Bejlerët dhe idealistët e kombit.

       Kohët e fundit në Shqipëri ka plasur një debat i zjarrtë rreth të ashtuquajturave „Familje të Mëdha“. Shkas për këtë debat u bë deklarata e një deputeti të PD-së, i quajtur Alizoti, i cili duke u mburrur, deklaroi se ai ishte aristokrat sepse vinte nga një Familje e Madhe! Dhe me këtë rast ai hoqi edhe një vijë ndarëse ndërmjet elitave dhe gjysmë-opingave, siç cilësohej në kohën e Zogut vegjëlia.

         Rreth „Familjeve të Mëdha“ kam lexuar dikur, në kohen e diktaturës, romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit francez Moris Dryon. Roman që nuk u përkthye kurrë në shqip. Ndryshe filmi, që mori nismë nga ky roman, me aktorin e famshëm francez Zhan Gabë, (Jean Gabin) u shfaq në kinematë e Tiranës, andej nga fillimet e vitit 1970.

      Debati në Shqipëri ka marrë tashmë edhe ngjyra politike dhe historike. Nënkuptimi është:“Ne të kamurit e bëmë Shqipërinë. Ju gjysëm-opingat veçse na sollët komunizmin“!  Me të kamurit kuptohet e djathta, e udhëhequr sot nga një derr ish komunist!  Me gjysëm-opingat kuptohet e majta, sidomos PS-ja, e udhëhequr sot nga një naziskin që  vetëm i majtë nuk është!!

         Po a është vërtet kështu?! Le t’i marrim gjërat me rradhë. E para gjë që duhet veçuar dhe nënvizuar është ndarja e qëllimshme ndërmjet rilindasve të pavdekshëm, si psh Frashërve, Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit, Bajrram Currit, Pashko Vasës etj me bejlerët dhe berlurçinat tip Vrioni, Verlaci, Toptani, etj etj . Kjo ndarje, ose më mirë të themi kjo bërje çorbë e dy shtresave të papajtueshme me njëra tjetrën është, siç thamë, e qëllimshme. Disa duan të marrin meritat e disa të tjerëve.

       Sepse, siç dëshmojnë edhe faktet dhe historia, Shqipëria u bë nga Rilindasit. Ata e ngritën frymën e patriotizmit. U kujtuan shqiptarëve të drobitur dhe të vobektë edhe historinë e lavdishme të Skënderbeut etj etj.

          Këta njerëz, tip Alizoti me shokë, për më shumë mburren se disa nga të parët e tyre, kanë hedhur firmat edhe në dokumentin e Pavarësisë. E vërtetë. Por duhet ditur se pavarësia u shpall atëhere kur të gjitha vendet fqinje me ne kishin disa dhjetëvjeçarë që kishin ngritur shtetet e tyre të pavarura. Dhe për më shumë kur ndërmjet Shqipërisë vasale dhe Turqisë koloniale nuk kishte mbetur më as edhe një rrugë komunikimi !

       Para kësaj gjendjeje paria e vendit, sidomos bejlerët, pothuajse të gjithë myslimanë, u tmerruan : « Shpejt të shpallim pavarësinë nga Turqia se ndryshe na mori lumi. Shqipëria ndryshe do ndahet ndërmjet vendeve kaurre fqinje dhe atëhere mjerë për ne » !

      Kjo ishte edhe arsyeja kryesore e shpalljes së pavarësisë. Në fakt ajo nuk ishte shpallje pavarësie nga Turqia, por nga fqinjët e krishterë që kërcënonin jo vetëm ADN-në e popullit shqiptar, por edhe pasuritë e mëdha që bejlerët shqiptarë kishin marrë si dhuratë nga Sulltani për shërbimet që i kishin bërë Portës së Lartë!

        Duhet theksuar që rrëfenja e këtij shkrimi shkon deri më 29 Nëntor 1944 dhe asnjë ditë më shumë. Autori i këtij shkrimi nuk merr përsipër të justifikojë krimet e Enver Hoxhës dhe epokën e tij bardhë e zi.

         Njëkohësisht Alizoti me shokë « harron » krimin e ndërmarrë nga paria e vendit në vitin 1939, kur ajo i dorëzoi mbretit italian kurorën e Skënderbeut. Dhe ky delegacion ishte i përbërë kryesisht nga bejlerët dhe kolaboratorët me damkë të vendit.

           Po ashtu mund të pohohet se po të mos ishte Lufta Nacionalçlirimtare, sot jugu i Shqipërisë do të ishte grek, njëlloj si Çamëria. Se paria e atëhershme e vendit për shumë shkaqe, që do i trajtojmë një herë tjetër, bashkëpunoi sa me regjimin fashist italian aq edhe atë nazist gjerman. Dhe Shqipëria mund të konsiderohej atëhere me të drejtë si një vend i mundur, bashkëpunëtor i nazi/fashsistëve.

Ja se çfarë thotë dhe si i përshkruan “Familjet e Mëdha Shqiptare” njëri nga njohësit më të mirë dhe të paanshëm të asaj kohe.  Harri Fulz-i, ish- kuadër i lartë i zbulimit amerikan, ish drejtori i Shkollës teknike (ku ka studiuar edhe im atë, Vasil Gjymshana); i cili ka kaluar gati 15 vjet në Shqipëri, në raportin që i dërgon Uashingtonit për Shqipërinë në shtator 1944, shkruan: “… duke qenë tepër feudalë në pikëpamjet e tyre  ata i përziejnë ato me metodat fashiste dhe nazizmin gjerman… Këto gërshetohen mirë prandaj nuk është e rastit që anëtarët e një grupi të tillë përkrahën planet fashiste, duke krijuar një truall të përbashkët me nazistët gjermanë, ata nuk i besojnë popullit të tyre me pretekstin se është injorant dhe primitiv, ndërsa në të njëjtën kohë adaptojnë masa të cilat e mbajnë në kushte injorance, varfërie dhe primitiviteti… Ata preferojnë që njerëzit të jenë të nënshtruar… ata nuk kanë hezituar dhe nuk hezitojnë të përdorin mjetet më vicioze dhe më të ashpra për ta mbajtur popullin në kushtet e nënshtrimit dhe frikës. Anëtarët e këtij grupi me pozita shtetërore, nuk kanë hezituar t’i venë emrin komuniste, çdo shfaqjeje të pakënaqësisë, apo çdo shprehjeje të dëshirës për kushte më të mira.

Elementë të këtij grupi janë:
a.Bejlerët, pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipërinë e mesme dhe të jugut: Vërlacët, Vlorat, Libohovat, Vrionët etj.
b.Bajraktarët, dhe kapedanët myslimanë të Matit, Dibrës, Lumës: Dinet, Elezët.
c.Katolikët fashistë të Mirditës, Shkodrës, Dukagjinit: Markagjonajt, Krujat, Bushatët, Çobat, Harapët.
d.Elementët ballistë, shumica e të cilëve, ka dalë nga grupet e mësipërme dhe shtresa e bejlerëve të mesëm e të vegjël, kasta e oficerëve profesionistë të ushtrisë dhe xhandarmërisë, zyrtarët profesionistë dhe tregtarët e pasur, doktorët dhe gjykatësit e privilegjuar. Me ndonjë përjashtim të vogël shumica janë me prirje nazifashiste dhe përfaqësojnë interesat thelbësore më antidemokratike të vendit”.

(Dokumenti origjinal në arkivin e DASH: A. M 1211/16/875.01/9-2244).

        Që të kuptosh ndryshimin midis rilindësve tanë të lavdishëm që shkrinë pasurinë e tyre për ngritjen dhe mbrothësinë e këtij vendi dhe klasës së bejlerëve mjafton të marrësh dy shembuj të asaj kohe, dy personalitete: Njëri Esad Pashë Toptani dhe tjetri Avni Rustemi. I pari nuk la vend pa e shitur Shqipërinë. Kjo ishte edhe arsyeja që ai u ekzekutua në Paris nga djaloshi idealist Avni Rustemi. Populli e priti me brohoritje dhe entuziazëm të paparë këtë bir të Labërisë, kur zbriti në Durrës, pasi u shpall i pafajshëm për “krimin” e tij nga gjykatësit francezë.

Ndryshe Esad Pasha ishte dhe mbetet shëmbëlltyra e bejlurçinave anadollake të vendit, ndërsa Avni Rustemi përfaqësonte idealizmin kombëtar.

         Shihet se Alizoti e ka bërë tashmë zgjedhjen e tij! Ai është po aq “aristokrat” sa bejleri Esad Pashë Toptani, i njohur si tradhtari numër një i Shqipërisë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment