Edhe një herë tjetër, dje, kryeministri shqiptar pohoi me arrogancën dhe vetëbesimin që e karakterizon se ai nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, megjithëse disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt janë ose në burg ose në arrati.
Kreu i qeverisë u shpreh se teoria që jep dorëheqjen se është ky apo ai në burg nuk funksionon. Ai madje ironizoi edhe opozitën duke theksuar se proceset hetimore janë shpresa e vetme e kënetës së madhe, por edhe e moçaleve të vogla.
“Atë që nuk e realizojnë dot në fushën e ballafaqimit elektoral me popullin mendojnë se mund ta realizojnë duke nxitur SPAK dhe duke shpresuar se SPAK do të shkrijë PS-në”, deklaroi Rama.
“Ku i keni parë këto dorëheqjet me asosacion se nuk e kuptoj, e di që tani më kjo historia e proceseve hetimore e gjyqësore është shpresa e vetme jo vetëm e kënetës së madhe, por edhe e moçaleve të vogla.
Dhe nga ana tjetër duke bërë presion qesharak, si mund të votohet ky, ka gjysmën e qeverisë në burg, gjysmën e partisë në burg?! Pikërisht se populli është një shkallë më lart se më i zgjuari dhe më i bukuri nga të gjithë ju, nuk e ha këtë lloj propagande. Sepse populli ka një kujtesë, pse nuk ndodhnin më parë këto procese, që dikush të hetohej e dënohej. Pse ndodh sot? Kjo teoria që jep dorëheqjen se është ky apo ai në burg nuk funksionin, fare, hiç, zero, dhe një nga arsyet pse PS do të marrë rezultatin më të mirë nën drejtimin tim është se për herë të parë populli shqiptar po shikon përpjekje për të vendosur barazi para ligjit”, theksoi ndër të tjera Rama.
E vërteta është se në fjalën e tij kryeministri ngatërron, me qëllim, disa gjëra. Ai thekson se « për herë të parë populli shqiptar po vëren përpjekje për të vendosur barazi para ligjit » !
Dakord ! Por kjo « barazia para ligjit është meritë e SPAK-ut apo e Ramës ?! Kjo është njëra pyetje. Dhe e dyta : Rama duhet të japë dorëheqjen jo për shkak të barazisë para ligjit, por për shkak të mbushjes së administratës, deri në nivelet më të larta, me të paaftë në rastin më të mirë dhe me hajdutë në rastin më të keq.
Si spjegohen ndryshe akuzat ndaj ish zëvendësit të tij, Arben Ahmetajt, ndaj ish krybashkiakut të Tiranës, « Lali Erit » !, apo ish ministres së mbrojtjes, ish ministrit të rendit etj etj ?! Se lista është e gjatë. Ndryshe si spjegohet që dora i kap gjithmonë veçse të korruptuar ?!
Pikërisht për këtë shkak ai duhet të japë dorëheqjen dhe jo sepse drejtësia po bën punën e saj. Ai i var mëlçitë ujkut në qafë dhe pastaj bën të habiturin : Çfarë faji kam unë ?!
Si një demagog me përvojë, Rama po ashtu nuk mungon të lavdërojë zgjuarsinë e popullit, që do ia dhurojë edhe kësaj rradhe pushtetin në një tabaka të argjendtë.
Pa dyshim që Rama dhe Partia Socialiste do i fitojnë edhe zgjedhjet e 11 majit. Por kjo jo se populli është tejet i zgjuar, siç përpiqet ta miklojë Rama! Jo. Por veçse se ai nuk ka kujt tjetër kujt t’ia japë votën. Duke përjashtuar këtu ndofta partinë e Qorit apo Llapajt. Pra zgjedhësi do të zëjë edhe një herë tjetër hundën me dorë dhe do votojë për Ramën.
Por e vërteta është se Rama ka edhe një fat prej derri maç. Fat që e ka ndjekur që kur ka lindur. Se ai lindi në një familje komunistësh të njohur, që kishin lidhje edhe edhe me „nomenklaturën“ e lartë të PPSH-së. Nëna e tij ishte mbesë e anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Kolekës. Dhe prandaj kur lindi ia vunë kokën në një jastëk me pupla me një këllëf mëndafshi. Krejt ndryshe psh nga vampiri i Viçidolit që kokën ia vunë mbi një kërcu!
Por Rama ka edhe një fat tjetër. Se përballë ka një opozitë të shkatërruar dhe të shpartalluar. Që mbështetet ende edhe sot e kësaj dite te opozitari i „lindur“, (që nga viti 1990 !), te tetëdhjetëvjeçari Sali Berisha!
Për më shumë edhe brenda partisë së tij, Rilindjes apo Partisë Socialiste, quheni si të doni, ai nuk ka kundërshtarë të kalibrit të tij. Dhe për këtë qëllim që kur hyri si kollovar te partia e profesorëve, siç quhej Partia Socialiste gjatë viteve 1992 – 1996, ai u kujdes të hiqte njëri pas tjetrit të gjitha figurat me reputacion në gjirin e kësaj partie. Sidomos ato figura që dalloheshin si të majta dhe e mbushi partinë me zonjusha me buzëkuq apo hiçkërrkusha pa ndonjë meritë, përkushtim apo reputacion. Dhe rezultati shihet!
Sepse vetë Edi Rama nuk shquhet apo dallohet për ndonjë lloj ideologjie. Në fakt politika e tij ekonomike është krejt e djathtë. Ai mbështetet te oligarkët dhe prona private. Ndërkohë që e majta dallohet për politika publike dhe në forcimin e rolit të shtetit në ekonomi.
E vërteta është që Rama ndërton aeroporte dhe rrugë që ndihmojnë infrastrukturën, por ende nuk dihet nëse qeveria e tij ka ndihmuar në ngritjen e ndonjë kombinati ushqimor, që do ndihmonte edhe eksportin, apo edhe për ndonjë fabrikë sapuni që do punësonte njerëzit, apo do pakësonte varësinë totale nga importet.
Rama ka edhe një arsye tjetër të fortë që t’i gëzohet fitores para kohe. Se njerëzit me të vërtetë janë të zgjuar, shohin dhe kuptojnë. Kujtojnë vitin e mbrapshtë 1997, kujtojnë vjedhjen kolosale të votave në maj të 1996, zgjedhjet e para të organizuar nga PD-ja, kujtojnë shkatërrimin total të vendit gjatë periudhës 1992 – 1996, kujtojnë Gërdecin, kujtojnë 11 Janarin e të tjera e të tjera.
Vetë Rama nuk ka bagazhe të tilla në karrierën e tij. Ai mund të akuzohet për shumëçka, por ai vetë personalisht nuk është vrasës dhe shkatërrues. Ai nuk të kërcënon se „ta bën surratin më keq se sholla e këpucës » e të tjera. Nën udhëheqjen e tij Shqipëria është qetësuar dhe po normalizohet dhe zbukurohet nga dita në ditë. Ky është një fakt.
Pra Rama e ka të lehtë me Berishën e kundërshtuar, e urrejtur dhe mallkuar. Para të zbriturit nga Viçidoli ai ngjan si një gjigand, por jo para zgjedhësve që prisnin dhe shpresonin shumë më tepër nga ai.
Prandaj ai duhet të japë dorëheqjen pikërisht më 12 maj, pas fitores së rradhës. Duke i lënë vendin një tjetri, që duhet të zgjidhet nga masa e socialistëve. Jo se ia kërkon opozita, por për gabimet e tij të pafalshme në zgjedhjen e njerëzve. Po ai që mund ta zëvendësojë a do të jetë më i zoti, apo edhe më i ndershëm?! Këtë askush nuk e di,
Prandaj Rama do vazhdojë të sundojë i patrazuar deri në vitin 2030, siç ka thënë edhe vetë. Kështu spjegohet edhe arroganca dhe vetëbesimi i tij i tepruar. Sidoqoftë ai do të jetë më i mirë dhe më pozitiv sesa, larg qoftë, kthimi i „Bishës“ në pushtet.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment