Shkencëtarët nuk përjashtojnë mundësinë që kjo gjendje tkurrjeje dhe bymimi të jetë një cikël i përhershëm dhe që pasi të tkurret përsëri, lënda ose materia do të fillojë të zgjerohet edhe një herë tjetër gjatë një Big Bangu të ri. Dhe kështu e në përjetësi!
Ky është natyrisht një model krejtësisht spekulativ dhe teorik, i përpiluar nga një grup shkencëtarësh, megjithëse eksperimentet e vazhdueshme po përpiqen të demonstrojnë një herë e përgjithmonë nëse materia e errët ekziston vërtet, dhe veçanërisht nëse ajo është konstante apo dinamike!
Në çdo rast, nëse gjithçka do të zhdukej në një top të vetëm energjie ultra të dendur, ne nuk do të ishim këtu për ta parë atë. Pasi pas rreth pesë miliardë vitesh, Dielli ynë do ta ketë shteruar “karburantin” e tij dhe do të fillojë të fryhet. Do të bëhet si një gjigant i kuq, aq i madh sa do të gëlltisë Mërkurin dhe Venusin, dhe ndoshta edhe Tokën.
Edhe sa i përket galaktikës sonë, Rrugës së Qumështit, “lajmet” nuk janë të mira. Sepse ajo është në një rrugë përplasjeje me Andromedën, një galaksi tjetër kjo, e cila po afrohet me 110 km në sekondë dhe pritet të godasë galaksinë tonë pas 4.5 miliardë vjetësh. Por deri atëherë le të përpiqemi të shmangim shkatërrimin e planetit nga marrëzitë tona. Siç mund të jenë psh luftërat bërthamore.
Ndryshe shkatërrimi i Universit, sado larg në kohë të ngjasë, nuk është fare një lajm i mirë për ata që besojnë te përjetësia! Ose te një qenie me mjekër të bardhë që rri lart në qiell dhe na vëzhgon ne ditë e natë se çfarë bëjmë. Një qenie që thirret Zot!
Po a do u mjaftojnë 20 miliardë vjet jetë e përtejme këtyre besimtarëve që luten dhe shpresojnë pafundësisht për përjetësinë, tanimë që dihet se edhe Universi e paska një fund?!
Kjo është pyetja!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment