Çfarë marke makine duhet të blejmë sot?

          Sipas një studimi të hollësishëm bërë të ditur këto ditë cilësia e makinave të reja nuk ka qenë kurrë më e keqe sesa tani. Prandaj duhet të njihni edhe markat që duhen shmangur së bleri (deri më sot).

        Aq më shumë që duket se prodhuesit e tyre nuk duan t’ia dinë sot për cilësinë, por kryesisht për sasinë e shitjes! Prandaj edhe cilësia e makinave të reja mbetet shumë e dobët, sipas studimit vjetor të publikuar nga instituti amerikan JD Power. “Hibridet plug-in” në veçanti po shkaktojnë më shumë probleme dhe disa marka të njohura në Evropë gjenden sot në fund të renditjes. Por kush është marka e preferuar dhe cilat janë defektet më të zakonshme?

            Instituti kërkimor JD Power sapo ka publikuar “Studimin e tij të Cilësisë Fillestare” vjetor, i fundit për dyzet vjet, i cili liston problemet e hasura në makinat e reja. Ky studim, i kryer në tregun amerikan, konsiderohet një referencë botërore në cilësinë e automobilave. Rezultatet bazohen në më shumë se 220 kritere, të analizuara në më shumë se 92.000 automjete, të mbështetura nga të dhënat përkatëse të riparimit.

              Studimi fokusohet në problemet që hasin përdoruesit vetëm gjatë tre muajve të parë pas blerjes së makinës së tyre. Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht prishje e makinës, por përfshin pjesët me defekt, si dhe pjesët që nuk funksionojnë siç duhet apo edhe keqfunksionime që përdoruesit thjesht nuk mund t’i kuptojnë.

          Rezultatet janë grupuar në dhjetë kategori, ndër të cilat sistemi multimedial si ekranet, sistemet e asistencës së shoferit, ajri i kondicionuar dhe motori janë më të rëndësishmet. Ato shprehen si numri i problemeve për njëqind automjete. Sa më i ulët të jetë rezultati, aq më e mirë është makina, me më pak shqetësime. Anasjelltas, një rezultat i lartë zbulon një markë me më shumë mosfunksionime.

         Vitet e fundit, blerësit e makinave të reja nuk kanë pasur shumë mundësi për të festuar. Kështu psh në 2022, 2023 dhe 2024, u identifikuan një numër rekord problemesh, duke arritur deri në 195 për 100 automjete, pra afro 2 probleme për veturë.  Për më keq, cilësia është përkeqësuar me një ritëm shumë të shpejtë: në katër vjet, rezultati mesatar është rritur me 33 pikë. Edhe treguesi, indeksi, për vitin 2025 po mbetet në vendnumëro me një mesatare prej 192 problemesh për 100 makina. me të njëjtin nivel me vitin 2023 dhe që përfaqëson rezultatin e dytë më të keq të regjistruar deri më sot.

        Shihet se veturat që janë hedhur në treg më parë performojnë pak më mirë se mesatarja, me 190 probleme për 100 automjete. Nga ana tjetër, modelet e reja dallohen nga rezultati më i keq për një kohë më të gjatë: 203 probleme për 100 makina.

         “Zakonisht, problemet me modelet e reja kompensohen nga suksesi i disa lançimeve të disa markave,” thotë Frank Hanley, drejtor i krahasimit të automobilave në JD Power. “Këtë vit, megjithatë, modelet e reja paraqesin probleme veçanërisht të rëndësishme.” Për të shmangur zhgënjimin, blerësit do të ishin më mirë të presin disa vite, derisa “dhimbjet e lindjes” të zhduken.

          Vitet e fundit, elektronika ka qenë burimi kryesor i shqetësimit. JD Power zbuloi se sistemi multimedial – ato ekrane të mëdha me shumë funksione – si dhe sinjalizimet e shumta nga sistemet e asistencës së shoferit, ishin veçanërisht në shënjestër të ankesave të vozitësve.

          Gjithnjë e më shumë, prodhuesit po heqin butonat për mbikqyrjen e klimës, telekomandën e derës së garazhit ose edhe butonin e rregullimit të pasqyrës.

         Kjo prirje – e cila në fakt është një masë e uljes të kostos – është bërë aq e përhapur sa instituti prestigjioz evropian i sigurisë EuroNCAP po konsideron dhënien e pikëve të dënimit për makinat që nuk kanë butona për funksione thelbësore. Një kërkesë e qartë për një kthim në përdorime të thjeshta dhe tradicionale.

          Vitin e kaluar, instituti kërkimor arriti në një përfundim të qartë: një makinë elektrike duhet të dërgohet në garazh tre herë më shpesh sesa një automjet me motor me djegie. Këtë vit, “hibridët plug-in” po marrin kryesimin, me një mesatare prej 237 problemesh për 100 makina.

       Ndërsa renditja për makinat elektrike po përmirësohet. Nga 266 probleme vitin e kaluar në 212 këtë vit. Kjo rritje e qartë, sipas ekspertëve, vjen pothuajse tërësisht për shkak të Tesla-s, e cila ka përmirësuar rezultatin e saj me 62 pikë në një vit. Megjithatë, kjo nuk e bën markën një model të përsosmërisë. Ndryshe automjetet me benzinë shfaqin mesatarisht 184 probleme, ndërsa hibridet konvencionale kanë 196.

         Ndër markat më të vlerësuara janë katër marka me pak prani në tregun evropian si Chevrolet, Dodge, Buick dhe Genesis. Po ashtu Hyundai, Kia, Nissan, Subaru dhe Jeep të gjithë arritën rezultate mbi mesataren. Toyota, prodhuesi më i madh i makinave në botë, nga ana tjetër, po kalon një vit të keq: rezultati i saj prej 200 defektesh për 100 vetura është dukshëm më i dobët se mesatarja prej 192.

          Gjë që është befasuese, veçanërisht pasi marka e saj luksoze Lexus është në krye të renditjes me një rezultat prej 166 problemesh për 100 automjete. Jaguar gjithashtu është shumë mirë me një rezultat prej 175 në 100, megjithëse kjo bëhet më pak domethënëse pasi marka tani prodhon shumë më pak modele të reja.

           Në fund të tabelës janë markat që janë të njohura nga evropianët. Mini (218), Mazda (225) dhe Volkswagen (225) renditen dukshëm nën mesataren. Ndër markat tradicionale më të dobëta rradhiten Volvo (258) dhe Audi (269). Por megjithatë markat gjermane rradhiten si markat më të forta në Europë. Por ato duket se po tejkalohen nga markat amerikane dhe aziatike!

         Kjo nuk është hera e parë që këto kompani dallohen negativisht. Këtë herë, vendi i fundit shkon për Rivian, prodhuesi amerikan i makinave elektrike, që nuk është ende i pranishëm në Evropë, me 274 probleme për 100 automjete. Por, njëlloj si Tesla, kjo markë nuk shfaqet në renditjen zyrtare, qoftë për shkak të blerësve shumë të paktë ose sepse marka refuzon të bashkëpunojë.

Lini një koment