Megjithë masakrat në Gaza, Izraeli gati sa nuk fitoi Eurovizionin?!

     Gjithë bota u çudit. Në konkursin e përvitshëm të këngës europiane, Izraeli papritur u kthye në kandidatin kryesor për të fituar çmimin e parë në këtë ngjarje artistike, që ndiqet çdo vit nga më shumë se 200 milionë telespektatorë !

        Edhe kësaj rradhe ai e justifikoi pritshmërinë për të. Përveç sallës së mbushur „dëngas“, edhe stadiumi i gjendur aty pranë, ku shfaqja ndiqej „live“, ishte i mbushur plot e përplot nga mbi 30 000 ndjekës të apasionuar të këtij spektakli. Pa llogaritur këtu ata qindra milionë që e ndiqnin këtë shfaqje të përvitshme nga televizori apo mediat sociale.

        Dhe kur gjithçka po shkonte drejt mbylljes, me Austrinë në krye, papritur, kur filluan të numëroheshin dhe llogariteshin edhe votat e publikut, Izraeli kapërceu si me çudi nga vendi i 12 ku gjendej deri atëhere në vendin e parë!

          Dhe kjo në një kohë kur vetë pjesëmarrja e tij në këtë festival madhështor ishte vënë në diskutim deri ditët e fundit. Shumë vende dhe shumë personalitete kishin kërkuar me forcë që shteti hebraik të përjashtohej nga ky konkurs për shkak të politikës së tij të gjenocidit në Gaza. Kërkesë që nuk u mor fare parasysh nga selia organizatore e Eurovizionit, UER.

        Përgjigja ishte e prerë. Eurovizioni është një ngjarje artistike që nuk merret me politikë! Vërtet?! Por kur përjashtuan, me të drejtë, Rusinë para tri viteve për shkak të agresionit të saj ndaj Ukrainës, a nuk ishte përsëri një ngjarje artistike që nuk merrej me politikë?!

       Dhe nuk është hera e parë që Izraeli kërcënohet me përjashtim nga ky konkurs. Kështu ngjau edhe vitin e kaluar, kur mijëra protestues u derdhën rrugëve të Malmoes në Suedi, duke kërkuar përjashtimin e këtij shteti që ka 77 vjet që shtyp, persekuton dhe masakron palestinezët.

        Por duket se Tel – Avivit aq i bën. Ai ka mbështetje të fortë në qarqet më të larta politike, sa në Uashington aq edhe në Bruksel. Kështu ngjau edhe këtë vit në Balë të Zvicrës. Interpretimi i këngëtares izraelite u shoqërua sa me fishkëllima nga kundërshtarët e politikës izraelite në rajon, por po aq edhe me duartrokitje nga mbështetësit e tij. Madje dy spektatorë u përpoqën të ngjiteshin edhe në skenën ku po performonte këngëtarja izraelite, por u ndaluan nga agjentët e sigurisë.

       Por Bashkimi Europian i Radio – Televizionit, UER, bëri gjithçka që ishte e mundur që këto  shprehje kundërshtimi ndaj përfaqësueses së shteti izraelit të mbuloheshin dhe të mos dukeshin.

       Megjithatë juritë e vendeve pjesëmarrëse i kishin  dhënë deri atëhere Izraelit rreth 60 pikë dhe ai « rrotullohej » andej nga mesi i tabelës.

       Po si spjegohet atëhere që deri një minuta para se shfaqja të mbyllej Izraeli të ngjitej në vendin e parë ?! Përgjigja është e thjeshtë. Izraeli ka një diasporë të shpërndarë anë e mbanë Europës. Dhe një diasporë jo dosido, të përbërë nga larës pjatash nëpër restorante ! Por një diasporë të mirorganizuar dhe të fuqishme që mbështet me forcë shtetin hebre.    

         Disa këtë diasporë e cilësojnë si  « lobi çifut ». Shprehje që Tel Avivi nuk e do pasi ajo lidhet me librin famëkeq të « Protokollit të pleqve të Sionit » !

       Kjo diasporë i « dhuroi » Izraelit 297 pikë (!) që e nxorri atë papritur në krye të tabelës. Sepse në disa vende një spektator ka të drejtë të votojë deri 20 herë me të njëjtin telefon për këngën që i pëlqen. Pra shumëzoni numrin e diasporës çifute me 20 dhe kuptohet se si Izraeli fitoi aq shumë pikë. Më shumë se çdo vend tjetër.

         Për specialistët e Eurovizionit nuk ka asnjë dyshim. Ky mobilizim ngjau edhe pas një fushate të tërë të ndërmarrë nga qeveria izraelite e Netanyahut, sa në televizionin shtetëror, por po aq edhe në Facebook dhe YouTube, për të nxitur diasporën çifute të votonte masivisht për këngëtaren izraelite. Se Tel Avivi po përpiqet me të gjitha mënyrat, duke përfshirë këtu edhe ambasadat e tij në vendet europiane, që të jetë sa më i pranishëm dhe i përkrahur në skenën europiane !

       Por ka edhe diçka tjetër, që dëshmon për forcën e këtij shteti dhe të diasporës së tij. Në Spanjë psh shprehen të habitur sesi teleshikuesit e këtij vendi i dhanë 12 pikë Izraelit ?! Në një kohë që juria zyrtare i dha vetëm 1 pikë!     

       Prandaj Radiotelevizioni publik spanjoll, RTVE, i ka kërkuar sot, e hënë 19 maj, spjegime organizatorëve të këtij festivali, se si janë shpërndarë televotat e 142.688 votuesve spanjollë. Sipas medias spanjolle El Pais një hap të tillë po e hedhin edhe disa media të vendeve të tjera !

        Për më shumë marrëdhëniet ndërmjet kanalit spanjoll RTVE dhe organizatorëve të festivalit, EUR, janë përkeqësuar ndjeshëm këto kohët e fundit. Pasi Spanja, e mbështetur nga Irlanda, Islanda Sllovenia etj kanë kërkuar me forcë që të vihet në pikëpyetje pjesëmarrja e Izraelit në këtë konkurs, për shkak të genocidit në Gaza !

        Por një qëndrim i tillë ka pasur si pasojë që të premten e kaluar RTVE të marrë një letër paralajmëruese nga UER, organizatori i Eurovizionit, ku i kërkohej kanalit spanjoll të mos përmendte më krimet e Izraelit në Gaza !

         UER vazhdon të theksojë se Eurovizioni është një shfaqje apolitike, në një kohë që për shumë specialistë, dhënia e pikëve, kriteret e pjesëmarrjes në festival si dhe shpalljet e fituesve, – dëshmojnë të kundërtën !

         Sa për dijeni dhe statistikë duhet të dihet se 50 përqind e pikëve në Eurovizion fitohen nga juritë zyrtare të çdo vendi dhe 50 përqindët e tjera nga votat e publikut të 36 vendeve pjesëmarrëse.

       Siç thamë Izraeli fitoi 357 pikë nga teleshikuesit, Italia 256, Shqipëria 218, Austria mbi 170 pikë etj. Kjo e fundit zuri edhe vendin e parë pasi kishte marrë edhe pikët maksimale nga juritë e 36 vendeve pjesëmarrëse.

       Kështu u mbyll edhe ky sesion i kësaj shfaqjeje artistike mbarëeuropiane, por që duket se ka lënë pas vetes vraga dhe dyshime të thella !

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment