Lajmi ra si bombë në pothuajse të gjitha kancelaritë europiane. Kur vetëm pak ditë më parë kancelari gjerman, Merz, u shpreh se është tejet e mundshme që edhe Gjermania të prodhojë bombën e saj atomike.
Aq më shumë që vetëm pak ditë më parë Izraeli dhe aleati i tij besnik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bombarduan me forcë Iranin, duke u mbështetur në akuzat e izraelite se Teherani ishte gati të prodhonte bombën e tij atomike, veprim që sipas zyrtarëve të Tel Avivit, vinte në rrezik vetë ekzistencën e shtetit çifut.
Izraeli e justifikoi sulmin e tij ndaj Iranit natën e 12-13 qershorit me pretendimin mbi 20-vjeçar se Teherani mund të fillojë të prodhojë armë bërthamore që ditën tjetër! Sipas tij ky sulm ishte një veprim parandalues që synonte të pengonte krijimin e armëve bërthamore në Iran.
Por ky sulm i kanë bërë shumë kryeqytete të botës të bien në mendime. Ato e shikojnë se kur ke bomba atomike askush nuk guxon të të sulmojë. Siç është psh rasti i Koresë së Veriut. Kur nuk ke, mund të të sulmojnë vetëm duke të akuzuar se po përpiqesh të prodhosh një të tillë!
A nuk e pësoi edhe Iraku kështu. Kur në selinë e Kombeve të Bashkuara, sekretari amerikan i shtetit, Kolin Pauell, madje tregoi edhe një epruvetë, ku sipas tij gjendej materiali bazë i Irakut për prodhimin e bombës atomike. Koha dëshmoi se gjithçka ishte një gënjeshtër e madhe. Por Iraku u shkatërrua për 100 vjet.
Deklarata e zyrtarëve të lartë gjermanë u prit me reagime të ndryshme anë e mbanë botës. Jo se bota ka frikë nga Gjermania demokratike sot. Por nesër ku i dihet?! Në Gjermani partia nacionaliste, pothuajse fashiste, AfD, është në rritje të pandërprerë. Përfytyroni për një çast Gjermaninë të udhëhiqet nga një parti e këtij tipi, dhe për më shumë e pajisur edhe me bombën atomike.
Ishte ëndrra e Hitlerit ta kishte këtë bombë. Por nuk i doli koha. Amerika, Bashkimi Sovjetik dhe Britania e Madhe u nxituan ta mposhtnin regjimin hitlerian para se ai të kishte mundësi ta prodhonte këtë armë të tmerrshme!
Po sa janë sot vendet që e kanë apo shpresojnë ta kenë së shpejti një armë të tillë?!
A mund të lindin situata të ngjashme në pjesë të tjera të botës si psh ajo në Iran?! Kur kushdo mund të godasë një vend tjetër duke argumentuar se ky i fundit po përgatitet të prodhojë armë bërthamore? Dhe si pasojë ai nuk ndihet i sigurtë!
A mund të luajë vërtet Traktati i Mospërhapjes Bërthamore (NPT), i miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 12 qershor 1968 dhe në fuqi deri më sot, rolin e një frenimi efektiv në garën e armatimeve në fushën bërthamore? Nuk duket kështu.
Aktualisht, 190 vende në mbarë botën marrin pjesë në NPT, i cili ka hyrë në fuqi më 5 mars 1970. Traktati përcakton se vetëm shtetet që kanë prodhuar armë të tilla para 1 janarit 1967 do të ketë të drejtë t’i mbajnë këto armë. Dhe askush tjetër. Ky ka qënë rasti i BRSS, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës dhe Kinës, i cili quhej edhe Klubi i të Pestëve.
Të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në NPT janë shtete jo me armë bërthamore. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), e cila është pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe u krijua në vitin 1957, është përgjegjëse sot për monitorimin e zbatimit të NPT.
Deri më tani, disa vende të mëdha mbetën jashtë kësaj marrëveshjeje. Izraeli, India dhe Pakistani refuzuan që atëhere të nënshkruajnë Traktatin. Të tre vendet posedojnë sot armë bërthamore. Koreja e Veriut ishte palë në NPT, por më vonë u tërhoq prej saj. Edhe ajo gjithashtu posedon armë bërthamore.
Kështu, deri më sot, përveç Klubit të të Pestëve, edhe katër shtete të tjera posedojnë armë bërthamore. De fakto, kjo formon klubin e të Nëntëve. Që njihet edhe si klubi bërthamor. Por Tel Aviv, Uashingtoni dhe disa vende të tjera pretendojnë se tashmë është formuar një klub prej dhjetë shtesh, sepse edhe Irani duhet të llogaritet, sipas tyre! Sepse Irani ka rezerva të uraniumit të pasuruar deri në 60 për qind. Ndërsa niveli për prodhimin e një bombe të tille është 90 përqindëshi.
Ndryshe sa vende që janë tani ndër nënshkruesit e NPT-së janë gati të fillojnë të prodhojnë armë bërthamore nesër? Sipas Shoqatës Botërore Bërthamore, që nga marsi 2020, rreth 30 vende po zhvillojnë programe në fushën e energjisë bërthamore. Rreth 20 vende të tjera kanë deklaruar interes për energjinë bërthamore dhe po planifikojnë të miratojnë programet përkatëse.
Vendet që tani janë në prag të hyrjes në klubin bërthamor shpesh quhen shtete në prag. Koha që duhet për të kaluar këtë prag dhe për të hyrë në klubin bërthamor është rreth dy muaj.
Pra, cilat janë këto vende pragu? Disa ekspertë i klasifikojnë ato që kanë kapacitetet e tyre të pasurimit të uraniumit si gjendje pragu. Në total, ka 15 vende në botë me aftësi të tilla. Ato janë Argjentina, Brazili, Britania e Madhe, Gjermania, Izraeli, India, Irani, Kina, Belgjika, Koreja e Veriut, Pakistani, Rusia, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Japonia.
Rusia zotëron 40% të kapacitetit botëror të pasurimit të uraniumit, Shtetet e Bashkuara 20%, Franca 15%, Gjermania, Britania dhe Belgjika së bashku 22%, dhe pjesa tjetër e botës vetëm 3%.
Nëse heqim nga kjo listë vendet që tashmë janë anëtare të klubit bërthamor, mbeten ende Argjentina, Brazil, Gjermania, Irani, Belgjika, dhe Japonia. Sigurisht, numri i vendeve në prag është më i lartë pasi uraniumi i pasuruar edhe mund të importohet nga 15 vendet e përmendura më lart. Sipas disa vlerësimeve, 43 shtete në botë zotërojnë sot rezerva të uraniumit të pasuruar, duke përfshirë 28 vende në zhvillim.
Pas sulmeve izraelite më 13 qershor dhe sulmeve të SHBA-së në objektet bërthamore të Iranit më 22 qershor, pothuajse të gjithë ekspertët besojnë tani njëzëri se Irani do ta kalojë këtë prag. Nëse supozojmë se duhen dy muaj, atëherë Irani do të bëhet anëtar i klubit bërthamor gushtin e ardhshëm.
Ndër vendet e gatshme, me shkallë të ndryshme sigurie, janë gjithashtu Japonia, Gjermania, Kanadaja, Holanda, Italia, Spanja, Suedia, Zvicra, Brazili, Meksika, Argjentina, Koreja e Jugut, Tajvani, Indonezia, Arabia Saudite dhe Afrika e Jugut. Disa prej tyre nuk janë as një hap larg armëve bërthamore, por gjysmë hapi. Kështu, Japonia thuhet se është larg nga një rrotullim kaçavide nga bomba.
Në listën e shkurtër të vendeve në prag është ende Turqia me një impiant për pasurimin e uraniumit. Aktiviteti i Ankarasë në fushën e energjisë bërthamore civile, sipas mendimit të disa ekspertëve, synon fshehjen e një programi ushtarak. Turqia ka përfunduar ndërtimin e termocentralit bërthamor Akkuyu dhe synon ta furnizojë atë vetë me uranium.
Siç thamë sulmi i Izraelit ndaj Iranit ka bërë jo vetëm Iranin, por edhe shumë vende të tjera të mendojnë: “A nuk ka ardhur koha për të dalë nga hija dhe për t’u bërë anëtar i plotë i klubit bërthamor duke u deklaruar hapur”?
Siç shihet bota e nesërme do të jetë shumë më e rrezikshme se sa ishte gjatë këtyre 80 viteve të fundit. Që kur Amerika bombardoi Nagasakin e Hiroshiman fiks 80 vjet më parë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment