Po të ndjekësh me vëmendje masmediat shqiptare të këtyre ditëve të fundit, nuk ka se si të mos të bjerë në sy, përplasja e vazhdueshme ndërmjet pasardhësve të ish- partizanëve me ata atë ish – ballistëve. Ndryshe ish « aristokratëve » me « gjysëmopingat » ! Tashmë kur kanë kaluar 80 vjet që ky sipar (perde) është ulur.
Për 45 vjet me rradhë ballistët dhe pasardhësit e tyre ishin të nëmur, të mallkuar, të përndjekur dhe të persekutuar nga regjimi komunist. Asnjëri prej tyre nuk guxonte të ngrinte kokë.
Por bota u përmbys dhe bashkë me të edhe sistemi komunist. Fitoi demokracia dhe prona private. Atëhere edhe historia ndryshoi. Pasardhësit e ballistëve akuzuan palën kundërshtare se kishin mbjellur luftën civile në vend. Se e zëvendësuan pushtimin nazi/fashist me atë komunist etj etj.
Çuditërisht ky debat në vendet perëndimore konsiderohet tashmë i mbyllur. Kush pati bashkëpunuar me pushtuesin është cilësuar si kolaborator, bashkëpunëtor, dhe është dënuar moralisht dhe penalisht. Por ky debat vazhdon ende sidomos në vendet e ish Europës Lindore. Në ato që dikur përbënin të ashtuquajturin « kampin e republikave socialiste popullore » !
Pasardhësit e ballistëve duket se e kanë shumë të vështirë sot të mbajnë mbi kurriz damkën e bashkëpunëtorit të nazistëve. Por historia bazohet në fakte dhe prova. Dhe këto fakte provojnë se paria intelektuale dhe pasunare e asaj kohe bashkëpunoi me pushtuesin nazi/fashist ose për forcë zakoni, siç kishte bërë gjithë jetën, ose për hir të Kosovës ose thjesht për të mbrojtur privilegjet e tyre klasore ndaj rrezikut bolshevik! Pasi te nacionalistët shqiptarë Kosova kishte mbetur si një plagë në zemër, që kur Fuqitë e Mëdha vendosën që këtë pjesë të truallit shqiptar t’ia falnin ish- Jugosllavisë, siç i falën Çamërinë Greqisë !
Në fakt për të kuptuar se kush e ka pasur drejt dhe kush e ka pasur gabim gjatë Luftës së Dytë Botërore duhet të bëjmë një ndarje anatomike të qartë ndërmjet protagonistëve shqiptarë të asaj epoke. Sepse në Shqipëri në atë kohë nuk ka pasur vetëm ballistë dhe komunistë, siç i ka paraqitur për 45 vjet regjimi komunist. Kanë qënë katër grupime politike. Së pari kanë qënë ata që iu bashkuan pa asnjë ndrojtje regjimit të Duçes. Këta ishin krejtësisht të shitur dhe tradhtarë të kombit. Në këtë grup bëjnë pjesë anëtarët e qeverive kuislinge të kohës së Jakomonit. Ministra, gjeneralë, prefektë, xhandarë e të tjerë ishin pjesë e këtij grupimi që arritën deri aty sa i dhuruan mbretit të Italisë, kurorën e Skënderbeut !
Përveç tyre kemi pasur, për një farë kohe edhe grupimin nacionalist. Bëhet fjalë për disa patriotë të njohur të asaj kohe që luftuan kundër forcave fashiste italiane. Mujo Ulqinaku ishte simboli i nacionalistëve shqiptarë. Por edhe këta të fundit e dëmtuan veten kur u bashkuan apo mbështetën forcat e Hitlerit, të gënjyer nga propaganda hitleriane e krijimit të « Shqipërisë së Madhe » !
Ky grupim u bashkua atë kohë edhe me disa intelektualë të njohur, siç ishte Mit’hat Frashëri, djali i Abdyl Frashërit i njohur ndryshe si Lumo Skëndo, për të formuar organizatën e « Ballit Kombëtar ». « Balli Kombëtar » kishte si strategji të veten qëndrimin asnjanjës në luftën midis « boshtit », Gjermani, Itali, Japoni me bllokun demokratik Amerikë, Britani e Madhe dhe Bashkimin Sovjetik.
« Pse të vritet rinia për interesat e Fuqive të Mëdha ?! Të presim të shohim se kush do ta fitojë luftën dhe pastaj bëhemi me ta” – ishte politika e Ballit Kombëtar. Politikë e gabuar siç e tregoi edhe koha, se gjermanët u vunë ultimatum : « Ose me ne dhe Shqipërinë e Madhe ose do ju konsiderojmë si kundërshtarë dhe do ju luftojmë – ishte qëndrimi i komandaturës gjermane.
Dhe nisur edhe nga urrejtja tradicionale që ky grupim kishte ndaj komunistëve të Nacional – Çlirimtares, Balli Kombëtar bëri gabimin e pafalshëm të bashkimit me pushtuesit gjermanë.
Por nacional – çlirimtarja, ku bënin pjesë edhe shumë të rinj dhe të reja që ëndërronin për një « botë të re », pa çifligarë dhe bejlerë, nuk priti. Ajo, nën nxitjen edhe të Kominternit dhe emisarëve të Titos në Tiranë, nisi luftën pa asnjë kompromis kundër italo/gjermanëve. Deri sa mori pushtetin që nuk e lëshoi më deri në vitin 1990.
Por në vend të një shteti demokratik Enver Hoxha me të tijtë ngriti një sistem diktatorial të pamëshirshëm, i cili shtypi deri edhe çdo fjalë të lirë. Përgjegjësi kryesor i kësaj diktature ishte pikërisht vetë Enver Hoxha. Aq i rreptë ishte sundimi i regjimit të tij anë e mbanë vendit saqë mund të pohosh pa frikë se vendin e pushtimit nazi/fashist e zuri ai komunist. Dhe ky i fundit u treguar edhe më i pamëshirshëm sesa pushtuesit e huaj.
Që nga fillimi i Luftës dhe deri më 1985 kur dha shpirt, Enver Hoxha vrau, shtypi, persekutoi dhe dënoi miq dhe armiq, pa iu dridhur dora. Deri edhe zëvendësin e tij besnik, kryeministrin Mehmet Shehu. Pa llogaritur këto dhjetra anëtarë të Byrosë Politike apo ministra të njohur si ata të mbrojtjes, të punëve të brendshme etj etj.
Siç shihet asnjë palë nuk është e pafajshme në këtë përplasje sa nacionale aq edhe ideologjike. Prandaj sot dhe 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe 35 vjet pas rrëzimit të shtetit diktatorial, është e domosdoshme që këto inate të lihen pas krahëve. Bota, dhe Shqipëria bashkë me të, kanë ndryshuar aq shumë që nga viti 1989, saqë nuk ia vlen të shohësh më prapa.
Regjimi komunist pati shumë të këqija, por ai njëkohësisht i ndryshoi faqen vendit në mënyrë të pabesueshme. Por tani këto janë historira të mbyllura. Duhet parë përpara. Se çfarë duhet bërë nga sot e tutje. Historia u përket atyre që e jetuan atë kohë. E ardhmja u përket të rinjve që po jetojnë kohën e sotme. Zhvillimi ekonomik i vendit dhe rritja e mirëqënies për të gjithë – janë përparësitë kryesore të epokës së re.
Të përdorësh të shkuarën për të sotmen thjesht nuk sjell asgjë të mirë. Klasa e re politike shqiptare duhet të përgjigjet tani për çfarë ka bërë që nga viti 1990 dhe deri më sot. Të tjerat janë fjalë për të mashtruar budallenjtë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment