E ka me shqiptarët që nuk e duan, jo me Ramën

        „Huqi del pas shpirtit » – thotë një fjalë e urtë shqiptare. Dhe nuk kishte si të ngjante ndryshe me Sali Berishën. Sapo mori vesh që po humbte për herë të katërt rrjesht, filloi të shante, të turfullonte dhe të mallkonte, – ashtu siç di ai.

        Përdori edhe hiperbolat e tij karakteristike si: vjedhja më e madhe që ka parë bota, narkoshteti, terrori, libri i zi, përbindëshi elektoral, banda kriminale, blerje e votës » e të tjera e të tjera !

       Si një tru i nxehtë që punon non stop, mendja i pjell lloj lloj epitetesh. Kështu ka bërë që nga 1992-shi me « karrigethyerit » dhe kështu do të vazhdojë deri sa të japë shpirt.

         Nuk mund ta kuptojë dhe nuk mund ta pranojë se shumica e shqiptarëve, jo vetëm që nuk e duan, por e urrejnë. Prandaj nuk lë kend pa sharë, mallkuar dhe pështyrë. Një dalldi prej të sëmuri psiqik. Kurrë në jetën e tij politike nuk është zbutur dhe kurrë nuk do të zbutet. As do të qartësohet dhe as do të qetësohet ndonjëherë.

         “Fituam 82 mandate, por Partia Socialiste na i vodhi 30 prej tyre”!  – deklaroi dje ai gjatë një konference shtypi. “Pra, në çdo aspekt këto ishin zgjedhjet më të grabitura, më të plaçkitura dhe më të dhunuara në tërë historinë elektorale të Shqipërisë pluraliste. Kurrë ndonjëherë bandat nuk kanë prurë kaq shumë përfaqësues të tyre në parlamentin shqiptar sa në këtë parlament. Nga veriu në jug, nga lindja në perëndim”, tha Berisha ndër të tjera.

          Prandaj ai paralajmëroi, si gjithmonë, protestë pikërisht në ditën e aq pritur të Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, të premten më datë 16 maj. Nuk do t’ia dijë fare as për Shqipërinë, të cilën e ka djegur dhe shkretuar disa herë të mira gjatë këtyre viteve, por po përpiqet ta nxijë edhe atë ditë kur gjithë Europa politike mblidhet në vendin e Arbërit të Madh, Gjergj Kastriot Skënderbeut, që gjithë jetën e tij luftoi kundër kulturës orientale dhe lidhjen e vendit me Europën.

        “Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet në datën 16, në orën 17:00, në Bulevardin Zogu I, për të sensibilizuar opinionin publik botëror, mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral, Edi Rama, që nuk respekton asnjë ligj ndërkombëtar për zgjedhjet.

          Protesta do të jetë paqësore. Garantojmë se nuk do të ketë probleme që të cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e shtetarëve që do vijnë, por duam që ata ta mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh as ligj as moral për votën dhe vullnetin e qytetarëve të tij”, shtoi Berisha.

        Por vetë organizimi i një demonstrate pikërisht atë ditë nxin dashur pa dashur imazhin e Shqipërisë te europianët. Që janë mësuar t’i japin dorën njëri – tjetrit edhe kur humbasin, edhe kur fitojnë. 1 000 vite drite janë para këtij vampiri nga viçidoli që sheh para vetes vetëm armiq që duhen varur! 

          A është e vërtetë, a është e mundur që ai beson se me të vërtetë ia kanë vjedhur votat?! A mund të ketë përfunduar deri në këtë derexhe?! Se atëhere kemi të bëjmë vërtet me një rast klinik shumë të rrezikshëm.

        Kështu është sjellë ai që nga viti 1991! Apo ndofta meqë vet ka vjedhur, ka vrarë, ka shkatërruar, ka mashtruar, ka gënjyer etj mendon se të gjithë sillen dhe duhet të sillen si ai?!

         Ndërkohë që shifrat flasin krejt ndryshe. Kështu psh në zgjedhjet e vitit 2021,para 4 vitesh, PD-ja mori 622.187 vota të vlefshme dhe aleatja e saj, LSI, mori 107.538. Gjithsej të dyja morën rreth 730 000 vota.

         Në zgjedhjet e këtij 11 maji, këto parti u futën në garë si një koalicion i përbashkët, me shpresë se bashkimi do të bënte fuqinë… Por të bashkuara ato morën shumë më pak vota të vlefshme brenda vendit, krahasuar me sa kishin marrë para katër vitesh – vetëm 480 000 sipas një projeksioni statistikor të bazuar në 5065 kutitë e numëruara deri dje ora 16.00 nga 5225 gjithsej.

          Ndryshe KQZ-ja njoftoi mbrëmë afër mesnatës se janë numëruar 5225 kutitë e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Partia Socialiste konfirmohet në pushtet dhe merr mandatin e katërt. PS fiton me 52.2% të votave, rezultat i cili i jep shumicë të konsiderueshme në Parlament. Socialistët kanë siguruar deri rreth 780 mijë vota dhe 83 deputetë. Koalicioni PD-ASHM ka 34.2%, ose rreth 503 mijë vota në të gjithë vendin dhe 50 mandate në Parlament.

        Ndryshe të dyja partitë e mëdha pësuan humbje gjatë këtyre zgjedhjeve, krahasuar me 4 vite më parë. Por ndërsa PS-ja humbi rreth 40 000 vota, PD me aleatët humbën rreth 250 000 votues!

       Kështu ngjan kur ndahesh në 14 copa. Kur e shpall ish mikun dhe aleatin tënd, Lulzim Bashën, tradhtar, njëlloj si Enver Hoxha me Mehmet Shehun. Kur detyrohesh të paguash miliona dollarë që të të heqin damkën amerikane të “non gratës”. Dhe pastaj ankohesh për herë të njëqindtë se të kanë vjedhur votat!

       Rast i rëndê skizofrenie. Nuk mund të spjegohet ndryshe.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment