Si mund të përfundojë konflikti më i ri Izrael – Iran?

    Një konflikt i ri nisi dje në skenën internacionale. Ishte Izraeli që sulmoi me të gjitha forcat e tij Iranin, armikun e tij historik. Zyrtarët e Tel Avivit shpjeguan se ata ishin të detyruar të nisnin këto sulme për të penguar Iranin të zotëronte edhe ai bombën atomike. Që ai e shihte si një rrezik për ekzistencën e shtetit të tij. Rreth një muaj më parë ishte India me Pakistanin, dy fuqi bërthamore, që për pak sa nuk u kacafytën me njëra tjetrin.  Pa folur këtu për konfliktin e rrezikshëm Ukrainë – Rusi, që ka nisur para më shumë se tri vitesh.

         Deri më tani Izraeli e kishte treguar forcën e tij ndaj palestinezëve që jetojnë Gaza dhe në Bregun Perëndimor të lumit Jordan. Duke shkaktuar mbi 50 000 të vrarë. Shkak për këtë konflikt ishte sulmi i organizatës fetare terroriste “Hamas” ndaj qytetarëve izraelitë më 7 tetor 2023.

         Por pyetja kryesore mbetet: A do të mundet Izraeli të ndalojë Iranin të prodhojë bombën atomike?! Kjo është çështja. Ndryshe  a mund të ndalojë vërtet Netanyahu projektet bërthamore të Iranit? Siç dihet Izraeli ndërmorri dje sulme kundër Iranit, duke shënjestruar veçanërisht një lokal të pasurimi të uraniumit dhe duke vrarë po ashtu zyrtarë të lartë ushtarakë të Republikës Islamike.

         Izraeli e sheh programin e armëve bërthamore të Iranit si një kërcënim të drejtpërdrejtë për mbijetesën e tij. Kur kryeministri Netanyahu njoftoi të premten në mëngjes se njerëzit e tij kishin goditur “objektin më të rëndësishëm të pasurimit të Iranit”, ekspertët e kuptuan menjëherë se kompleksi bërthamor i Natanzit ishte goditur.

         Në Natanz, një qendër malore e vendit, uraniumi pasurohet, pra modifikohet për ta bërë atë më të dobishëm për aplikime të caktuara, si energjia bërthamore ose armët bërthamore. Një pjesë e kompleksit është nën male ose nën një shtresë të trashë betoni, gjë që e bën më të vështirë bombardimin. Vetëm bombat amerikane mbi 12 tonëshe mund ta çajnë këtë shtresë mbrojtëse. Por deri më tani duket se Amerika nuk ia ka dhënë këto armë Izraelit.

         Megjithatë ekspertët ushtarakë nuk besojnë se të gjitha objektet e Natanz janë shkatërruar. “Irani e di se Izraeli nuk heziton ta sulmojë, prandaj objektet janë gërmuar gjithnjë e më thellë për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore. Përveç kësaj, Irani ka gjithashtu një kompleks në Fordo ku pasurohet uraniumi. Ky objekt është i ndërtuar në një mal dhe për këtë arsye është gjithashtu i vështirë për t’u arritur” – pohojnë ata.

              Van Hooft, një ekspert ushtarak pretendon se Irani ishte në rrugën e duhur për të zhvilluar një armë bërthamore: – “Për termocentralet bërthamore, 3 deri në 5% uranium i pasuruar është i mjaftueshëm. Për një armë bërthamore, duhet gati 90%. Irani tani është rreth 60%. Por unë vlerësoj se do të duhen muaj dhe jo vite para se ata të kenë një armë bërthamore funksionale. Kjo shpjegon menjëherë pse Izraeli e ka nisur këtë sulm tani: ai nuk dëshiron që armiku i tij më i madh në rajon të jetë në gjendje të vendosë armë bërthamore gjithashtu” – thotë ai. Ndryshe vetë Izraeli e zotëron bombën atomike prej dhjetëvjeçarësh.

       Sipas kryeministrit Netanyahu, Irani ka uranium të mjaftueshëm për të prodhuar rreth nëntë armë bërthamore. Kjo shifër është në përputhje edhe me një raport të publikuar së fundmi nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, e cili thotë, ndër të tjera, se Irani po pasuron uraniumin me një ritëm në rritje dhe se ka shenja të prodhimit të armëve. Me këto raketa, Irani mund të godasë të gjithë territorin e Izraelit.

       Van Hooft mendon se sulmet izraelite ndaj Iranit do ta ngadalësojnë pa asnjë dyshim prodhimin e armëve bërthamore në Teheran. “Por është e vështirë të thuhet se sa kohë do të fitojë Izraeli. Ajo që dihet është se këto sulme kanë pasur një ndikim të konsiderueshëm. Jo vetëm që u goditën objektet, por gjashtë shkencëtarë bërthamorë u eliminuan. Kjo nuk është hera e parë. Vitet e fundit, disa shkencëtarë që punojnë në programin e armëve bërthamore janë vrarë” – vëren ai.

    Eksperti beson se “pasojat janë të paparashikueshme”. Sulmet e mëparshme ndaj programit bërthamor të Iranit fillimisht shkaktuan një vonesë në prodhim, por pas rimëkëmbjes, ai në fakt u përshpejtua. “Shtetet e Bashkuara duan një marrëveshje me regjimin iranian për programin e tyre të armëve për një arsye të mirë. Trump nuk ka dëshirë për një luftë të re në Lindjen e Mesme. Por Izraeli duket i pandalshëm, Netanyahu nuk beson në një zgjidhje diplomatike me Iranin. Dhe amerikanët janë aleatët më të mëdhenj të izraelitëve, kështu që Uashingtoni është në një pozitë të keqe” pohojnë ekspertët ushtarakë.

           Sipas ekspertëve, koha e këtyre sulmeve ajrore në shkallë të gjerë është shumë strategjike. Mbrojtja ajrore e Iranit ende nuk është rikuperuar plotësisht pas sulmeve të tetorit të kaluar. Aleatët e Iranit, Hamasi në Gaza dhe Hezbollahu në Liban, gjithashtu janë dobësuar rëndë dhe mund t’i bëjnë më pak dëme Izraelit. “Unë mendoj se Izraeli do të vazhdojë për ca kohë këto sulme,” tha eksperti.

         Irani kishte bërë të ditur të enjten, 24 orë para fillimit të sulmeve izraelite,  ngritjen e një objekti të ri pasurimi dhe një rritje “të konsiderueshme” të prodhimit të uraniumit të pasuruar, duke përkeqësuar kështu tensionet mbi programin e tij bërthamor, përpara bisedimeve me Shtetet e Bashkuara të parapara për të dielën. Në të njëjtën kohë, mediat amerikane, duke përfshirë New York Times dhe NBC News, kishin raportuar se Izraeli dukej se po përgatiste një sulm të afërt ndaj Iranit, armikut të tij kryesor.

          Pohimet e Iranit erdhën menjëherë pasi Bordi i Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në Vjenë miratoi një rezolutë që dënonte Iranin për “mospërputhje” me detyrimet e tij bërthamore.

         Në Vjenë, rezoluta e hartuar nga Londra, Parisi dhe Berlini (anëtarë të të ashtuquajturit grup E3) të lidhur me Uashingtonin, u miratua nga 19 nga 35 vende, sipas burimeve diplomatike. Ai i bën thirrje Teheranit të “korrigjojë urgjentisht mospërputhjen” me angazhimet e marra sipas Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT).  IAEA, një organ i OKB-së thekson se ajo “nuk është në gjendje të garantojë që programi bërthamor i Iranit do të jetë ekskluzivisht paqësor

          Izraeli dhe mbrojtësi i tij, Shtetet e Bashkuara, kërkojnë tani që Irani të heqë dorë plotësisht nga pasurimi i uraniumit, gjë që Teherani e refuzon, duke pretenduar se ka të drejtë ta bëjë këtë. Pas tërheqjes së njëanshme të Uashingtonit nga marrëveshja e vitit 2015 dhe rivendosjes së sanksioneve amerikane kundër Iranit, vendi është i lirë nga detyrimet  përcaktuara, duke përfshirë këtu edhe përshpejtimin e pasurimit të uraniumit. Marrëveshja e vitit 2015 vendosi kufirin e pasurimit në 3.67%. Sot ai ka arritur në 60%!

            Nëse negociatat dështojnë, nëse “na imponohet një konflikt, pala tjetër me siguri do të pësojë më shumë humbje se ne”, tha ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh. “Bazat e tyre janë brenda mundësive tona” dhe “Shtetet e Bashkuara do të duhet të largohen nga rajoni”, shtoi ai.

         Është e vërtetë se Shtetet e Bashkuara kanë baza të shumta ushtarake pranë Iranit, më e rëndësishmja prej të cilave ndodhet në Katar, ku gjendet edhe selia e Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme (Centcom).

        UKMTO, një agjenci e sigurisë detare e drejtuar nga Marina Britanike, kishte paralajmëruar “tensionet në rritje” në Lindjen e Mesme, të cilat mund të çojnë në “një përshkallëzim të aktiviteteve ushtarake me një ndikim të drejtpërdrejtë tek detarët”.

          Pasurimi i uraniumit ishte, deri më tani, pengesa kryesore në bisedimet midis Teheranit dhe Uashingtonit, të ndërmjetësuara nga Omani, që synonin vënien “në shina” të programit bërthamor të Iranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve që po gjymtojnë ekonominë e vendit. Irani është i vetmi shtet jo me armë bërthamore që pasuron uraniumin në një nivel të lartë prej 60 për qind, sipas IAEA. Për të bërë një bombë atomike, pasurimi duhet të shtyhet deri në 90%.

           Perëndimi dhe Izraeli, i konsideruar nga ekspertët si e vetmja fuqi bërthamore në Lindjen e Mesme, e kanë akuzuar prej vitesh Iranin se po kërkon të prodhojë armë bërthamore. Teherani e mohon këtë, duke mbrojtur të drejtën e energjisë bërthamore për qëllime civile.

       Por ai pohoi se tashmë lejet e nevojshme janë siguruar nga vetë kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit (AEOI) për të hapur një qendër të re pasurimi në një vend të sigurt, deklaruan nga Ministria e Jashtme iraniane dhe AEOI. “Ne po zëvendësojmë të gjitha makinat e gjeneratës së parë me makina të avancuara të gjeneratës së gjashtë” në impiantin e pasurimit bërthamor Fordo, në jug të Teheranit, shtoi zëdhënësi i AEOI Behrouz Kamalvandi, duke nënvizuar se kjo do të thotë se prodhimi i “materialit të pasuruar do të rritet ndjeshëm”.

       Nisur edhe nga këto deklarata dhe vendime, Izraeli i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për “një përgjigje vendimtare” kundër Teheranit, veprimet e të cilit, sipas tij, përbënin “një kërcënim të afërt për sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar”. Shteti izraelit, i cili e konsideron programin bërthamor të Iranit një kërcënim ekzistencial, ka paralajmëruar vazhdimisht se ai një ditë do të sulmojë objektet bërthamore në Iran.

         Por edhe Irani ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo sulmi izraelit në vendin e tij duke shënjestruar “objektet sekrete bërthamore” të Izraelit. Sot ai gjithashtu kërcënoi se do të godiste edhe bazat ushtarake amerikane, franceze dhe britanike në Lindjen e Mesme, në rast të zgjatjes së konfliktit.

           Edhe Izraeli, nga ana e tij, i bëri thirrje dje komunitetit ndërkombëtar për “një përgjigje vendimtare” kundër Teheranit, veprimet e të cili përbënin, sipas tij “një kërcënim të afërt për sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar”.

      Diçka bie në sy. Ky konflikt i ri, mund të shkaktojë po aq rreziqe për paqen në botë, sa ai Ukrainë – Rusi. Bota duket se po ndahet përsëri në blloqe ideologjike dhe strategjike tejet kundërshtare si gjatë Luftës së Ftohtë. Nga njëra anë Izraeli, SHBA-të dhe Europa Perëndimore dhe nga ana tjetër Rusia, Kina, Brazili dhe ndofta edhe Turqia dhe India!

         Izraeli i armatosur deri në dhëmbë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shumë mundësi ta fitojë këtë luftë. Por është e qartë se edhe ai do të paguajë një çmim të lartë për këtë fitore “si e Pirros”.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment