Cirk i shëmtuar në Prishtinë

     Po bëhen javë që klasa politike në Kosovë nuk po del dot nga gropa ku ka rënë. Po bëhen javë dhe muaj që deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po zgjedhin dot kryetarin ose kryetaren e parlamentit. Si pasojë po pengohet edhe zgjedhja e qeverisë së re. Sot, e shtunë 3 maj, dështoi edhe seanca e dhjetë e paraparë për këtë çështje.

       Faji për të gjitha këto bie mbi një njeri, te Albin Kurti. Është ai nuk lëshon pe. Ose do të zgjidhet Albulena Haxhiu në këtë post ose rashë dhe vdiqa, duket sikur shprehet me kokëfortësinë e tij karakteristike ish – kryeministri dhe kryeministri i ardhshëm.

        Po të njëjtin qëndrim kokëfortë dhe arrogant mbajti ai edhe para 5 vitesh, në zgjedhjet e shkuara legjislative, kur bëhej fjalë për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së Kosovës! “O do zgjidhet Vjosa Osmani presidente ose do shkojmë në zgjedhje të reja” – deklaronte ai atëhere me këmbënguljen e një derri të hazdisur !

        A e kupton Albin Kurti se jetojmë në demokraci parlamentare dhe shumëpartiake ?  Se nuk jemi më në kohën e Enverit dhe as atë të Millosheviçit?! Demokraci, ndër të tjera, do të thotë tolerancë dhe kompromis. Sidomos në gjendjen e tashme kur VV-ja nuk e ka shumicën absolute ne parlament!

      Prandaj nevojitet bashkëpunim edhe me partitë e tjera për të zgjedhur kryeparlamentarin/taren dhe ndofta më vonë edhe qeverinë?! Apo mos vallë Kurti ëndërron për zgjdhje të tjera të parakohshme, meqë këto të fundit nuk i dhuruan një pushtet absolut?!

      Kurti madje bëri sikur po bisedonte me opozitën, përkatësisht me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin. Por pa asnjë rezultat. Siç u bë e ditur më vonë takimi pati si temë se si të zgjedhim Albilena Haxhiun si kryeparlamentare! Kur duhej të ishte krejt e kundërta: Hajde të zgjedhim së bashku një figurë të pranuar nga të dyja palët si „spikere“ parlamenti. Ndryshe nuk ka si spjegohet dështimi i takimit.

       Po në Kosovë, si dhe në Shqipëri, ngjajnë shpesh herë marrina të tilla të papërshkrueshme. Siç është psh rasti i fundit i kryetarit të LDK-së Lumir Abdxhikut, i cili donte me çdo kusht të bëhej kryeministër, megjithëse partia e tij doli e treta në numër deputetësh, shumë larg VV-së!

        Mosfunksionimi i organeve demokratike në një shoqëri nuk është aspak shenjë e mirë. Sidomos në një shtet ende i pakonsoliduar si duhet dhe i panjohur edhe nga OKB-ja. Prandaj Kurti ishte dhe është i detyruar të bëjë lëshime, ose koncesione, siç i thonë sot.

       Është mirë që Beogradi në këto momente ka problemet e tij me demonstratat e studentëve kundër Vuçiçit. Ndryshe ai do të kishte përfituar në maksimum nga kjo „gjurulldi“ në kuvendin e Kosovës.

       Por tani ka ardhur koha që kësaj loje të pisët t’i jepet fund. Dhe presidentja Vjosa Osmani ka shumë në dorë në këtë drejtim. Ajo duhet të takohet me të gjithë krerët e partive shqiptare si dhe të pakicave, me përjashtim të Listës serbe dhe tu kërkojë atyre mendim. A mund të vazhdohet më kështu?! Çfarë mendojnë dhe çfarë propozojnë Krasniqi, Abdixhiku, Haradinaj, Limaj etj për daljen nga ky ngërç?!

        Dhe në fund të fundit të vendosë edhe një datë ultimatumi. Si psh shpalljen e zgjedhjeve të reja në rast se kuvendi nuk formohet deri më 15 maj!

        Dhe atëhere secili udhëheqës apo parti le të mbajë përgjegjësitë e veta para zgjedhësve. Po çfarë do të ngjasë nëse rezultatet e zgjedhjeve të reja do të jenë kopje e atyre të 9 shkurtit?! – mund të pyesë dikush.

        Atëhere presidentja , pasi të ketë pritur edhe 30 ditë të tjera për formimin e Kuvendit, mund të krijojë një këshill presidencial, i cili për 1 vit do të marrë dhe mbajë kompetencat e qeverisë. Siç veproi psh dikur edhe Ramiz Alia gjatë viteve të trazuara 1990 – 1991.

        Me fatin dhe të ardhmen e Kosovës nuk duhet lejuar të lozë kërrkush.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment