Kjo është me pak fjalë kërkesa dhe « lëshimi » i Albin Kurtit ndaj opozitës për të zgjedhur kryetar/in/en e parlamentit. Pasi e bëri Kosovën gazi i botës, Kurti bën tani sikur do bisedime. Kur këto bisedime duhej t’i kishte filluar që ditën e parë pas zgjedhjeve. Që kur pa se nuk kishte më shumicën as për të zgjedhur kryetaren e parlementin dhe as veten si i pari i qeverisë.
Dakord. Ai doli forca e parë në këto zgjedhje. Por pa arritur dot shumicën për të formuar qeverinë. Ndaj ai duhej ta kishte kuptuar tani se nuk mund të bënte më si e shihte ai për mbarë !
Por jo. I etur pas pushtetit ai ia lejoi vetes edhe të shante dhe fyente përfaqësuesit e opozitës që të dy së bashku nuk bënin dot aq vota sa ai! E vërtetë. Po respekti ndërinstitucional ku mbeti?!
Siç dihet, dhe siç kanë bërë të ditur agjencitë e lajmeve në takimin e sotëm me të cilin synohet që t’i jepet fund bllokadës politike në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje do t’i paraqesë tri propozime. Në mesin e tyre është edhe dakordimi për emrat e anëtarëve që do ta bëjnë kryesinë e re të Kuvendit – kryeparlamentarin dhe nënkryetarët
Tri propozime do t’i kenë në tavolinë liderët dhe përfaqësuesit e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend, në takimin e së shtunës me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti.
Takimi, i cili është planifikuar që të mbahet sot rreth orës 16:00, është ftuar një ditë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin është theksuar se e drejta e propozimit të kryeparlamentarit nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, kërkon bashkëpunim në mirëbesim nga deputetët e zgjedhur për ta gjetur kompromisin apo konsensusin e domosdoshëm.
Dakord. Po kur nuk ka marrëveshje çfarë ka paraparë Gjykata Kushtetuese?! Askush nuk e di. Në fakt nuk ka paraparë asgjë. Veçse ka hequr përgjegjësinë nga vetja.
Burime brenda Vetëvendosjes kanë thënë se për diskutim do të shtrohet kërkesa që subjektet politike të dakordohen për emrat e anëtarëve të kryesisë në pako. Një propozim i tillë, sipas partisë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e fundit, bëhet “me qëllim të moskushtëzimit të ndërsjellë dhe është në frymën e aktgjykimit të Kushtetueses për konsensus e kompromis”.
Propozimi i dytë, i cili do të bëhet nga Kurti, është ai për dhënien e një epilogu formimit të Komisionit që do të merret me zhvillimin e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin.
Nga kryetarët e subjekteve që kanë mandate në Kuvend do të kërkohet që të votohet pro ose kundër formimit të këtij komisioni.
Dhe propozimi i tretë, sipas burimeve në Vetëvendosje-s, do të jetë ai për mbështetjen e realizimit të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, deri dje, të premten, ajo nuk kanë marrë ndonjë zotim prej deputetëve të opozitës së deritanishme se do ta përkrahin të propozuarën e kësaj partie, Albulena Haxhiun, për kryetare të Kuvendit.
Ndryshe me qëllim të bindjes së subjekteve politike, LVV-ja do të zotohet se do ta ndërrojë propozimin e saj, në rast se dështon zgjedhja e Haxhiut në tentimin e parë.
Dmth se do propozojë një tjetër emër, për 35 raundet e ardhshme të përpjekjeve për zgjedhjen e kryetares së Parlamentit. Ndryshe ku ishe? Asgjëkundi!
Thuhet se pjesëmarrjen në takimin e sotëm deri më tani e kanë konfirmuar në Partinë Demokratike (PDK), në Lidhjen Demokratike (LDK), në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si dhe në Nismën Socialdemokrate.
Kjo është gjendja deri në momentet e deritanishme. Dhe nuk thonë kot se uthulla e fortë prish enën e vet. Edhe Kurti me kokëfortësinë e tij ka dëmtuar së pari Kosovën dhe së dyti veten e tij. Njerëzit ndofta nuk flasin. Por ata shohin dhe kuptojnë. Dhe shohin që Albini është një kokëmushkë i dhënë tepër pas pushtetit. Ndofta se i duket vetja më i zgjuari. Më patrioti dhe ku ta di unë.
Është e vërtetë se ai ishte në krye të revoltave studentore kundër regjimit të Millosheviçit në vitin 1997. Saqë i prishi terezinë edhe Rugovës që punonte veçse për të ruajtur statukuonë. Por që atëhere kanë kaluar shumë vite. Dhe ai nuk mund të mbahet më me dafinat e dikurshme.
Për më shumë kur edhe marredhëniet e tij me UÇK-në e lavdishme kanë qënë të dyzuara dhe jo të qarta. Është e vërtetë se në atë periudhë ai ka qënë në burg, por mirënjohjen dhe respektin e tij ndaj atyre që dhanë gjakun për lirinë e Kosovës, mund ta shprehte me mënyra të ndryshme.
Të gjitha këto qëndrime jo të qarta një ditë do të paguhen. Dhe ajo ditë do të jenë zgjedhjet e ardhshme.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment