Lufta Ukrainë – Rusi në një moment kyç

      Papritur dhe pakujtuar sot të gjithë po flasin për paqe. Paqe pas afro 3 viteve luftë, që ka shkaktuar me qindra mijëra viktima, sa ushtarake aq edhe civile. Janë vrarë të rinj në lule të jetës. Janë vrarë burra, gra, pleq dhe plaka si dhe fëmijë pa pasur asnjë faj.

         Është histori e gjatë të shkruash sot për këtë luftë që rrënjët e saj i ka që në vitin 2014, kur me anë të një revolucioni, ose grushti shteti në sheshin Maidan, (varet nga këndvështrimi i secilit), presidenti i zgjedhur demokratikisht u rrëzua nga pushteti!

         Por sot do shkruajmë për paqen. Sepse ndofta kjo luftë e panevojshme mund të përfundojë në një tryezë bisedimesh. Pasi është parashikuar që këtë të enjte rusët dhe ukrainasit të takohen në Stamboll të Turqisë për të biseduar pikërisht rreth mundësisë së ndërprerjes së luftimeve.

        Do të jetë diçka shumë e mirë për Njerëzimin sikur kjo luftë të ndalojë. Së bashku me atë në Gaza apo me konfliktin më të fundit ndërmjet Indisë dhe Pakistanit. Dy shtete këto me armë bërthamore!

       Madje presidenti i Ukrainës, Zelenski, njoftoi se ai do të jetë vetë i pranishëm në Stamboll të Turqisë, për të biseduar me rusët për vendosjen e paqes! Prania e tij atje i ngjan një lloj sfide, një dorashke hedhur fytyrës së Putinit, nëse ai do pranojë të ndeshet ballë për ballë me të apo do të dërgojë në Stamboll  emisarë të tij!

       Të gjitha këto lajme u bënë të ditura sot, e diel 11 maj. Sepse deri dje flitej vetëm për një armëpushim 30 ditor pa kushte. Armëpushim që duhej të kontrollohej ndofta nga Amerika, por sidomos nga Franca, Anglia, Gjermania dhe Polonia.

        Putini nuk e pranoi këtë plan armëpushimi, por bëri thirrje për bisedime të drejtpërdrejta dhe pa kushte ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. I këtij mendimi ishte edhe presidenti amerikan Trump.

       Armëpushim apo bisedime paqeje?! Kjo ishte pika e përplasjes ndërmjet Kievit dhe europianoperëndimorëve me Moskën. Kësaj të fundit as nuk i shkonte ndërmend të pranonte një armëpushim 30 ditor që do i mundësonte trupave franceze, angleze, gjermane dhe polake të vendoseshin në Ukrainë si vëzhguese apo garante të paqes!

          Në fakt ka muaj që katër vendet europiane të sipërpërmendura po kërkojnë të gjejnë një mënyrë që të fusin trupat e tyre në Ukrainë. Deri më tani Zelenski luftoi me të gjitha mënyrat të përfshinte edhe NATO-n në konfliktin me Rusinë. Por pa sukses.

        Edhe ish – presidenti amerikan Biden ishte kundër këtij plani që do e çonte botën direkt e në Luftën e Tretë Botërore.  Dhe me qindra milionë të vrarë si pasojë përdorimit të bombave atomike.

       Kur Trump erdhi në pushtet në Shtëpinë e Bardhë ai ishte hapur kundër këtij skenari. Madje e akuzoj drejtpërsëdrejti në Uashington presidentin Zelenski se po e çonte botën drejt luftës bërthamore.

       Prandaj dhe meqë hyrja e NATO-s në luftë me Rusinë mbetet tani për tani e parealizueshme u gjet formula e shteteve vullnetare për ruajtjen e armëpushimit! Që do të thotë që në rast të arritjes së një armëpushimi trupat gjermane, franceze, angleze dhe polake të vendoseshin në Ukrainë si garante të respektimit të këtij armëpushimi.

         Por rusët nuk mund ta pranonin një taktikë të tillë. Dhe në vend të armëpushimit ata propozuan bisedime të drejtpërdrejta ndërmjet Kievit dhe Moskës për vendosjen e një paqeje përfundimtare.

        Gjithë bota u çua në këmbë dhe duartrokiti. Por a jemi vërtet kaq afër paqes?! E kundërta është e vërtetë. Aq më shumë që disa gjëra nuk janë sqaruar ende. Nuk dihet psh formati i takimit në Stamboll. Pa dyshim aty duhet të jenë delegacione të larta nga Ukraina dhe Rusia. Dhe ndofta edhe vetë Zelenski dhe Putini! Do të jetë po ashtu edhe presidenti i Turqisë Erdogan si mbështetës i dialogut. Ndofta edhe ndonjë emisar i lartë amerikan, siç mund të jetë zëvendëspresidenti Vans apo ministri i jashtëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rubio.

       Se rusët dhe ukrainasit nuk mund t’i lësh kurrsesi të jenë vetëm dhe ballë për ballë. Se me siguri ata do të grinden, do të shahen dhe do të zihen. Pra takimi ka nevojë për ndërmjetësues.

      Por këtu dalim dashur pa dashur te roli i europianëve. A do pranojnë ata të lihen jashtë “tryezës”?! Apo do i bashkangjiten, siç kanë bërë shpesh herë, Zelenskit si këshilltarë apo udhëzues?!

      Dihet se në prill të vitit 2022, pikërisht atëhere kur lufta sa kishte filluar, rusët dhe ukrainasit u takuan, edhe atëhere në Stamboll, për t’I dhënë fund konfliktit. Zelenski dukej se ishte i gatshëm ta pranonte paqen. Por agjencitë e lajmeve në atë kohë pohuan se ishte ish kryeministri britanik, Boris Johnson, që e bindi presidentin ukrainas të mos e pranonte atë plan paqeje dhe të vazhdonte rezistencën:“Me ndihmën tonë ti do ta fitosh këtë luftë dhe do rimarrësh edhe Krimenë” – i premtoi ai asokohe Zelenskit. Gjë që nuk u realizua në terren.

        Tani jemi te akti i dytë i kësaj tragjedie. Zelenski do shkojë i vetëm në Stamboll, (duke përjashtuar këtu ekipin e tij), apo do të jetë i shoqëruar nga disa „Big Brother“?! Kjo është pyetja. Dhe nga kjo varet edhe fati i bisedimeve.

         Amerika vetë tani do paqe në këtë rajon. Sidomos pas nënshkrimit të marrëveshjes së përbashkët ukrainase – amerikane për zbulimin  dhe shfrytëzimin e përbashkët të mineraleve të rralla. Rusia mund ta pranojë paqen me kusht që 4 krahinat e Donbasit, plus Krimeja, t’i mbeten asaj praktikisht dhe legalisht. Ndryshe ajo do kërkojë edhe garanci që Ukraina nuk do riarmatoset për të rinisur konfliktin pas disa viteve!

          Nga ana e saj Ukraina do kërkojë edhe ajo garanci se nuk do të sulmohet përsëri nga Rusia. Garancinë dhe sigurinë ajo e gjen vetëm te lejimi i trupave gjermane, polake, angleze dhe franceze në territorin e saj. Dhe mundësisht pranimi në Bashkimin Europian dhe NATO!

        Siç shihet ka kaq shumë kërkesa nga të dyja palët saqë duket se të gjithë ia kanë me hile njëri – tjetrit. Prandaj ka shumë pak gjasa që në Stamboll të arrihet paqja. Do të gjendet medoemos ndonjë pretekst nga njëra ose tjetra palë që gjithçka të hidhet në erë. Tani „lufta“ bëhet thjesht se kush do ia ngec tjetrit „kopilin“ në derë. Siç thotë një shprehje e vjetër shqiptare.

         Në qoftë se Zelenski pranon kërkesat e Rusisë ky do të ishte kapitullim për të. Dhe ai do duhej të përgjigjej para popullit të tij për ata qindra mijëra të vrarë si dhe shkatërrimin total të vendit nga bombardimet ruse.

        Në rast se Putini do të pranojë futjen e trupave aleate të Ukrainës në territorin e saj, do të ishte e njëjta gjë. Kapitullim dhe dorëzim pa kushte.

        E vetmja zgjidhje e mundshme dhe e pranueshme do të ishte kthimi prapa në vitin 2014. Që do të thotë një Ukrainë asnjanjëse e barazlarguar nga Rusia dhe Perëndimi. Po atëhere përse u bë e gjithë kjo luftë?!

        Askush nuk sheh rrugëdalje. Dhe duket se të dyja palët në rradhë të parë duan të bindin Uashingtonin se fajtori gjendet në anën tjetër. Te kundërshtari.

         Megjithatë të presim dhe të shohim. Deri të enjten mbeten edhe 3 ditë. Ndofta takimi edhe mund të mbahet. Ose ndofta ai mund të anullohet që sot. Justifikimet dhe pretekstet nuk mungojnë. Por ndofta ai mund edhe të përfundojë me sukses, sidomos nëse shteti amerikan ndërhyn fuqishëm dhe i detyron palët të pranojnë kornizat e paqes.      

             Është mirë që sot në Shtëpinë e Bardhë gjendet Trump, i cili, ndryshe nga Biden, nuk do luftë kundër Rusisë. Sidoqoftë të presim dhe të shohim.

Nga Viron Gjymshana                                                                                                         

Lini një koment