Pse është e vështirë të mundet Rama?!

        Ja edhe zgjedhjet e 11 majit përfunduan. Të 11-tat në historinë e pluralizmit shqiptar. Me rezultatin që tashmë dihet. Zgjedhjet e 11-ta ishin ndofta edhe ndër zgjedhjet më të qeta të mbajtura që nga viti 1991. 

      Pas fitores së “falur” më 1992, se partia socialiste nuk kishte asokohe asnjë dëshirë të fitonte, pushteti i vajti PD-së. Por koha kalon shpejt, njëlloj si 4-vjeçarët e zgjedhjeve. Dhe erdhi edhe viti 1996. PD-ja  deri atëhere pati kuptuar se, pavarësisht të gjithave, ajo nuk ishte në zemrën e popullit. Madje se edhe shihej me dyshim.

        Humbjet në zgjedhjet lokale, që pasuan ato të vitit 1992 si dhe disfata e turpshme për referendumin presidencial, e kishin bindur Berishën se kishte ardhur koha që të përdorte metodat e « forta ». Siç ishin vjedhjet haptazi të votave, por edhe rrahjet dhe gjakosjet e përfaqësuesve të opozitës në mes të sheshit « Skënderbej » !

        Për më shumë rreth ngjarjeve të 26 majit të vitit 1996 mund të lexoni në këtë blog librin « Shqipëria e vitit 1997 parë nga Perëndimi »!

       Po le të kthehemi te titulli i këtij shkrimi që ka të bëjë me fitoren e 4-t rradhazi të Edi Ramës. Një rekord më vete ky.  Parë edhe rezultatin aktual të tyre mund të bindesh lehtë se fitorja e zgjedhjeve për Edi Ramën përbën për të veçse një lloj loje që ai di ta luajë aq bukur.

      Është shumë e vështirë ta mundësh Ramën  se atë nuk di se si dhe nga ta sulmosh!  Se Rama nuk ka shtyllë kurrizore. As parime dhe as ideologji. Ai sot është i majtë, nesër është i djathtë. „Grurë“ me Melonin, por edhe me përfaqësuesit e së majtës europiane. Mik për kokë me Erdoganin, por bujar dhe mirëdashës edhe me Izraelin! Mbështetës i partizanëve, por i respektueshëm edhe ndaj ballistëve të Mit’hat Frashërit!

      Ai është si një ngjalë që nuk e zë dot as me gjethe fiku. I ndërron ngjyrat çdo ditë më keq se kameleoni. Si mund të ndeshesh me një kundërshtar të tillë, që zë edhe katroret e bardha dhe katroret e zeza të një fushe shahu?!

       Ndryshe Rama nuk vret për pushtet. Ai i lë kundërshtarët e xhindosur t’ia djegin edhe derën e kryeministrisë dhe është ende mirë që nuk vete edhe ai vetë me një bidon benzine që tu jape një dorë humbësve të përjetshëm!

       Ndërsa Berisha ka ngelur si një kallëp i palëvizshëm. Këto që thotë sot i ka thënë edhe para 35 vitesh. Për më shumë edhe e kanë diskredituar botërisht me atë “non gratën” e famshme. I vetmi aleat që i ka mbetur është Greqia. Dhe kjo nuk ia shton pikët në popull. Përkundrazi.

        Atëhere si mund të fitojë ai që ka edhe një të kaluar të tmerrshme?! Vjedhja e votave më 1996, viti i mbrapshtë1997, vrasjet në bulevard, vrasjet në Gërdec, shitja e detit Greqisë etj etj?!

       Përballë tij luan me “duar të pastra » pasardhësi i një prej familjeve më të njohura komuniste të diktaturës. Por si një rebel i lindur Rama ka mohuar edhe të shkuarën e tij. Konfirmim i qartë ky i ligjit social dhe biologjik i mohimit të mohimit!

      Dhe natyra e zhdërvjelltë e Ramës ndryshon shumë me fytyrën si të ngrirë në allçi të komunisto/demokratit Sali Berisha. I rritur, i formuar dhe i brumosur me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver(!) ai e ka shumë të vështirë të ndryshojë. Madje edhe të gjitha sjelljet e tij, pavarësisht fjalëve që thotë, ngjajnë me atë të një komunisti të devotshëm dhe të përkushtuar.

       Sa ndryshe me artist/ sportistin që i ka « zënë vendin » në selinë kryeministrore në bulevardin « Skëndërbej”! Rama luan me kubizmin, impresionizmin, natyrizmin, madje bën edhe kosha në zyrën  kryeministrore, ndërsa Berisha rri si një qënie e drunjtë.

       Duket sikur janë dy botë krejt të ndryshme: njëra që merr formën e enës ku hidhet dhe tjetra e ngurrtë që nuk ndryshon edhe sikur t’i biesh me çekiç!

       Pa folur këtu që Rama, si një kollovar i shkathët, ka trashëguar një formacion politik monolit që e bashkon veçanërisht urrejtja ndaj ish- të ngjashmit të tyre, “devijatorit” Sali Berisha.

      Ka edhe një ndryshim tjetër. Sali Berisha gjithçka që e ka arritur e ka fituar me zellin dhe përkushtimin e tij, me vullnetin e çeliktë. Ndërsa Rama nuk ka pasur nevojë ta stërmundojë veten. Ai vetitë e tij I ka të lindura. Jo të mësuara apo të sforcuara. Që kur ka lindur ia kanë vënë kokën në një jastëk me pupla me një këllëf prej mëndafshi. Dhe jo mbi një kërcu druni si andej nga Viçidoli.

       Prandaj Berisha nuk e mund dot Ramën. Dy herë që i ka fituar zgjedhjet, më 1992 dhe 2005 ai ka pasur përballë Fatos Nanon. I gatshëm t’ia dhuronte pushtetin në një tabaka të argjendtë! Herën e parë më 1992-shin se ishte i bindur se ai me partinë e tij nuk mund t’i bënte dot ballë furisë së revanshit që kishte përfshirë gjithë Europën Lindore. Dhe herën e dytë më 2005, për shkak se mëtonte postin e presidentit! Deri sa pastaj i braktisi të gjitha si postin e kryeministrit, atë të kryetarit të partisë etj dhe u strehua përfundimisht në Vienë të Austrisë.

      Por Rama është ndryshe. Ai e adhuron pushtetin, me gjithë të mirat dhe kënaqësitë që ai të dhuron. Prandaj Berishës me të i ka ngelur sharra në gozhdë. Aq më shumë që natyra bën punën e vet. Ai tashmë 80 vjeçar pothuajse e ka mbyllur jo vetëm karrierën e tij politike, por është afër fundit edhe të asaj njerëzore. Ai nuk frymëzon më. Pothuajse veç se ngjall keqardhje.

      Dhe me shumë gjasa ky katërvjeçar i ri (2025 – 2029) do të jetë edhe fundi politik i të dyve. Rama do largohet nga pushteti, pasi fitoi gjithçka deshi dhe si deshi.  Ndryshe vitet mbi supe do ta bëjnë edhe Berishën t’i përkulet ligjeve të natyrës.

     Dhe kështu perdja do të ulet. Pas 2029 për Shqipërinë do të fillojë vërtet një epokë e re në ide, në njerëz, në veprime dhe në perspektivë.

                                                                                                           Nga Viron Gjymshana

Lini një koment