Kjo ishte edhe ideja fikse e Enver Hoxhës, pasi u prish edhe me Kinën. Ai pati shumë frikë se ndonjë ditë bota “kapitalisto – revizioniste” do të bashkohej për të vendosur një bllokadë ushqimore ndaj vendit tonë. Prandaj edhe vuri në jetë parullën: ”Tu qepemi kodrave dhe maleve. T’i bëjmë edhe ato pjellore si dhe fushat”! I mbetur pa përkrahje dhe aleatë ai u dha pas idesë së prodhimit të gjithçkaje në vend. Me rezultatet katastrofike që dihen.
Po sot a ka ende vende që mbështeten tërësisht në “forcat e tyre”?! Pra pa asnjë bashkëpunim me botën, por mbështetje vetëm në forcat e veta?! Ndryshe a ka sot ndonjë vend në botë që arrin të plotësojë 100 për qind nevojat e veta themelore?!
Kjo ishte edhe tema e studimit të ndërmarrë kohët e fundit nga kërkuesit dhe profesorët e universiteteve të Göttingen-it në Gjermani dhe nga universiteti skocez i Edinburgut. Ata ngritën pyetjen se sa vende në planetin tonë mund të ushqejnë popullsitë e tyre, nëse e gjithë tregtia ndërkombëtare ndalonte, si në sasi ashtu edhe në cilësi.
Në botën e sotme të globalizuar duket se është tejet e vështirë që një vend i vetëm të plotësojë të gjitha nevojat e veta pa një tregti me jashtë. Edhe studiuesit gjermano/skocezë ishin të mendimit se nëse nuk jeni radikalisht vetizolues, i mbyllur ndaj botës, vetë-mjaftueshmëria ushqimore nuk duhet të ekzistojë. Në Europë psh perimet vijnë kryesisht nga Spanja, djathi nga Franca apo Holanda dhe mishi ndonjëherë vjen edhe nga Argjentina apo Zelanda e Re.
Shkencëtarët e sipërpërmendur analizuan me këtë rast të dhënat e prodhimeve të ushqimit nga 186 vende të botës, duke i ndarë ato në shtatë kategori kryesore: fruta, perime, produkte qumështi, peshk, arrore dhe bishtajore si dhe produkte me bazë niseshtenë.
Përgjigja qe sa e qartë aq edhe e papritur: vetëm një vend në botë mund të ushqente popullsinë e tij. Pa pasur nevojë për prodhimet dhe eksportet e të tjerëve! Dhe mos u habitni po deshët, ky vend është Guajana, pothuajse e panjohur. I vetmi komb anglishtfolës i Amerikës së Jugut, që gjendet në bregun verilindor të kontinentit, me një popullsi prej pak më shumë se 826.000 njerëzish.
Çuditërisht vendin e dytë dhe të tretë e zejnë vende ish aleate me Shqipërinë në kohën e Enver Hoxhës, saktësisht Kina dhe Vietnami! Ndofta të ndikuara nga njëra tjetra edhe këto 2 vende prodhojnë ushqim të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e popullsisë së tyre në gjashtë nga shtatë kategoritë kryesore, pohon instituti “Science Alert”. Vetëm për produktet e qumështit këto dy vende duhet të importojnë.
Por këto janë thjesht përjashtime nga e përgjithshmja: Sot vetëm një në shtatë vende të hulumtuara thuhet se është në gjendje të plotësojë nevojat e veta të paktën në pesë kategori ushqimore. Më shumë se një e treta e listës është e vetë-mjaftueshme vetëm në dy ose më pak kategori ndarëse.
Ndryshe gjashtë vende të botës si Afganistani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Iraku, Makao, Katari dhe Jemeni – nuk kanë arritur vetë-mjaftueshmërinë në asnjë grup ushqimor, bëhet e ditur nga revista “Nature Food”.
Shkencëtarët vërejnë po ashtu se edhe nëse bota do të jetë e ndarë në bashkime ekonomike të përbëra nga disa vende, vetëmjaftueshmëria mbetet përjashtim. Asnjë bashkim ekonomik aktual nuk prodhon psh perime të mjaftueshme për të ushqyer të gjithë popullsinë e saj.
“Tregtia ndërkombëtare e ushqimit dhe bashkëpunimi janë elementë thelbësorë për dieta të shëndetshme dhe të qëndrueshme”, pohon Jonas Stehl, një ekonomist zhvillimi në Universitetin e Göttingen-it. “Megjithatë, një varësi e madhe nga importet nga një vend i vetëm mund t’i lërë kombet të pambrojtura. Prandaj është e domosdoshme të ndërtohen zinxhirë elastikë të furnizimit me ushqim për të siguruar shëndetin publik në mbarë botën”- thekson ai.
Siç shihet ideja e “mbështetjes në forcat e veta” apo ajo e “sigurimit të bukës në vend” kanë të mirat dhe të këqijat e tyre. Por në Shqipërinë e Enver Hoxhës këto praktika çuan në mungesa të mëdha të mallrave në treg. Edhe për shkak të gabimeve të theksuara në fushën e ekonomisë, siç ishte psh ndalimi i oborrit kooperativist apo edhe mungesa e interesimit për nivelin e ushqyerjes së popullit.
Thuhet se në ato kohë Enver Hoxha ishte shumë i zënë duke u marrë me shkrimin e “veprave” të tij, siç ishte psh “Imperializmi dhe revolucioni”!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment