Ka qënë një kohë që kur dikush kalonte nëpër Shqipëri, qoftë si vizitor apo etnograf, atij i ngriheshin këngë. Sepse shqiptarët nuk i harrojnë kurrë miqtë e tyre. Veçanërisht ata që vizituan vendin tonë kur Shqipëria ende ndodhej nën perçen turke. Dhe sidomos ata që folën fjalë aq të mira për ne në ato kohë, siç ishte psh poeti aristokrat britanik, Lord Bajron. Apo Edith Durrham. Etj etj. Pa folur këtu për shumë albanologë të huaj që studiuan me rrënjë etimologjinë e gjuhës shqipe, si dhe zakonet dhe traditat e shqiptarëve…
Kështu ngjau deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga trupat fashiste të Duçes. Kishin kaluar vetëm 27 vjet që nga shpallja e pavarësisë më 12 Nëntor 1912 dhe ja një tjetër pushtues hyn në Shqipëri pa trokitur. Për më tepër në planet e Musolinit përfshihej kolonizimi afatgjatë i shqiptarëve, deri ndofta edhe asimilimi apo dëbimi i tyre. Një Zot e di se ku.
Pasi Duçja kishte parashikuar të sillte edhe nja 5 milionë italianë në vendin tonë. Në një kohë që shqiptarët që jetonin në 28 mijë kilometrat katrorë të vendosura në konferencën e Londrës mezi e arrinin 1 milionshin !
Për fat të mirë boshti fashist: Gjermani, Itali, Japoni e humbi luftën. Kështu që shpëtuam nga një kolonizim që ndofta do dilte po aq i keq dhe mizor sa ai turk.
Pastaj për 45 vjet me rradhë Shqipëria u mbyll. Dhe u nda nga bota. Duke përjashtuar këtu vetëm miqësitë ideologjike me Jugosllavinë e Titos, ish- Bashkimin Sovjetik apo Kinën e Mao Ce Dun-it.
I trëmbur sa nga historia e dhimbshme, por po aq edhe nga fqinjët, por edhe për arsye ideologjike, paranojaku Enver Hoxha e mbushi vendin me bunkerë. Madje ndërtoi edhe uzina armësh dhe e ktheu me të vërtetë gjithë popullin në ushtar.
E shkëputur nga bota, sidomos pas vitit 1977, Shqipëria nuk paraqiste më ndonjë interes për Fuqitë e Mëdha. Edhe fqinjët kishin frikë asokohe të shpallnin qëllimet e tyre aneksioniste ndaj vendit tonë.
Më pas Shqipëria u « hap”. Të parët ishin shqiptarët që morrën “arratinë” pas 45 vjet shtypje, dhune dhe varfërie. Ndërkohë të huajt, sidomos fqinjët, gjetën shesh dhe bënë përshesh. Nuk ngeli firaun nga Greqia apo vendet arabe muslimane që nuk zbriti në Shqipëri me pretekstin e të ndihmuarit !
Vendi u shkatërrua përfundimisht në vitin e mbrapshtë 1997. Nuk ngeli gjë pa u përmbysur, shkatërruar, vjedhur apo shitur në emër të luftës kundër komunizmit!
¨Kështu që u nevojitën shumë vite që Shqipëria ta rimerrte veten. Për më shumë shqiptarëve u doli asokohe edhe një nam i zi nëpër pothuajse të gjitha vendet perëndimore. U bënë edhe filma ku shqiptarët paraqiteshin si egërsira, drogmenë, vrasës me pagesë, fondamentalistë myslimanë etj etj. Tablloja ishte ngado e zezë.
Por ka afro 10 vite që ky imazh ka ndryshuar. Kjo falë edhe punës dhe aftësisë së kryeministrit Edi Rama. Ky kryeministër nuk është i rënë nga qielli, madje ka edhe shumë të meta dhe dobësi. Por ai ndofta është kryeministri më i mirë që kanë gjetur shqiptarët gjatë këtyre 35 vite demo- anarshi. Pasi edhe vetë shqiptarët nuk janë të rënë nga qielli. Prandaj Rama mbetet më i miri i mundshëm.
Nuk e di se nga i erdhi ideja e transformimit të vendit në një bujtinë të madhe turistike. Në një restorant-hotel gjigantesk. Sepse Shqipëria megjithëse vend i vogël ka bukuri natyrore që bota na i ka zili. Dete, lumenj, liqene, male, lëndina, klimë malore dhe bregdetare.
Ja psh Llogoraja që gjendet mbi detin Jon. Çekët që në vitin 1960 patën idenë e ndërtimit të një teleferiku nga maja e malit në det. Ide plotësisht e relizueshme dhe fantastike. Por që nuk u vu në jetë në atë kohë se Enver Hoxha i prishi marrëdhëniet me „kampin socialist“ të asaj kohe. Por çuditërisht edhe sot një projekt i tillë ka ngelur veçse në mëndjet e njerëzve. Kur ai mund të kthehej në një magnet për turistë nga e gjithë bota. Një hotel në Llogoranë e ajrit të freskët të pishave, ujit të kulluar të përrenjve gjatë natës dhe plazhit mahnitës të Detit Jon gjatë ditës! Kush nuk do të donte ta provonte!
Çuditërisht kjo ide nuk i ka vajtur në mëndje as dhëndërrit të presidentit Trump që pritet ta vizitojë Shqipërinë pikërisht sot për të shpallur planin e tij të kthimit të ishullit të Sazanit në një resort turistik ndërkombëtar.
Kushner arrin sot në Tiranë, por dje në zemrën e kryeqytetit të vendit tonë ishte mbledhur e gjithë ajka e politikës perëndimore, në kuadër të një takimi të mbarë bashkësisë europiane.
Ishte aty presidenti francez, kancelari gjerman, kryeministri britanik, presidenti i Ukrainës, kryeministrja e Italisë, kryeministri i Spanjës, presidenti i Serbisë, kryetarja e Komisionit Europian, kryetari i Këshillit të Ministrave të BE-së, kryeministri i Belgjikës, kryeministrja e Finlandës dhe plot të tjerë që për mungesë vendi dhe kohe nuk mund t’i përmendim të gjithë.
Të gjithë të kënaqur nga pritja që u bëhet në vendin tonë. Dhe këtu Rama ka merita të mëdha. Shqipëria nuk është më një pikë në hartën e botës që mezi dihet dhe gjendet. Jo se jemi kthyen në superfuqi. As në Luksemburg. Por se tashmë po „begenisemi“ edhe nga të mëdhenjtë e kësaj bote. Dhe kjo nuk është pak.
Dhjetë vjet më parë nuk ishte kështu. Madje flitej edhe për një albanophobi. Por sot situata ka ndryshuar katërcipërisht. Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më delja e zezë e Europës. Bota dhe sidomos Bashkimi Europian po e kupton dhe po bindet se, pavarësisht të gjithave, shqiptarët janë europianë si ata dhe e meritojnë vendin në familjen e tyre.
Steriotipet negative ndaj nesh janë pakësuar deri ndalur. Për Shqipërinë po hapen perspektiva të pamenduara veçse disa vite më parë. Agjencitë e lajmeve, radiot dhe televizionet e botës i bënë jehonë të jashtëzakonshme takimit të djeshëm në Tiranë të mbi 40 udhëheqësve të Perëndimit. Kështu psh rrjeti i mirënjohur televiziv franko/gjerman „Arte“ i kushtoi një reportazh të gjatë këtij takimi si dhe u lidh edhe me të dërguarin e saj të posaçëm në Tiranë!
Ndryshe Zelenski, Starmer, Makron dhe Tusk biseduan dje nga Tirana me presidentin Trump për t’i spjeguar atij se përse dështoi takimi Ukrainë – Rusi, i mbajtur në një nivel të ulët në Stamboll.
Është shumë e thjeshtë: Sot mund të thuash fare natyrshëm, kudo që të jesh, se jam nga Tirana, nga Albania! Ky është suksesi. A nuk ishte kjo edhe ëndrra e rilindasve tanë të pavdekshëm?! Dhe duam apo nuk duam kjo i dedikohet edhe largpamësisë së Edi Ramës.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment