Edhe pak ditë dhe shqiptarët do i drejtohen përsëri kutive të votimit për të zgjedhur ata që duhet të drejtojnë vendin për 4 vitet e ardhshme.
PS-ja pritet të vendosë këtë 11 maj një rekord që vështirë që do për- mbyset ndonjëherë. 16 vjet në pushtet pa ndërprerje. Konkretisht nga vitit 2013 deri në vitin 2029! Sepse me shumë gjasa ajo do e fitojë edhe këtë raund zgjedhor dhe pa shumë vështirësi. Pikëpyetja mbetet nëse do i bëjë 70 deputetë apo jo?! Me këtë rast duhet theksuar se 140 deputetë që jetojnë si pashallarë me lekët e popullit janë shumë për një vend kaq të vogël dhe të varfër si vendi ynë.
Nejse le të kthehemi te zgjedhjet e kësaj të diele. Përveç fitores pothuajse të sigurt të PS-së, një veçori tjetër e jashtëzakonshme që tërheq vëmendjen e opinionit publik vendas është ripjesëmarrja në këto zgjedhje e një njeriu 80 vjeçar, i cili nuk i është ndarë politikës që nga viti 1991. Rast i paparë ky në Europë. Sigurisht që ka pasë diktatorë që kanë qëndruar edhe më shumë se 40 vite në pushtet, por në rastin konkret kemi të bëjmë me dikë që çirret ditë e natë për demokracinë!
Nga të gjithë ata që nisën revolucionin demokratik në ish vendet e Europës Lindore sot nuk ka ngelur një për be që të marrë pjesë akoma në jetën politike të vendit të tij. Me përjashtim të demo/komunistit Sali Berisha.
Ky i fundit pati një rast të jashtëzakonshëm të mbetej në historinë e popullit shqiptar, nëqoftëse nuk do të tregohej aq i panginjur për pushtet. Ai e konstatoi që në vitin1996 që populli shqiptar nuk e donte. Por në vend që të ndryshonte, ai u përpoq të ndryshonte popullin! Fatkeqësi e madhe.
35 vjet në zverkun e shqiptarëve. Dhe me një bilanc tmerrues negativ. Por ndofta është pikërisht për shkak të këtij bilanci, që ai nuk po i ndahet as politikës, as PD-së. E pra bota nuk ka parë një rast të tillë të dytë si ky.
Kjo mani, kjo këmbëngulje, ky tërbim me siguri që e ka një shkak psiqik. Dhe ndofta pothuajse demoniak.
Që kur e morri pushtetin ai, me gjithë ndjekësit e tij ordinerë, i vuri kazmën vendit. Njëlloj si Attila që ku vinte këmbën nuk mbinte më bari. Dhe “hyjneret” e tij ishin të pafundme. Mbi të gjitha viti i mbrapshtë 1997, që e ktheu vendin 200 vjet prapa. Pastaj Gërdeci, vrasjet në boulevard, etja për të pasuruar familjen dhe fisin e tij për 17 breza me rradhë.
Edhe sot e kësaj dite paguan një këshilltar amerikan kushedi se sa për ta ndihmuar në zgjedhjet e 11 majit si dhe ka angazhuar edhe një firmë konsulente amerikane që të punojë pranë Trump-it për heqjen e njollës së turpit “non grata”! Duke e paguar me 6 milionë dollarë!
E pra gjithçka ishte ndryshe në vitet 1990 – 1991. Njerëzit kërkonin ndryshim. Donin më shumë liri dhe më shumë begati. Por ai që doli në krye në atë kohë u kthye në fatkeqësinë e atij vendi. Prish, shkatërro, uluri: “poshtë komunizmi”, ku ai kishte bërë pjesë për 25 vjet me rradhë, duke qënë edhe i njohur dhe i futur edhe në familjen e Enver Hoxhës!
Rasti tij për të hyrë në historinë kombëtare ishte i artë. Se me PD-në në atë kohë u bashkua edhe ajka e inteligjencës së popullit shqiptar. Pothuajse njerëzit më të mënçur dhe më të pjekur. Por jo! Sali Berisha nuk i pëlqente njerëzit e ndershëm dhe të mënçur. Që ndriçonin popullin. Ai u mbështet, që në atë kohë, te llumi I llumit. Te burgaxhinjtë ordinerë, te lumpen- proletariati.
Kjo sidomos në kohën kur pati rrezik përplasjeje ideologjike dhe fizike midis mbrojtësve të trashëgimisë hoxhiste me përkrahësit e demokracisë. Ramiz Alia lëkundej si pehlivani në tel midis të dyja kampeve.
A duhet të shkatërrohej gjithçka e ndërtuar gjatë atyre 45 viteve diktature, djerse dhe gjaku, siç thonin demokratët, apo sistemi duhej përmirësuar dhe modernizuar siç predikonin njerëzit pranë Ramiz Alisë ?!
Sali Berisha ndoqi rrugën e parë. Në një dorë kazmën dhe në tjetrën pishtarin ai dogji dhe ktheu përmbys gjithçka. Njerëzit u zhgënjyen keq nga kjo politikë prej të çmendurish. Prandaj Sali Berisha humbi menjëherë dhe njëra pas tjetrës zgjedhjet lokale dhe referendumin më 1994.
Por jo. Njëlloj si sot ai nuk u tërhoq. Faji nuk ishte i tij, por i popullit budalla që nuk e donte. Aq më keq për të atëhere. Gur mbi gur mos mbetëtë.
Dhe po me këtë ide, po me këtë turfullim dhe tërbim ai vazhdon edhe sot e kësaj dite, 35 vjet më pas !
Intelektualët e dikurshëm që përgatitën terrenin demokratik u larguan tejet të zhgënjyer. Sot PD-ja është kthyer në një parti militantësh, ku besnikëria ndaj bajrraktarit është kriteri i parë për të bërë karrierë. Dhe vendin e intelektualëve me një barrë mend dhe urtësi sot e kanë zënë Nokat, Bumçat, Bardhët, Zhozat dhe kompani.
Njerëz pa të shkuar, pa bagazh, pa kulturë, pa merita (me përjashtim të besnikërisë ndaj shefit të pagabueshëm dhe kuazi hyjnor) !
U katandis kokoshi një thelë – thotë populli për raste të tilla. Gjithë lufta sot bëhet që Berisha të mos përfundojë në burg. Për krimet, vjedhjet, shkatërrimet që i ka shkaktuar këtij vendi. Njëlloj si Makbethi ai shikon sot duart e tij me gjek dhe tmerrohet.
Kur kishte rastin të largohej nga politika që në vitin 1994, kur humbi edhe referendumin. Si shumë politikanë të tjerë të Europës Lindore. Dhe sot do të mund të ecte bulevardit me kokën lart. “Bëra aq sa munda dhe aq sa dinja. Tani vazhdoni jo ta çoni përpara Shqipërinë » – do të thoshte gjithë qënia e tij.
Por jo ai zgjodhi përplasjen, konfliktin. Me njerëzit, me popullin. Megjithëse deri më sot ka humbur 7 palë zgjedhje ! Dikush tjetër do të ishte larguar që me humbjen e parë!
Por jo ai nuk humbet kurrë; atij veçse ia vjedhin votat! Ai që nuk hapte kutitë kur fitonte që të mos i dilnin të palarat në shesh.
Tani duket se vetëm Zoti mund t’i japë fund këtij mallkimi. Se as Rama, as Nano etj nuk e kanë dashur dhe nuk e duan S.B-në në burg. E duan përballë. E duan si gogol që të trembi të mëdhenj e të vegjël.
Ndërkohë Shqipëria ka humbur gjysmën e popullsisë së vet. Pasi humbi më parë edhe të gjithë bazën e saj teknike, materiale dhe ekonomike. Pasi shkatërroi ushtrinë, armatimin, arsimin, shëndetësinë etj etj. Me një fjalë gjithë shtetin.
Ky është me të vërtetë fundi i historisë. Koha bën punën e saj. Pas 11 majit S.B-ja do apo s’do do të ngelet si një leckë pa vlerë. E hedhur tutje. I përbuzur dhe ndofta edhe i përndjekur ligjërisht. Ky do të jetë edhe fundi i tij i merituar dhe i palavdi.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment