Në prillin e vitit 1955, pra afërsisht 70 vite më parë, vdiq njëri nga figurat më të shquara të shkencës moderne, fizikanti Albert Einstein. Shumë nga hipotezat dhe profecitë e tij të atëhershme janë vërtetuar dhe provuar gjatë këtyre 50 viteve të fundit. Por e veçanta dhe e jashtëzakonshmja e këtij shkencëtari të jashtëzakonshëm ishte qëndrimi i tij i dyzuar ndaj ekzistencës apo jo të Zotit.
Ky shkrim ka si synim pikërisht të dëshmojë dyzimet dhe dyshimet e këtij shkencëtari të papërsëritshëm ndaj një prej pikëpyetjeve më egzistenciale të Njerëzimit gjatë gjithë kohëve : Ekzistencës apo jo të Zotit ?! Por po ashtu për tu njohur me qëndrimin e tij ndaj Biblës, Darvinizmit etj. Ky shkrim mund të ndihmojë edhe të gjithë ata që ose janë të bindur 100 për qind në egzistencën e Zotit, por po ashtu edhe agnostikët, darvinistët apo ateistët.
Anshtajni është shprehur shpesh herë rreth këtyre çështjeve, megjithatë debatet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite nëse shkencëtari me prejardhje çifute, njëlloj si Isaac Newton, Karl Marks etj ishte besimtar apo ateist.
« Provat » rreth besimit apo mosbesimit të Anshtajnit gjenden në shumë nga letrat që ai u ka dërguar të njohurve të tij, të cilat janë shitur këto vite me çmime astronomike.
Kështu psh në një letër shkruar me dorë nga Albert Anshtajni, në të cilën fizikani hedh dyshime mbi ekzistencën e Zotit është shitur në Nju Jork për 2.89 milionë dollarë në një ankand të organizuar nga Christie’s.
Ky është një rekord për një letër shkruar nga Çmimi Nobel në Fizikë (1921). Çmimi e tejkaloi dukshëm vlerësimin paraprak prej 1 milion deri në 1.5 milion dollarë. Në mars 2002, një tjetër letër dërguar në vitin 1939 Franklin D. Roosevelt, atëherë President i Shteteve të Bashkuara, duke e paralajmëruar atë për projektet atomike gjermane, u shit për 2.1 milionë dollarë
Ndryshe në letrën e vitit 1954 të shkruar në gjermanisht për filozofin Eric Gutkind, Anshtajni, fizikani më i madh i shekullit XX, hedh poshtë të gjitha besimet fetare. “Fjala Zot nuk është për mua asgjë më shumë se shprehja dhe produkti i dobësive njerëzore, dhe Bibla një koleksion legjendash të nderuara, por megjithatë mjaft primitive”, shkruante studiuesi nga Universiteti Princeton i New Jersey, një vit para vdekjes së tij në prill 1955.
Asnjë interpretim, sado delikat, nuk do të ndryshojë asgjë (për mua),” shton ai në këtë mesazh një faqe e gjysmë për filozofin gjerman. Në letrën e tij, autori i teorisë së relativitetit, i cili ka vdekur në moshën 76-vjeçare, nuk e kursen as fenë e vet: judaizmin.
“Për mua feja hebraike është, si të gjitha fetë e tjera, mishërimi i një bestytnie primitive,” shkruan ai. “Dhe populli hebre të cilit i përkas me krenari dhe në mentalitetin e të cilit ndihem thellësisht i ankoruar, nuk ka një formë dinjiteti të ndryshme nga popujt e tjerë.”
“Në përvojën time, ata (çifutët) nuk janë më të mirë se grupet e tjera njerëzore, edhe nëse mbrohen nga teprimet më të këqija nga mungesa e tyre e pushtetit. Përndryshe, unë nuk perceptoj asgjë të ‘zgjedhur’ në to.”
Në vitin 2018, një ngjarje historike u zhvillua në një ankand në Christie’s në Nju Jork: “Letra mbi Zotin” e famshme e Albert Anshtajnit u shit, siç thamë, për 2.89 milionë dollarë. Ky dokument, i shkruar në vitin 1954 për filozofin gjerman Erich Gutkind, konsiderohet sot e kësaj dite si një nga dëshmitë më të sinqerta të shkencëtarit të madh për pikëpamjet e tij mbi fenë, besimin dhe rendin e universit.
Ndryshe”Letra mbi Zotin” është bërë një dokument kyç për të kuptuar botën shpirtërore të një prej shkencëtarëve më të mëdhenj në histori. Ai tregon se një besim në një strukturë racionale të universit dhe një admirim për madhështinë e tij mund të ekzistojnë pa dogmat tradicionale fetare.
Anshtajni besonte se madhështia e ekzistencës nuk kishte nevojë të shpjegohej nga imazhi i një plaku me mjekër mbi një re. Për të, besimi i vërtetë qëndronte në habinë e pafundme ndaj logjikës së universit, në një kërkim të përjetshëm për njohuri dhe përulësi përballë të panjohurës.
Sepse me të vërtetë, askush sot nuk zotëron prova të pamohueshme se Zoti ekziston?! Se ai i ka sytë dhe zëmrën drejt nesh. Se neve na pret parajsa apo ferri për veprimet e kryera mbi Tokë etj etj.
Fetarët dhe ata që besojnë në Zot sjellin si provë të pamohueshme pikërisht ekzistencën e Universit apo edhe vetë jetën dhe gjallimin tonë mbi Tokë ! “A besoni vërtet se jeni produkt i rastësisë të dalë nga hiçi, apo ekzistoni, së bashku me Tokën dhe Universin mbarë, si pasojë e një projekti të mirëmenduar ?!” – pyesin ata.
Siç thamë, edhe vetë një nga kokat më të mëdhe të Njerëzimit, Enstein-i vetë, ka pohuar se çdo sahat ka sahatbërësin e tij!
Por në këtë botë sa të magjishme, por po aq edhe mizore, jetojnë e gjallojnë edhe ateistët që njihen ndryshe edhe si evolucionistë apo darvinistë. Ata nuk besojnë fare në Zot. Prandaj janë të bindur se gjithçka, duke nisur nga Universi dhe deri te ne : njerëzit, jemi produkt i rastësisë. Ndryshe i ligjeve të evolucionit !
Gjithmonë sipas tyre jeta në Tokë ka lindur thjesht nga krijimi i disa aminoacideve në një pellg me ujë, ku papritur ra rrufeja. Dhe ashtu papritur dhe pa kujtuar lindi edhe bakteria e parë mbi Dhé, e quajtur Ameba. Kjo bakterie filloi pastaj, (Zoti e di pse !) të shtohet dhe shumohet pa mbarim për qindra milionë vjet me rradhë. Dhe si pasojë lindën bimët, kafshët, Njeriu, dinozaurët, mikrobet, kërpudhat dhe gjithçka që të zë syri dhe të kap dora !
Dashur pa dashur këta ateistë, disa prej të cilëve bëjnë pjesë edhe në majën e botës së shkencës, i japin Amebës atributet e Zotit. Veçse ata e konsiderojnë këtë bakterie si të padenjë për t’iu falur, ndryshe nga besimtarët që mbushin çdo të premte, të shtunë apo të dielë, sipas besimeve të tyre, institucionet e kultit.
Atëhere a e kemi prejardhjen nga Ameba apo nga Zoti?! Jemi rastësisht mbi këtë Tokë apo gjithçka ka qënë e programuar që para miliarda vjetësh ?! Rrjedhim nga majmuni, siç pohonte dikur Darvini, apo jemi një specie e veçantë e paraprojektuar për të qënë këta që jemi. Po tigri dhe maçoku nga e kanë origjinën ?!
Kur ishim nxënës në shkollë të mesme na mësonin se „materia është një kategori fillozofike e përjetshme, pa kohë dhe pa fund dhe që nuk ndryshon » ! Materia : kategori fillozofike ?! Me siguri një term i marrë dhe i përkthyer keq në atë epokë nga shkolla ruse.
Mbaj mend se profesori ynë i fizikës i asaj kohe na ngriti të gjithëve në dërrasë duke na pyetur rreth konceptit të materies, bazë e ideologjisë ateisto/ komuniste së bashku me darvinizmin. Duke mos i dhënë rëndësinë e duhur asaj “kategorie fillozofike” nuk isha fare i përgatitur për atë temë dhe prandaj edhe mora një 2-sh të mirë.
Sot mendoj se nuk e kam pasur edhe aq gabim. Sidomos tani që flitet edhe për Big Bang-un nga e cila paska filluar gjithçka. Pra nga një kokërr „bizele“ me një energji të pafundme brenda saj, e cila kur shpërtheu krijoi edhe universin që njohim sot. I cili edhe 14,5 miliardë vjet pas shpërthimit vazhdon ende të shtrihet dhe përhapet! Po nga doli kjo kokërr „bizeleje“?! Kësaj pyetjeje asnjeri nuk i jep dot përgjigje!
Ndryshe askush nuk di gjë. As papa i Romës, as Rabini i Madh i Jeruzalemit, as Myftiu I Stambollit. Të gjithë besojnë atë që duan të besojnë: në ekzistencën e Zotit dhe të jetës së përtejme.
Por mënyra e vetme për të arritur në një përfundim llogjik dhe racional të prejardhjes së jetës në Tokë dhe krijimit të Universit mbetet … shkenca. Po, po – shkenca.
Sepse vetë shkenca ka filluar të tronditet. Jo të gjithë shkencëtarët janë të bindur sot se baza e jetës në Tokë vjen nga Ameba. Se vetë ata nuk ia kanë arrirë dot, edhe pas shumë përpjekjesh eksperimentale shumëvjeçare dhe dëshpëruese, të krijojnë bakterie që vetëshumohen apo jo.
Ata nuk janë në gjendje të spiegojnë po ashtu se përse bebja e syrit, shenjat e gishtërinjve dhe ADN-ja janë të veçanta dhe të papërsëritshme te çdo njeri?! Se si spjegohen 20 konstantet e Universit që e mbajnë atë „në këmbë“. Aq sa sikur të ndërrosh një numër të këtyre koefiçientëve pas shifrës së nëntë dhjetore, Universi nuk do të ekzistonte fare! Ata nuk po dinë po ashtu si të spjegojnë vegimet e NDE-së (Near Death Eksperience) për të cilat flasin dhe dëshmojnë sot me mijëra pacientë që i kanë shpëtuar për një qime vdekjes klinike?!
Dhe mbi të gjitha pyetjes vrastare: “Përse ka diçka (Universi) në vend që të mos kishte asgjë?!“. Ndryshe pse ekzistojmë ne, pse ekzistojnë galaksitë e pafundme kur do ishte më e thjeshtë që asgjë të mos ekzistonte?!
Para kësaj mjegullnaje vetë Einstein-i është shprehur se „ai beson te Zoti i Spinozës, te Natyra, te Universi! Dhe se ai nuk beson te një qënie me mjekër të bardhë që rri mbi re dhe na vështron ne natë e ditë se çfarë po bëjmë“!
Ka mijëra vjet që Njerëzimi, (shenjtorët, profetët, fillozofët, dijetarët, shkencëtarët etj etj) po përpiqet tu japë përgjigje këtyre pyetjeve ekzistencialiste, por pa as më të voglin sukses. Ndofta, dhe ka shumë gjasa, që këto pyetje do të ngelen përjetësisht pa përgjigje.
Vetë Anshtajni pranon ekzistencën e një shpirti madhështor të natyrës, aq superior ndaj njeriut sa mbetet një enigmë e përjetshme. Ai hedh poshtë idenë e një Zoti që ndërhyn drejtpërdrejt në punët njerëzore, duke pretenduar se çdo gjë në univers i nënshtrohet ligjeve të rrepta natyrore. Sipas tij, zhvillimi shpirtëror i njerëzimit nuk duhet të bazohet në frikën e ndëshkimit ose vdekjes, por në një kërkim racional për dije.
Anshtajni nuk e konsideronte veten një besimtar fetar ose një ateist militant. Pikëpamjet e tij ishin afër filozofisë së Emmanuel Kant: njeriu mund të perceptojë intuitivisht ekzistencën e ligjeve të universit, por ai nuk është në gjendje t’i kuptojë plotësisht ato. Ai e krahasoi njerëzimin me një fëmijë që e di se një makinë po lëviz, por nuk e kupton se si funksionon motori i saj.
Një tjetër citat i famshëm nga Anshtajni është ai i”Zotit që nuk luan me zare.” Me këtë fjali, ai nënvizon besimin e tij në një botë të strukturuar dhe të qeverisur nga ligje, ku rastësia nuk ka vend!. Për Anshtajnin, nuk ka rastësi në natyrë – gjithçka ndodh sipas ligjeve të rrepta matematikore.
Ai pretendon se njerëzit, bimët dhe madje edhe yjet, gjithçka në univers ndoqën një trajektore të përcaktuar nga forcat e padukshme. Rrjedhimisht, njeriu nuk mund të jetë plotësisht i lirë nga veprimet e tij: këto ishin të paracaktuara, ashtu si lëvizja e trupave qiellorë.
Pavarësisht refuzimit të fesë, Anshtajni i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme moralit. Ai besonte se nocionet e së mirës dhe së keqes ekzistonin objektivisht, pavarësisht nga ndërhyrja hyjnore.
Kur u pyet “Pse Zoti lejon luftërat, vuajtjet dhe fatkeqësitë?” ai u përgjigj: “Zoti na ka dhënë lirinë e zgjedhjes dhe na ka treguar rrugën e së mirës dhe së keqes. Por njeriu është përgjegjës për gabimet e veta. » Për Anshtajnin, morali nuk ishte i nevojshëm për Zotin, por për vetë njerëzimin.
Po ashtu në një letër drejtuar një rabini në vitin 1929, Anshtajni e kishte saktësuar edhe më fort qëndrimin e tij ndaj fesë: “Unë nuk besoj në një Zot që shpërblen dhe ndëshkon, por besoj në një Zot që manifestohet në harmoninë e rregullt të ekzistencës.”Për Anshtajnin, mrekullitë nuk ishin shkelje të ligjeve të natyrës, por manifestimi i tyre i thellë – mistere që mendja njerëzore mund t’i prekë vetëm.
“Letra mbi Zotin” është bërë një dokument kyç, njëlloj ndofta si Bibla, Kurani, Torah etj për të kuptuar botën shpirtërore të një prej shkencëtarëve më të mëdhenj në histori. Ajo dëshmon mbi një besim në një strukturë racionale të universit dhe një admirim për madhështinë e tij që mund të ekzistojnë edhe pa dogmat tradicionale fetare.
Për Anshtajnin, besimi i vërtetë qëndronte në habinë e pafundme ndaj logjikës së universit, në një kërkim të përjetshëm për njohuri dhe dije dhe në një përulësi të madhe ndaj së panjohurës.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment